Albana Kashoxha boton librin e parë me poezi “Zemra e Shprehur” NULL NULL nga Hekuran Sokoli 05.10.2022 14:04 nga Hekuran Sokoli 05.10.2022 14:04 Poetja nga Ulqini, Albana Kashoxha, e ka botuar librin e saj të parë “Zemra e Shprehur” me 51 poezi të përzgjedhura. Në një intervistë për Klankosova.tv, ajo ka treguar se e gjen inspirimin në ngjarjet e përditshme të jetës dhe se me poezitë e saj ajo prek tematika të ndryshme. “Unë këtu nuk kam bërë ndonjë lloj promovimi për shkak të kohës së limituar, por lajmin për publikimin e librit e kam ndarë me ‘TV Teuta’, ‘Koha Javore’ dhe disa platforma të tjera online”. Krijuesja thotë se nëse ka interesim, disa ekzemplarë të librit të saj mund t’i sjellë edhe në Kosovë. “Unë me poezi merrem qysh në moshën fëmijërore, por nuk kam pasur shumë kohë për shkak të angazhimeve tjera. Ndërsa poezitë e përmbledhura në këtë libër i kam shkruar për një periudhë tre mujore. Pra të gjitha janë poezi të reja”. Albana Kashoxha – autore e librit “Zemra e Shprehur” Ajo shkruan për padrejtësitë e jetës, dëshpërimin, gabimet, dashurinë e vrarë, ndjenjat e ndrydhura dhe tema të tjera nga jeta e përditshme. “Ka dashuri, ka tema të jetës së përditshme. Vetë titulli ‘Zemra e Shprehur’ tregon se ka të bëjë me temë jetësore. Mund të them se 70 për qind të tyre mund të cilësohen si autobiografi”. “Më tepër më frymëzojnë ndodhitë e jetës. Unë më së liri e ndjej veten kur shprehem me poezi – jeta e përditshme me inspiron më tepër”. Edhe pse në maj të këtij viti botoi librin e saj të parë, Albana nuk e ka ndërmend që të ndalojë me kaq, pasi që shkrimi është një pasion i vërtetë i saj. “Jam duke shkruar vazhdimisht. Libri i parë është ky, por në vitin e ardhshëm planifikoj ta botoj edhe librin tjetër”. Përveç poezisë, Kashoxha merret edhe me tekste muzikore, të cilat ajo ende nuk i ka publikuar në ndonjë platformë, por se synon t’i publikojë atë në një rast më të mirë. Albana Kashoxha ka mbaruar shkollën e mesme për turizëm në Ulqin. Pasionin dhe talentin e saj për poezinë e ka shprehur qysh në fëmijëri. klankosova.tv