Ai që nuk dinte të dashuronte NULL NULL 09.12.2015 09:20 09.12.2015 09:20 Vitet ’60 në Amerikë ishin seks, rock & dhe Harold Robins – kjo fjali ishte gjithçka që dija për autorin rreth 12-13 vite më parë, kur lexova librin “Mos dashuro kurrë një të huaj”. Vite më vonë, mora në dorë atë që cilësohet si kryevepra e tij dhe që vjen me shqipërimin mjeshtëror të Amik Kasoruhos. “Ai që nuk dinte të dashuronte” është një libër voluminoz. Libri është një pasqyrë shumëdimensionale e një Amerike në periudhën që nga fillimi i shekullit XX deri pas Luftës së Dytë Botërore, duke përfshirë edhe gjigantin e industrisë amerikane – kinemanë. “Ai që nuk dinte të dashuronte” u publikua në vitin 1961 dhe mendohet të jetë libri i katërt më i shitur në histori. Në kohën kur u botua libri bëri një revolucion të vërtetë, madje me koston e ndalimit në disa vende për shkak të përmbajtjes së lartë seksuale. Robins ia doli të përshkruajë në këtë libër çdo lloj marrëdhënieje seksuale. Libri bëri kaq shumë zhurmë në kohën kur u botua për herë të parë, sa madje një kritik tha se nuk duhej të ishte shtypur në letër, por në muret e banjave publike. Në ditët e sotme, përmbajtja erotike mund të duket e vakët dhe e mërzitshme, por në vitet ’60 të shkruaje dhe të botoje diçka të tillë nuk ishte e zakonshme. “Ai që nuk dinte të dashuronte” është i ndarë në disa seksione ose libra brenda librit, që mbajnë titujt e personazheve kryesore. Figura kryesore është Xhonas Kord, një trashëgimtar i pasur dhe ambicioz, i rritur mes të mirave materiale, por i mbushur me zemërim ndaj të atit që nuk diti kurrë t’i shfaqte dashuri, si dhe sepse u martua me të vetmet grua që donte i biri. Kur i ati vdes, Xhonas betohet se do të bëhet më i suksesshëm se ai dhe ia arrin qëllimit… por me një çmim të lartë. Xhonas i kishte të gjitha, para, sukses, pushtet, femra e megjithatë ishte përherë i vetmuar. Librat e tjerë përshkruajnë historitë e njerëzve përreth Xhonasit dhe lidhjet e tyre me këtë të fundit: Nevada Smith – burri që u përkujdes për Xhonasin që fëmijë, Dejvid Vullf, nënpresidenti i kompanisë kinematografike të Kordit dhe dy nga gratë me të rëndësishme në jetën e Kordit: Rina – e veja e të atit, që më vonë u shndërrua në një yll filmash dhe Xheni – një prostitutë e shndërruar në një aktore filmash të lehtë. Te libri “Ai që nuk dinte të dashuronte” jepet historia e Xhonas Kordit, historia e suksesit të tij në sfondin e një Amerike që rritej e zhvillohej. Rreth tij vërtiten ëndrra, zhgënjime, kontrata, suksese, lavdi, dhimbje, dëshpërim, kurajë. Të gjitha janë njerëzore!/botimeshqip/