Rishpikja e realizmit sot NULL NULL nga Lum Gashi 23.01.2023 21:45 nga Lum Gashi 23.01.2023 21:45 Nëse një lëvizje, periudhë a zhanër është më i cenueshmi nga mendimi postmodern, atëherë mund të argumentohet që është pikërisht realizmi. Mathew Beaumont, profesor i letërsisë në University College London, kishte botuar më 2007 librin Aventurat në realizëm, ku përmes një studimi të thuktë dhe bashkëkohor të realizmit, i reagon postmodernizmit dhe refuzimit që ky i fundit ia bën realizmit. Beaumonti shtrihet përtej realizmit letrar duke folur për trashëgiminë që kjo lëvizje e ka lënë në pikturë e kinematografi. Ai merr shembull klasikët e realizmit si romani Adam Bede i Xhorxh Eliotit dhe Vanity Fairi i William Makepeace Thackerayt si romane që përmbajnë ironi, vetë-reflektim, që i njohin dhe pranojnë limitet e veta dhe që janë të vetëdijshme për iluzionizmin e vet. Sipas tij, ajo që “e mban bashkë realizmin në fleksibilitetin dhe ndryshueshmërinë e vet është fakti që është gjithmonë i përkushtuar ndaj nocionit të thjeshtë që ajo që e shohim është vërtetë ‘aty, që bota fizike nuk është një ëndërr karteziane por është vërtet e përnjëmendtë”. Beaumonti thotë që realizmi, në këtë farë lidhjeje, është “përkushtimi për ta regjistruar realen e jashtme dhe pastaj brendësinë që e percepton dhe pastaj e shpërfytyron ose e penetron atë”. Ai sugjeron që në realizëm gjithçka është në fluks, dhe se mobiliteti, si kusht moderniteti, është subjekt i fshehtë i kësaj lëvizjeje. Realizmi për të është po aq fleksibël sa realiteti të cilin tenton ta pasqyrojë e kurrë më shumë se në kohëra revolucionare. Mathew Beaumont, profesor i letërsisë Pse aventurë në realizëm – ç’e bën realizmin aventuresk për studim? Pyetje e mirë. E kam nxjerrë titullin pjesërisht nga një libër i Marshall Bermanit, teoricieni kulturor marksist i cili më së shumti njihet për librin Gjithçka që është e ngurtë shkrihet në ajër, një libër tejet brilant të cilin e shkroi dhe botoi në 1980-tat. Mirëpo, ai shkroi një lloj vazhdimi të atij libri të quajtur Aventurat në marksizëm në mënyrë që ta kumtonte frymën e kërkimit dhe kureshtjes dhe frymën eksperimentale, supozoj, me të cilën donte ta trajtonte marksizmin. E kam njohur Marshall Bermanin nga pak, dhe në fakt ai ka kontribuar në një tjetër libër që e kam shkruar. Kësisoj, pata menduar që ta merrja titullin e tij dhe ta aplikoja për realizmin. Aventurat në realizëm – realizmi shpesh konsiderohet bajat, i thatë dhe i lodhshëm si dispozitë estetike dhe filozofike. Andaj, doja që ta jepja një sens të aventurës në rikonsiderimin që ia kam bërë. Pse është i rrezikshëm dhe i papranueshëm refuzimi total i realizmit? Mendoj që postmodernizimi ka hequr dorë nga ideja që dikush mund të ketë qasje në realitet, sido që ta përkufizojmë atë në secilin kuptim të pandërmjetësuar. Tani, sigurisht, është vërtetë që ne nuk mund të kemi qasje në realitet, çfarëdo që të jetë ai, në ndonjë kuptim të pandërmjetësuar. Ne duhet ta bëjmë këtë përmes vetëdijes. Duhet ta bëjmë këtë, mbi të gjitha, përmes gjuhës. Prandaj, nuk është thjesht çështje e të bërit me gisht kah tryeza që është përballë meje, dhe të themi: ky është realiteti. Trupi, vetëdija dhe gjuha – që të gjitha e ndërmjetësojnë atë realitet, nëse do ta quajmë si të tillë. Mirëpo, ajo që e ka bërë postmodernizmi, siç më duket mua, është eliminimi i atij realiteti, minimi i mundësisë së të folurit për realitetin fare. Andaj, më dukej e rëndësishme që ta ringjall diskutimin e realitetit dhe realizmit si gjendje estetike dhe si dispozitë filozofike që mund ta kuptojë atë realitet në kundërshtim me një ideologji, në çfarë postmodernizmi tashmë ishte bërë, e që bënte me gisht drejt një naiviteti për çfarë tentimi për t’u kacafytur, përfaqësuar apo pajtuar me realitetin. Si ju ka frymëzuar refuzimi postmodernist t’i riafroheni