Prania e larme e ngjyrave NULL NULL nga Lum Gashi 30.12.2022 08:40 nga Lum Gashi 30.12.2022 08:40 Ngjyrat vihen në jetë në sytë tanë. Ato nuk ekzistojnë jashtë perceptimit tonë. Më 2018, studiuesi i letërsisë David Scott Kastan publikoi librin “Mbi ngjyrën” me ndihmën e piktorit Stephen Farthing. Kastani të gjithë librin e ndërron mbi premisën që “ngjyra është bashkëpunim midis mendjes dhe botës”, sipas fjalëve të piktorit me nam Paul Cezanne (Poll Sezan) Ai në libër flet specifikisht për të kuqen, të portokalltën, të verdhën, të gjelbrën, të zezën të bardhën, të hirtën, indigon, të purpurtën dhe të kaltrën. Në këto kaptina ai tregon shkurtazi për historitë e tyre, se sa “politike” janë këto ngjyra pos të hirtës, se si janë, me fjalë të mikut të tij, “ontologjikisht të papastra” dhe “figurativisht të turlisojshme” duke i bërë kështu që të shfrytëzohen për çfarëdo metafore. Për të, ngjyra e tejkalon e besa mposht gjuhën, teksa thotë që leksiku i ngjyrës është formësuar nga veçoritë e kulturave. Kastani flet njashtu për ambiguitetin me të cilin manifestohet përjetimi i ngjyrave nga njerëzit por edhe moskokëçarja që ai mëton se i karakterizon artistët për natyrën e ngjyrës, e cila “shënjon ekzistencën sonë emocionale dhe sociale”. David Kastan, profesor i letërsisë Sa ndryshe e shihni ngjyrën kur e hasni në letërsi se kur e hasni në pikturë? Është një pyetje e mrekullueshme. Përgjigja e ashiqarshme është që në letërsi ngjyra është edhe më e ndërmjetësuar se sa që është në pikturë. Është një fjalë në një faqe. Ju duhet që disi ta ftoni përjetimin e ngjyrës që mund të jetë apo të mos jetë ajo që e ka imagjinuar apo parë shkrimtari – dhe si do ta dinit gjithsesi? Prandaj, në letërsi, ngjyra është gjithmonë verbale. Ngjyra është një bashkëpunim midis mendjes, botës dhe kulturës. Prandaj, piktura mua më duke që është radikalisht ndryshe por e varur nga përvoja me ngjyrën. (Stephen) Krane shkruan te Medalja e Kuqe e Guximit që ju e keni një ide për të kuqen në kokën tuaj, mirëpo Krane nuk mund të japë indikacione rreth saj në ndonjë mënyrë tjetër përpos asaj verbale. Pra, në një kuptim, nuk është radikalisht ngjyra fjalë apo ngjyra ide, por është ngjyra përjetim. Në pikturë ju e keni së paku menjëhershmërinë e reagimit tuaj. Por sigurisht, ajo po ashtu është e ndërmjetësuar nga përvojat dhe idetë tjera rreth saj. Ajo që më ka interesuar për ngjyrën – dhe duhet ta them që nuk më kishte shkuar mendja të shkruaja libër për të, por thjesht vazhdoja të vija me pyetje si kjo e juaja – ishte se si dallojnë këto dyja? A janë të njëjta? Si ta di që mënyra se si ju e kuptoni çfarë do të thotë “e kuqe” është vizualisht e kuptimtë? Ju luani me, le të themi, monedha ngjyrash. Thoni, ta zëmë, cila mendoni që është e kuqe? Dhe ne mund t’i shohim përvojat tona duke u mbivendosur, por kjo është një mënyrë jo elegante për ta bërë një gjë të tillë. Pra, përdorimet letrare të ngjyrës më bëjnë përshtypje. Janë verbale, janë figurative, janë kulturore. Mirëpo, në një mënyrë të çuditshme, edhe përjetimet e ngjyrës dhe pikturës nuk janë tërësisht të zbrazura nga kjo. Nuk e di nëse kjo i përgjigjet plotësisht pyetjes suaj. Thoni që “ngjyra pashmangshmërisht