Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Studentët e kundërshtojnë Asociacionin, thonë se e avancon Serbinë brenda Kosovës (FOTO)

NULL NULL
15.02.2023 17:18

Në 53-vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës, parlamenti studentor i këtij universiteti marshoi kundër themelimit të Asociacionit.

Studentët kërkuan me ngulm që asociacioni të mos krijohet, duke thënë se kjo është në kundërshtim me ligjin, si dhe avancon Serbinë në Kosovë, ku, sipas tyre, pashmangshëm krijohet përshkallëzim i situatës.

Sipas këtij parlamenti, Serbia në raport me shqiptarët ka të kaluar kriminale, vazhdon të ketë edhe sot, dhe me gjasë, siç thonë ata, do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ata kërkuan “bashkim veç me Shqipërinë, jo ndarje e as nënshtrim”, njofton Klankosova.tv

Studentët theksuan se Kosova është shtet demokratik dhe si i tillë është vullneti i popullit që, sipas tyre, e përcakton të ardhmen e shtetit.

Në këtë marshim, ata patën kritika edhe për mosnjohjen e diplomave të studentëve të Luginës, të cilët pasi përfundojnë studimet në UP, nuk mund të punësohen në Serbi.

Përmes këtij marshi, ata thanë se duan bashkëjetesë, harmoni e paqe me të gjithë ata që Kosovën e kanë atdhe.

Edhe Naim Zhitia, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit, tha se kjo shoqatë e kundërshton këtë asociacion.

“Shoqata jonë e kundërshton çfarëdo asociacioni një etnik. Kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare që ta shtojnë presionin ndaj Serbisë dhe ndaj pretendimeve të saj ndaj Kosovës”, u shpreh Zhitia.

Zhitia tha se shoqata, që ai e përfaqëson, i ofron mbështetje kryeministrit Albin Kurti që të qëndrojë i palëkundur kundër kësaj çështjeje dhe ta mbrojë sovranitetin e Kosovës.

“U Ofrojmë mbështetje të fuqishme institucioneve të Kosovës, sidomos Albin Kurtit, që të qëndrojë i palëkundur kundër Asociacionit dhe ta mbrojë sovranitetin e vendit”, përfundoi ai.

Në këtë tubim morën pjesë dhjetëra qytetarë./Klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS

lajme të ngjashme