realizmit? Mendoj që është një pyetje shumë interesante. Mendoj që po. Dhe mendoj që më ka bërë të mendoj më thellë në mbrojtjen e idealizmit kundër postmodernizmit dhe kundër portretizimit shumë të thjeshtuar të realizmit nga ana e postmodernizmit. E portretizonte realizmin, në efekt, si një trompe l’oeil. Nëse ju shkon mendja te historia e pikturës, trompe l’oeil fjalë për fjalë do të thotë ‘ta mashtrosh syrin’, e që është një formë e pikturimit që tenton t’i kopjojë disa prej perspektivave, disa prej efekteve që dikush mund t’i gjejë në realitet sikur realisht të ishin aty. Është një tentim për ta mashtruar atë që e sheh pikturën. Është aq preciz në versionin e vet të realitetit. Postmodernizmi e përfaqësonte realizmin si një ushtrim në trompe l’oeil, si mashtrues dhe të thjeshtuar. Dhe që të kthehem te teoricienët më të sofistikuar të realizmit, përfshirë këtu edhe Bertol Brehtin, unë i rikonsiderova të kuptuarit që kisha për realizmin dhe fillova të mendoj për të jo vetëm si një kopje sipërfaqësore të botës empirike, por si një tentim për të depërtuar brenda asaj sipërfaqeje dhe për ta hulumtuar atë që fshihet nën të; për t’i hulumtuar mekanizmat që krijojnë efekte të caktuara empirike. Kështu, me fjalë të tjera, realizmi ishte krejtësisht konsistent me një politikë progresive analitike – me një formë të kritikës politike. Nuk ishte refuzim i asaj kritike. Thoni që realizmi është formë paradoksale – si i hyn në punë ky paradoks sot? Nëse jam duke e kuptuar mirë pyetjen tuaj, mendoj që pjesë e natyrës paradoksale të realizmit është saktësisht qasja e vet e dyfishtë në të cilën mënyrë në mënyrë të njëkohshme tenton që ta kapë realitetin ashtu siç e përjetojmë apo hasim, veçanërisht përmes të parit, përmes asaj shqise dominuese, mirëpo po ashtu siç kam thënë, pjesërisht si referencë ndaj [Bertol] Brehtit, për të depërtuar nën sipërfaqen empirike. Ajo është detyra e dyfishtë, ambicia e dyfishtë e realizmit, e mua më duket, e kësisoj më është dukur që nga fillimi – si një qasje më e sofistikuar se sa ajo që e lejojnë postmodernistët me konceptimin e tyre shumë të thjeshtuar dhe sipërfaqësor të realizmit. Argumenti për realizmin letrar duke i shtjelluar format e tjera të artit Kjo është shumë interesante. Mendoj që mund ta demonstrojë që realizmi është një projekt shumë më i gjerë se sa zhanri i letërsisë që doli në shekullin e nëntëmbëdhjetë në veçanti, e që mund të sugjerojë që është pjesë e tentimit multidisiplinar dhe multimedial për ta rishpikur mënyrën në të cilën bota materiale dhe bota sociale paraqiten. Andaj po ndodh në të gjitha llojet e niveleve, në të gjitha llojet e mediave, dhe është pjesë e një projekti politik dhe filozofik; e një të tilli të cilit nuk mendoj që i ka kaluar koha, edhe pse kjo ishte ajo që postmodernistët dhe të tjerët ende po e debatonin. Nëse i shikoni shkrimtarët e mëdhenj realistë të shekullit nëntëmbëdhjetë, ose në të vërtetë, piktorët e mëdhenj realist si në Francë, ka një tentim të ngjashëm analog për ta kuptuar kritikisht botën, e jo që thjesht të kopjohen sipërfaqet e saj. Cilat janë barrierat politike që i vihen realizmit sot? Nuk jam i sigurt sepse mendoj që ai moment postmodernist ka kaluar deri në një masë. Në fakt, ka një rikthim të realizmit rishtazi, sigurisht në publikimet shkencore. Që kur e kam prodhuar librin tim, janë shkruar një mori librash për realizmin në tentim për ta rivlerësuar atë. Në disa mënyra, është bërë sërish një temë në modë, ndoshta si reagim ndaj postmodernizmit. E tash, nuk do të pohoja që libri im fare ka shërbyer si nismë për këtë. Mendoj që po u përgjigjesha stadeve të para të një ndryshimi në perceptim të realizmit; një të tillë që shënjoi, deri në një masë, vdekjen e postmodernizmit. Andaj, nuk jam i sigurt që ka aq shumë pengesa ndaj realizmit dhe ndaj të kuptuarit, ndaj një të kuptuari më