e tejkalon gjuhën – e ndoshta e mposht”. Nëpër çfarë ndryshimesh kalojnë ngjyrat kur u nënshtrohen gjuhës? Janë dy gjëra që do t’i thosha për këtë. Njeriu s’mund të bëjë gjë tjetër pos t’i interpretojë. Ne e shohim ngjyrën dhe e procesojmë në ndonjë formë, dhe bash mënyra se si e shohim ngjyrën është njëfarë interpretimi. Njëra prej gjërave për të cilën bën fjalë libri është se çfarë është ngjyra apo ku është ngjyra? Dhe del që na qenka një set i proceseve shumë të vështira për t’u përshkruar dhe për t’u kuptuar. Unë po që mendoj që ngjyra gjithmonë e mposht gjuhën në kuptimin që kemi shumë pak fjalë për ngjyra për një rang të madh të përjetimeve të ngjyrës e që janë ndryshe me delikatesë, apo që janë të dalluara në trurin tuaj. E krejt çfarë kemi janë fjalët që i kemi. Gjuhët e ndryshme kanë fjalë të ndryshme. Nganjëherë më shumë, nganjëherë më pak, por janë pak a shumë sinekdokë. Ne e kemi këtë përjetim. Prandaj e shohim botën – unë po shikoj në dritaren time dhe shoh bar të gjelbër e bojëkafe, dhe disa gjethe portokalli e bojëkafe, dhe një ndërtesë të bardhë. Mirëpo, të gjitha ato fjalë – gjelbër, kafe, portokalli, bardhë – përshkruajnë një rang të plotë të përjetimit të ngjyrës. Disa antropologë, disi sikur në vijë me pyetjen tuaj, erdhën me pyetjen se a ekzistojnë realisht vetëm 11 terma për ngjyrat bazike? Pastaj thanë që termi themelor i ngjyrës është fjala që e përdor për ta koordinuar një set të plotë të ngjyrave të ndryshme por të përjetimit të përafërt të tyre. Ky është një term themelor i ngjyrës. Mirëpo ngjyrë gështenja, ngjyrë allja, janë vetëm nuanca të së kuqes dhe kjo mund të jetë në rregull. Mua po që më duket që këta janë terma bazikë, mirëpo pyetja është se sa të tillë ekzistojnë? Sepse ne në thelb i kemi tre terma bazikë, e bardha, e zeza dhe gjithçka tjetër. Pastaj kemi shumë fjalë që janë disi eksperienciale, kryesisht mbiemërore. Pra ju e keni të gjelbrën si term bazik, mirëpo pastaj e keni të gjelbrën e smeraldit, të gjelbrën e granatës, të gjelbrën e të vjellës. Këto janë vetëm emra të tjerë që në mënyrë mbiemërore tentojnë që ta kufizojnë të gjelbrën. Mirëpo, që të provosh ta bësh këtë me gjuhën, mendoj që kjo është poenta ime e vërtetë. Është shumë, shumë e vështirë dhe është gjithmonë joadekuate që të ketë më shumë nuanca të së gjelbrës se sa që ka fjalë për to. Unë gjithnjë mendoj se kush është personi që punon në kompanitë kozmetike e që ua lë emrat buzëkuqëve. Është pak e çuditshme se si dikush do t’ju paguante për këtë, pra kjo ide që ju mund të jepni emra për të gjitha nuancat e rozës, të kuqes apo të portokalltës që njerëzit i vënë në buzë. Por nuk jam i sigurt që kur dikush e thotë ndonjë version të çuditshëm të së kuqes atëherë kur ju nuk jeni duke e parë atë, që një gjë e tillë ka fare ndonjë kuptim për juve, ose këto kompanitë e ngjyrave që i kanë nga 400 nuanca të së kaltrës apo diçka kështu. Pra, më duket që përjetimi i ngjyrës është vetëm arbitrarisht dhe jo saktësisht i lidhur për ndonjërën prej gjuhëve që e shënjon atë. Sigurisht, kultura të ndryshme, gjuhë të ndryshme i thonë gjërat ndryshe. Do të doja të dija shqip, sepse një gjë që e them në libër është kjo: për shembull, në gjuhën