Evropa duhet t’i kishte dëgjuar shtetet baltike për Rusinë 123 string(12) "Edward Lucas" string(58) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2022/10/lukas.jpg" nga Edward Lucas 26.10.2022 15:12 26.10.2022 15:12 Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, mbajti një fjalim gjatë një debati mbi rolin e BE-së, pas pushtimit rus të Ukrainës, në Parlamentin Evropian në Strasburg, Francë, 9 mars 2022. Nuk është e sjellshme, siç u shpreh kryeministrja estoneze Kaja Kallas, në muajin qershor, të thuash: “Të thashë”. Por fakti është se Perëndimi, kishte një “problem me Rusinë” shumë kohë përpara se të kishte një “problem Putin”. Shtetet baltike paralajmëruan Evropën dhe pjesën tjetër të botës për këtë. Bota nuk dëgjoi. Dhe njerëz të tjerë, kryesisht ukrainas, kanë paguar një çmim të tmerrshëm si rezultat. Filloi shumë përpara pushtimit rus të Ukrainës. Gjatë gjithë Luftës së Ftohtë, shtetet baltike e kuptuan gjithmonë paligjshmërinë e thellë të projektit perandorak të Bashkimit Sovjetik. Ndërsa disa në Perëndim kërkuan kompromiset cinike të realpolitikës, estonezët, letonët dhe lituanezët, vazhduan rezistencën e armatosur ndaj pushtimit sovjetik edhe në vitet 1950. Gjatë gjithë viteve të mëvonshme, ata mbajtën lëvizje aktive disidente që shpërthyen në opinionin publik sapo u hoq karapaca e represionit. Si një korrespodent i ri i huaj që mbulonte vitet e fundit të perandorisë sovjetike, pashë politikanë pro-pavarësisë në Estoni, Letoni dhe Lituani, që paralajmëronin Perëndimin që të mos merrte seriozisht premtimet e liderit të atëhershëm sovjetik, Mikhail Gorbachev, për liberalizimin. Në vitin 1990, ndërsa ai ende po luftonte për të mbajtur të bashkuar Bashkimin Sovjetik, Gorbaçovi vizitoi Vilniusin, me shpresën e dukshme për të bindur Lituaninë, të pushtuar nga trupat sovjetike në vitin 1940, për të mbështetur planet e tij për reforma. Lituanezët nuk do të kishin asgjë. Nëse premtimet për ndryshim ishin të sinqerta, argumentuan ata në atë kohë, atëherë ato do të përfshinin lejimin e shteteve baltike të vendosnin vetë për fatin e tyre. Komentatorët dhe vendimmarrësit perëndimorë prireshin të tundnin gishtat në mënyrë qortuese ndaj atyre që ata i shihnin si “koka të nxehta” baltike. Me siguri ata duhet të shohin tablonë e madhe: Pse t’i japim Gorbaçovit, gjoja të arsyeshëm edhe më shumë probleme me “nacionalizmin” e tyre? Ajo thjesht do të ushqente “vijën e ashpër” në Moskë, dëshira e të cilëve për të mbajtur perandorinë sëbashku, kërcënonte ta kthente orën në ditët e errëta dhe të rrezikshme të Luftës së Ftohtë. Por kritika baltike doli e saktë. Reformat e Gorbaçovit nuk trajtuan paligjshmërinë themelore të kontrolleve perandorake të Bashkimit Sovjetik mbi kombet e robëruara. Kur grushti i shkurtër i vijës së ashpër në Moskë dështoi të ndalonte të pashmangshmen në gusht 1991, Estonia, Letonia dhe Lituania riafirmuan pavarësinë e tyre të paraluftës dhe filluan rrugën e gjatë të kthimit drejt sigurisë dhe prosperitetit. Por lëvizja e gishtave perëndimor vazhdoi pa pushim. Këto vende duhet të akomodojnë interesat ruse, u tha atyre, duke u dhënë të drejta të privilegjuara gjuhësore dhe të qytetarisë, kolonëve të epokës sovjetike të bllokuar nga kolapsi i Bashkimit Sovjetik, edhe pse pushtimi ushtarak nga forcat ruse vazhdoi deri në fund të gushtit 1994. Në vitin 1993, Sergei Karaganov – një skifter i politikës së jashtme dhe këshilltar i Kremlinit – argumentoi se Rusia duhet të përdorë mjete ushtarake dhe mjete të tjera për të mbrojtur “rusishtfolësit” në shtetet baltike dhe gjetkë. Megjithatë, “rusishtfolësi” nuk është një kategori politike; për të parë absurditetin e asaj që u bë e njohur si “doktrina Karaganov”, mund të imagjinohet që Britania, të ndërhyjë në Indi në emër të “anglishtfolësve”. Pavarësisht paralajmërimeve prej vitesh nga shtetet baltike, naiviteti dhe lakmia perëndimore kanë hapur rrugën për katastrofën më të madhe humanitare në Evropë në tetë dekada. Në kulmin e “dashurisë” perëndimore me Rusinë post-sovjetike në vitin 1994, i ndjeri Lennart Meri – atëherë presidenti estonez – mbajti një fjalim parashikues në Hamburg, në të cilin ai theksoi largimin e Rusisë nga demokracia, neo-imperialiste e saj, tendencat dhe – akoma më shqetësuese – injorancën e Perëndimit për të. Ai i tha audiencës së shquar ndërkombëtare se ai dhe kolegët e tij estonezë “shikojnë me një shqetësim se sa pak Perëndimi e kupton atë që po prodhohet aktualisht në hapësirat e Rusisë”. Ndërsa Meri, e zgjeroi temën e tij, kreu i delegacionit rus ishte aq i indinjuar sa i çoi kolegët e tij në një dalje, duke përplasur në mënyrë demonstrative derën pas tij ndërsa largohej. Ai zyrtar rus, nuk ishte askush tjetër veçse Vladimir Putin. Ai në atë kohë ishte në krye të marrëdhënieve ekonomike me jashtë për qytetin e Shën Petersburgut, i cili që nga marrja e pushtetit në Moskë, shpesh herë është thirrur në doktrinën Karaganov, për të justifikuar ndërhyrjen ruse në shtetet post-sovjetike. Kjo kulmoi me ndërhyrjen ruse në Ukrainën lindore, në vitin 2014 dhe tani me sulmin e intensifikuar në të gjithë Ukrainën duke filluar në shkurt. Por për dekada para luftës aktuale, shtetet baltike përjetuan presion sistematik ekonomik; luftë informative, veçanërisht përmes stacioneve televizive në gjuhën ruse; subversion që përfshin para të pista dhe presion nga krimi i organizuar; dhe elementë të tjerë të asaj që tani quhet “luftë hibride” ruse. Ata paralajmëruan Perëndimin, me të drejtë, se këto taktika mund të përdoren edhe kundër vendeve të tjera; paralajmërimet e tyre shkuan pa u vënë re. Anëtarësimi në NATO solli një lehtësim të shkurtër nga presioni rus. Por një sulm kibernetik ndaj Estonisë në vitin 2007, sulm ky i sponsorizuar nga shteti, nga hakerat rusë, ndërpreu kompjuterët dhe rrjetet jetike të qeverisë, shënoi një pikë të re dhe siç theksuan liderët estonezë, shkeli një tabu. Shumica e vendeve perëndimore ishin ende të prirura për të rivendosur raporte si zakonisht. Shtetet baltike theksuan gjithashtu rrezikun e rezultatit të samitit të NATO-s, të prillit 2008 në Bukuresht, ku aleanca lëshoi një premtim me “gjysmë zemre” për Ukrainën dhe Gjeorgjinë, se ato përfundimisht do të bëhen anëtarë, pa marrë asnjë angazhim politik për përmbushjen e këtij premtimi. Putin u përgjigj duke thënë se Ukraina do të shkatërrohej nëse do të kërkonte anëtarësimin në NATO. Baltikët e morën seriozisht këtë kërcënim, duke shtuar përpjekjet e tyre për të ndihmuar Ukrainën. Shumica e anëtarëve të tjerë të aleancës e lanë mënjanë paralajmërimin si retorikë të thjeshtë. Shtetet baltike ishin më pas në ballë të përpjekjeve për të mbledhur mbështetje për Tbilisin, gjatë luftës së shkurtër Rusi-Gjeorgji në gusht 2008. Ata paralajmëruan se përdorimi i forcës së armatosur nga Rusia kundër një vendi tjetër shënoi një precedent ogurzi. Përsëri, ata u injoruan. Stërvitja