të pasur dhe më të sofistikuar të realizmit që ishin në kohën kur e kam publikuar librin tim 15 vjet më parë. Mendoj që ka një tranzicion madhor që nga ajo kohë, dhe mendoj që studimet e realizmit dhe tentimi për ta rishpikur realizmin janë super qendrore në disa vepra, sigurisht në ato akademike. Si i njeh realizmi limitet e veta? Mendoj që realizmi shpesh e përvetëson në projektin e vet vetëdijen e limiteve të veta. Andaj, një roman si Adam Bede, për shembull, do ta paraqesë një moment vetë-reflektues nga ana e rrëfyesit apo autorit ku ata në mënyrë precize e distancojnë veten e tyre nga projekti realist në të cilin janë angazhuar dhe bëjnë me gisht te limitet e veta, te ambiciet dhe vetëbesimi i tepruar. Me fjalë të tjera, realizmi – sigurisht, në versionin e vet më të mirë, qoftë nëse është një roman i shekullit nëntëmbëdhjetë, apo film fiksion i stilit dokumentar sikur ai që e pashë javën e kaluar, një film i mrekullueshëm spanjoll i quajtur Alcaraz- gjithmonë bën me gisht kah kufizimet e veta, gjithmonë; dhe vetëm provizorisht e pranon që realizmi mund ta kuptojë botën plotësisht dhe në ndonjë sens total. Prandaj, me fjalë të tjera, realizmi në më të mirën e vet është formalisht tepër i vetëdijshëm. Mendoj që kjo është njëra prej pikave të tij më të forta. Tani, postmodernistët promovuan forma shumë të vetëdijshme të modernizmit estetik, zgjatime të ndryshme postmoderniste të stilit modernist, e që siç duket, pa e vënë re në kohën e tyre, romani i shekullit nëntëmbëdhjetë për shembull ka qenë duke e bërë të njëjtën gjë; nuk tentonte ta bënte një kopje të botës sikur të ishte fotografi. Gjithmonë bënte me gisht kah korniza dhe akti i kornizimit, që ishte i vetëdijshëm për vetë aktin e vet të konstruktimit; procesit të konstruktimit në paraqitjen e realitetit në mënyrën më besnike të mundshme. Pse Vanity Fair u ka mbijetuar të gjitha ndryshimeve të kohës, ideve, kulturave? Mendoj që Vanity Fair është shumë i vetëdijshëm për statusin e vet si roman historik. Dhe romani historik sjell dy sfida, supozoj, ndoshta dy përgjegjësi, e që janë qendrore te projekti realist. Njëra është që të paraqesësh diçka besueshëm, të tentosh që ta rikonstruktosh një moment historik sa më saktë që është e mundur, ose në lidhje me ngjarjet historike dhe integritetin e tyre, nëse mund ta them ashtu. Mirëpo, në anën tjetër, romani historik – sipas përkufizimit, rikonstrukton një periudhë që është e ndarë nga ajo e së tashmes – është i angazhuar në aktin e konstruktimit dhe në aktin e krijimit të fiksionit. Andaj, romani historik është në disa mënyra vetëm vëzhgim i anës tjetër të fiksionit fantashkencë. Shpesh është thënë që fantashkenca është evidentja e romanit historik – që e historicizon të ardhmen përkundër të kaluarës. Epo, nëse e kthejmë mbrapsht, atëherë mund ta mendojmë romanin historik si formë të romanit fantashkencë, i cili teksa tenton ta rikonstruktojë një moment historik, ndonëse përmes vetëdijes apo përvojës, apo ndërlidhjeve të personazheve të ndryshme fiktive, megjithatë i vetëdijshëm për statusin e vet fiktiv, sikur të ishte vetë fantashkencë apo e natyrës fantaziste. Ç’duhet të ketë në mendje një shkrimtar sot nëse do të shkruajë me elemente realiste? Çfarë pyetje fascinuese, dhe mjaft sfiduese. Mendoj që ka një nevojë urgjente politike për ta adresuar momentin tonë bashkëkohor në terma historikë. Kjo ishte një karakteristikë e rëndësishme e shekullit të nëntëmbëdhjetë, pavarësisht se a i vendoste romanet e veta, narracionet e veta, në të ardhmen, si puna e Vanity Fairit me luftërat Napolenonike. E kishte historicizuar kohën që e paraqiste, periudhën për të cilën rrëfente. Ishte njëra prej detyrave; romani realist i shekullit të nëntëmbëdhjetë e historicizonte momentin e vet në tentimin për ta kapur momentin e vet në terma të evolucionit historik, para dhe