hungareze janë dy terma për të kuqen, piros dhe vörös. Ato realisht nuk shënjojnë përjetime të ndryshme kromatike të ngjyrës, por ato shënjojnë ato që do t’i quaja përjetime emocionale. Nuk është që njëra është ngjyrë e kuqe e çelët e tjetra ngjyrë e kuqe e errët. Piros del të jetë disi një e kuqe jo e komplikuar. Pra, fëmijëria është gjithmonë piros. Një vezë e ngjyrosur me të kuqe e Pashkëve është gjithmonë piros. Mirëpo gjaku është vörös – pra, gjithçka që është një fushë më e ndërlikuar emocionale. Kështu, ka një mënyrë përmes së cilës ka një përjetim imediat të ngjyrës e që është me shumë gjasë i pavarur nga gjuha, por që është gjithmonë në ekses të gjuhës – që përdorim fjalë për të gjitha format, nuancat, dhe lidhjet emocionale që i kemi te/për ngjyrat. Pra, gjuha nuk mund ta kryejë krejt atë punë, e megjithatë është gjëja e vetme që e kemi. Ne e bëjmë më të mirën e mundshme që t’i përshkruajmë me fjalë. Prandaj për këtë ekziston edhe metafora që ekziston për të tentuar që t’i emërtojë gjërat që janë të paemërtueshme, por që nuk janë vetë përjetimi. Ato janë disa konvenca me të cilat pajtohemi dhe që dallojnë nga një komunitet linguistik te tjetri. Flisni për ambiguitetin e ngjyrës. Çfarë liri kreative ua ofron artistëve një gjë e tillë? Për më tepër, si ngjan që ky ambiguitet njëherësh edhe e ndërlikon por edhe e zgjeron komunikimin? Hamendësoj që ideja ime ishte që ai ambiguitet është thjesht në një gjendje në të cilën ngjyra nuk përshtatet aq shumë sa ne donim kulturalisht. Ka shumë shembuj për këtë. Tani do t’i kthehem edhe pjesës së dytë të pyetjes. Këto janë shumë pyetje të mira meqë ra fjala. Pra, në ShBA janë dy partitë politike, Demokratët dhe partitë më progresive dhe liberale e kanë ngjyrën e kaltër, dhe Republikanët e partitë konservative në përgjithësi në Amerikë identifikohen me ngjyrën e kuqe. Ndërkaq, është saktësisht e kundërta në Britaninë e Madhe, ku Partia Laburiste është partia e kuqe, lexuar historikisht, nga Revolucioni Francez e tutje lidhet me revolucionarët, ndërkaq konservatorët që identifikohen me partinë Tory janë të kaltër. Mënyra se si ka ardhur kjo në Amerikë është që disi e kemi kthyer mbrapsht përdorimin që është i zakonshëm në Britani. Dhe përgjigja është, televizioni me ngjyra. Kur ishte televizioni bardh e zi kjo qartazi nuk përbënte problem. Mirëpo pastaj erdhi televizioni kolor. Televizionet e konsideronin se mund të ishte paragjykuese po ta bënin një parti të kuqe e tjetrën të kaltër, për shkak të asocimit me komunizmin apo me Frikën e Kuqe, në kohën kur televizioni u bë i kudondodhur. Prandaj, pasi që të dyja partitë i kishin përdorur që prej fillimit ngjyrat e flamurit amerikan (kuq, bardh dhe kaltër) si pjesë të marrëdhënieve me publikun, televizionet nuk dinin se çfarë të bënin. Kështu, ata vendosën që do ta alternonin çdo katër vjet se cila parti është e kuqja e cila e kaltra. Dhe i bënë këto harta të raporteve zgjedhore. Më 2000, George Bushi përfundimisht mposhti Al Goren në atë kampanjë presidenciale ku kishte pasur zgjedhje të kontestuara dhe kjo punë kishte shkuar në Gjykatën Supreme – mendoj që 36 ditë pas ditës së zgjedhjeve, gjykata më në fund kishte thënë që nuk