ushtarake ruse “Zapad” ( Perëndimi) në vitin 2009, e cila përsëriti pushtimin e shteteve baltike, ishte një tjetër thirrje zgjimi. Por megjithëse NATO zhvilloi plane emergjence për mbrojtjen e shteteve baltike si përgjigje, shumë zëra në aleancën perëndimore paralajmëruan kundër reagimit të tepruar. Kapja e Krimesë nga Rusia në vitin 2014 nxiti një rimendim të vonuar perëndimor rreth synimeve dhe aftësive të Kremlinit. Shtetet baltike më në fund panë forcat e NATO-s, të njohura si “Prania e përparuar e përforcuar” e aleancës, të vendosura për të penguar agresionin rus. Planet e emergjencës për mbrojtjen e Baltikut u përpunuan më tej. Por prania e NATO-s në rajon mbeti e dobët, duke u mbështetur kryesisht në përforcimet e SHBA-së, që do të vendoseshin në rast të ndonjë telashe. Sulmi i ripërtërirë i Rusisë në Ukrainë, në shkurt ka sjellë një shfajësim të mërishëm. Në një intervistë me transmetuesin kombëtar të Finlandës, kryeministrja Sanna Marin, tha: “Dua të pranoj hapur se ne mund të kishim dëgjuar më shumë miqtë tanë në Baltik kur flisnin për Rusinë në dekadat e fundit”. Ky ishte një lloj shpërblimi për 30 vite gjatë të cilave vendimmarrësit finlandezë patronuan dhe injoruan fqinjët e tyre jugorë, duke e hedhur poshtë agresivitetin e tyre ndaj Rusisë si rezultat i “stresit traumatik post-sovjetik”, siç tha presidenti i atëhershëm finlandez, Tarja Halonen, në lidhje me Estonia në 2008. Por shumica e vendeve ende nuk e kanë pranuar vetëkënaqësinë dhe arrogancën e tyre në të kaluarën. Gjermania ka pasur vështirësi të veçanta për ta bërë këtë, pavarësisht shumë viteve në të cilat liderët gjermanë u përqendruan në tregtinë dhe mundësitë e investimeve në Rusi, duke veshur interesat e tyre personale me fjalë shenjtërore për “dialog” dhe “afrim”. Vendimmarrësit gjermanë talleshin hapur me ata që i paralajmëruan për rreziqet e varësisë nga gazi natyror rus ose aftësinë e Kremlinit për të përdorur diasporën e madhe rusisht-folëse si kolonën e pestë në zhvillimin e luftës së informacionit. Kjo çështje e pranimit të këtyre gabimeve në gjykim nuk është vetëm një çështje e drejtësisë historike abstrakte. Naiviteti dhe lakmia perëndimore kanë hapur rrugën për katastrofën më të madhe humanitare në Evropë në tetë dekada. Dhjetëra mijëra njerëz janë të vdekur. Miliona janë të zhvendosur dhe të traumatizuar. Kostoja financiare është tashmë në triliona. Dhe e gjithë kjo ishte e shmangshme, nëse “Perëndimi i vjetër” kishte përdorur qoftë edhe një pjesë të fuqisë së tij diplomatike, ekonomike dhe ushtarake për të mbështetur Ukrainën në muajt para shkurtit. Kjo nuk ishte një katastrofë e rastësishme, e ngjajshme me një fatkeqësi natyrore. Ishte rezultati logjik i trajektores së Rusisë që nga vitet 1990. Shtetet baltike paralajmëruan Evropën dhe Perëndimin për këtë. Dhe askush nuk dëgjoi. Ata mund të jenë shumë të sjellshëm për ta vënë në dukje këtë. Por kjo nuk duhet të zbehë turpin, tërbimin dhe pikëllimin që meriton injoranca e qëllimshme e Perëndimit. Autori i kolumnes Edward Lucas është, gazetar, autor, mendimtar dhe konsulent me katër dekada përvojë në sigurinë evropiane. Ai është autor i pesë librave, duke përfshirë “Lufta e Re e Ftohtë”. Dikur shkruante për Economist, tani shkruan një kolumnë për Times dhe është një anëtar i lartë jorezident në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane. (Botuar në worldpoliticsreview.com, përkthyer nga Klankosova.tv)