pas. Pyeste se “ku jemi?” Tani, mendoj që ai obligim që ilustrohet në shekullin e nëntëmbëdhjetë është obligimi me të cilin përballemi ne sot. Katastrofa ekologjike, shembujt e krizave, për shembull, në Amerikë në veçanti, lëvizja Black Lives Matter, ngritja e së djathtës populiste, e së djathtës neofashiste në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gjitha politikisht trysnuese. Mendoj që ato na kërkojnë që të mendojmë për momentin tonë bashkëkohor në terma historikë, në mënyrë që ta paraqesim atë ashtu siç është. Mirëpo, ne duhet që të mendojmë për momentin tonë bashkëkohor në terma historikë – që të tentojmë ta paraqesim asisoj. Mirëpo, ne duhet që t’i rishpikim mënyrat se si e bëjmë këtë. Ne duhet të rishpikim dhe romansierët duhet që t’i rishpikin mënyrat se si e kornizojnë këtë, mënyrën në të cilën ata e konstruktojnë në mënyrë formale të tashmen si fenomen historik, dhe mënyrat në të cilat, siç po thosha, e tërheqin vëmendjen drejt kornizës të cilën po e përdorin. Dhe duke bërë kështu, ata mund të përdorin jo vetëm teknika realiste, por edhe teknika moderniste ose të ashtuquajturat teknika postmoderniste. Cila është detyra jonë në raport me realizmin – në qasjen tonë ndaj tij? Ju e keni identifikuar një pyetje mjaft të vështirë, sepse pasazhi të cilit i referoheni, mendoj që është nga pasthënia e Fredrick Jamesonit në librin ku ai zhvillon dhe thirret në këtë kategori të realizmit ekzistencialist. Unë kurrë nuk e kam pasur krejtësisht të qartë se çfarë nënkuptonte me atë gjë. Prandaj, në një kuptim, jam personi i gabuar për t’ia bërë këtë pyetje. Mendoj që ai është personi i duhur që duhet ta pyesni. Mirëpo, ajo që do ta thosha unë është që ai, mendoj unë, e konsideron shumë të rëndësishme që ne nuk e flakim krejtësisht këtë subjekt siç nganjëherë postmodernistëve u pëlqente ta bënin. Ata e dekonstruktonin subjektin deri në mosekzistencë. Prandaj, për Jamesonin, dhe do të pajtohesha me të këtu, mendoj që duhet ta përdorim realizmin për ta rehabilituar subjektin – megjithëse subjektin që nuk është i bardhë, mashkull, evropiano-perëndimor apo amerikano-verior. Andaj ky realizëm duhet ta ketë një rol kyç në rishpikje, por në të njëjtën kohë ta shpëtojë subjektin që në shumë mënyra u kritikua nga postmodernistët deri në mosekzistencë. Si mund të jetë “realizmi ekzistencial një e ardhme”? Mendoj që po. Sigurisht. Ka një problem të përkufizimit me të cilin ndeshemi, sepse mund të akuzohem që them së thjeshti: Po, duhet ta zgjerojmë përkufizimin tonë të realizmit. Dhe nëse e zgjerojmë definicionin tonë të realizmit, ne në një pikë e arrijmë një problem i cili është: A vijon të jetë realizëm nëse e zgjerojmë përkufizimin e realizmit duke përfshirë të gjitha llojet e teknikave moderniste? Prandaj e pranoj që ky është një problem. Mirëpo, mendoj që ka mënyra të rishpikjes, siç thoni ju, të realizmit, dhe duke e bërë këtë me një sens të urgjencës që megjithatë i respekton aspiratat e shekullit nëntëmbëdhjetë, dhe që realistët e shekullit nëntëmbëdhjetë i nënvizojnë portretet e të kuptuarit të botës, edhe në sipërfaqe por edhe në thellësi, si mënyrë e përballimit dhe kuptimit të botës – postmodernizmi do të thoshte, e kolapsojnë estetikën e tyre në botë. Realizmi e ruan një lloj distance në mënyrë që të vazhdojë në një pozicion kritik të botës. Dhe mendoj që ne duhet të vazhdojmë me këtë projekt, mirëpo siç thoni ju, duke i rishpikur mënyrat se si e bëjmë këtë gjë. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Arte pamore Instalacioni “Mendoj për Ty” i artistes Xhafa-Mripa u shfaq edhe në hapësirat publike të Strasburgut 5 orë më parë
Kulturë Oasis rikthehet pas 16 vjetësh, Liam dhe Noel Gallagher dalin dorë për dore në skenë 11 orë më parë
Kulturë Kalaja e Gjirokastrës “magnet” për turistët, në 6-mujorin e parë të këtij viti, mbi 100 mijë turistë 1 day