mund ta vazhdonin rinumërimin e fletëvotimeve në Florida. Pra, për zgjedhjet. Por çfarë ajo kishte nënkuptuar është që për mbi një muaj çdo ditë njerëzit po i shikonin hartat e raporteve zgjedhore, dhe kjo e familjarizoi të kuqen si ngjyrë të Republikanëve sepse ajo ishte ngjyra aksidentale për ato zgjedhje, dhe e kaltra për demokratët. Ama, kur Ronald Reagani më 1980 kishte korrur fitore me lumë votash, pra Republikanët kundër Demokratëve, të gjitha ato harta shfaqnin krejtësisht një hartë të kaltër të Amerikës sepse atë vit Republikanët e kishin ngjyrën e kaltër. Pra, ishte totalisht arbitrare dhe vetëm për shkak që çudia e atyre zgjedhjeve të 2000-tave e solli një gjë të tillë. Prandaj, mendoj që arbitrariteti është qenësor. Ky është funksioni i ngjyrës apo i asaj se si e përdorim. Ju flisni për gjakun e kaltër duke nënkuptuar aristokratët por punëtorët me kollare të kaltër nënkuptojnë klasën punëtore. Pra është totalisht funksion i gjuhës dhe i kulturës. Nuk është i ngulitur në vetë ngjyrën. Ka të bëjë me atë se si përdoret, apo se si përhapet diskursivisht. E ky është një avantazh i madh për piktorët. Ata mund ta përdorin si të duan, pasi arti ka ardhur duke u bërë edhe më abstrakt. Mendoj që për piktorët, kjo është një gjë e mrekullueshme për t’u pasur. I keni këto ngjyra që mund të nënkuptojnë; apo, që domosdo nënkuptojnë; dhe se si e vendosni një ngjyrë në lidhje me një ngjyrë tjetër në të vërtetë e afekton mënyrën se si i shihni ngjyrat – pra janë këto eksperimente të mrekullueshme ngjyrash. Joseph Alberti ishte me shumë gjasë një teoricien shumë i mirë për këtë. Harta elektorale në ShBA (2000) E gjelbra tashmë e përfaqëson ambientin, deri diku vetë jetën. E kaltra dhe e verdha e prodhojnë të gjelbrën. Cila do të ishte e verdha dhe e kaltra juaj që do ta mbante botën të gjelbër? Qenka një ide shumë e këndshme. Unë do të thosha që ju nuk mund të parashkruani asgjë. E gjelbra nënkupton ambientalizëm për një sërë arsyesh politike. Për shembull partitë e gjelbra dhe ngjyra e rritës në pranverë, e gjetheve dhe barit. Në anën tjetër, nëse e shikoni një fotografi të famshme të tokës të shkrepur nga astronautët në hapësirë e të cilën NASA e kishte bërë shumë kohë më parë, Toka duket e kaltër sepse në planet ka më shumë ujë se gjithçka tjetër, shto këtu që uji me shumë gjasë ka për të qenë problemi përkufizues politik në 20-30 vjetët e fundit me ngrohjen globale dhe mungesën e qasjes së lehtë, por ja që nuk është e kaltra simbol i saj. Pra, është një lloj lidhjeje e qartë. E gjelbra që lidhet me rritën e sjell idenë e ambientalizmit, por nuk është e domosdoshme. Përderisa mund ta përziesh të kaltrën dhe të verdhën për ta krijuar të gjelbrën, nuk jam i sigurt nëse mund ta përzieni të kaltrën dhe të verdhën për ta fituar të gjelbrën në ndonjë kuptim politik apo shoqëror. Prandaj, është vetëm një aksident i ngjyrave të pigmentit që ju mund t’i përzieni ato dyja për ta fituar të gjelbrën, por s’mendoj që aty fshihet ndonjë politikë. Nëse ajo që e thonë fizikan se ngjyrat nuk ekzistojnë, atëherë çfarë i bën kjo përjetimit që kemi për to? Ne vërtet që i përjetojmë në plotësi dhe me intensitet të lartë ngjyrat. Jam ulur këtu duke biseduar me juve dhe duke shikuar te një pikturë në murin sipër, dhe është një fotografi që një mik i imi ia kishte bërë oqeanit. Vetëm dallgë që përplasen në breg; është kaltër e bardh. Pastaj janë tërë këto lloje nuancash të së kaltrës që fshihen aty. Ne po që i përjetojmë ngjyrat dhe e dimë që ajo se si e përjetojmë ngjyrën mund të jetë bash e parëndësishme. Fizikanët kanë të drejtë. Nuk ka në fakt asgjë të ngjyrosur në botë, e që tingëllon si diçka e çuditshme për ta thënë. Mirëpo ngjyrat ekzistojnë ndryshe nga gjatësitë. Për një kohë të gjatë njerëzit kanë menduar që ngjyra ishte një atribut i objekteve në botë. Ju shikoni kudo përreth në cilëndo dhomë në të cilën ndodheni tash, dhe shikoni në një tryezë apo pjatë, apo gotë, dhe ato kanë ngjyrë; dhe mendoni se ngjyra ekziston si aspekt i asaj pjate apo i asaj gote. Mirëpo, fizikanët në një mënyrë dinë diçka më mirë se kjo. Kjo nuk është saktësisht e vërtetë. Një vijë që është 15 centimetra e gjatë është 15 centimetra e gjatë, pavarësisht se kush po e shikon atë. Mirëpo, ngjyra e diçkaje nuk është njësoj e pavarur. Ngjyrat ekzistojnë sepse dikush po i sheh ato. Dhe ky është një koncept i vështirë për ta përtypur në tru. Është fizikisht i vërtetë, por mendoj që është eksperiencalisht i parëndësishëm. Është interesant. E dëshmon njërën prej gjërave që më intereson më së shumti e që është që ngjyra është gjithmonë dhe vetëm bashkëpunim. Në historinë e të kuptuarit të ngjyrës, që nga Greqia klasike e deri tani, ka ndodhur vërtet një ndryshim. Antikët kanë besuar që ngjyra është pjesë e objektit – që ngjyra ekziston në botë. Në shkencën e shekullit të tetëmbëdhjetë, ngjyra varej nga drita. Njutoni bëri eksperimentet e tij me prizma, dhe ata filluan të pyesnin: çfarë në të vërtetë është ngjyra? Mënyra se si ngjyra reflekton nga objekti. Ata menduan që ngjyrat ekzistonin disi në dritë. Pastaj, pasi kuptuam më shumë për syrin e trurit, pamë që nuk është saktësisht as ajo. Ka të bëjë me dritën që pranohet nga syri dhe që pastaj transmetohet te truri e që e prodhon përjetimin e ngjyrës. Kjo është prej të qenët e ngjyrës në botë te ngjyra që vërtet prodhohet nga vetëdija e që është me shumë gjasë një mënyrë më e saktë e përshkrimit se çfarë e prodhon ngjyrën. Por kjo nuk e ndryshon përjetimin që e kemi ndaj ngjyrës. Ne prapë themi që është diku aty. Kështu e përjetojmë ne. Fizikanët kanë të drejtë. Neurobiologët kanë të drejtë. Mirëpo, nuk jam i sigurt që kjo ka rëndësi aq shumë në sensin e përditshmërisë përpos si një lloj vërtetimi i këtij bashkëpunimi radikal. Kjo më duket mua se çfarë është ngjyra gjithmonë. Walter Benjamini thotë që ngjyrat duhet të shihen, dhe kjo mua më duket që është truizëm, por ai ka të drejtë. Nëse nuk shihet, nuk ekziston në asnjë mënyrë të caktuar. Sigurisht, ka specie të tjera në Tokë që shohin ngjyra të ndryshme nga ne. Pra, çfarë do të thotë kjo për atë se çfarë mendojmë që është ngjyra? Ne jemi ata që kemi fjalë për ngjyrat, me ç’rast ne supozojmë që ajo që mendojmë që është e kaltër, dhe ajo që mendojmë që është e portokalltë, janë normative. Mirëpo, një karkalec i sheh ato ngjyra krejtësisht ndryshe, vetëm se nuk e ka një gjuhë për t’i përshkruar ato.