Nano mbushi 70 vjeç, pse nuk e mori asnjë urim nga liderët kosovarë? NULL NULL nga Hekuran Sokoli 16.09.2022 15:16 nga Hekuran Sokoli 16.09.2022 15:16 Ish-kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano sot feston ditëlindjen e tij të 70-të. Derisa pati shumë figura politike të Shqipërisë që ia uruan atij ditëlindjen, si për shembull kryeministri aktual, Edi Rama, në Kosovë pothuajse askush prej udhëheqësve politikë nuk u kujdes për një gjë të tillë. Fatos Nano – ish-kryeministër i Shqipërisë “Edhe 100 kryetari ynë dhe vetëm përpara, me shëndet, humor e harmoni në familjen tënde, po edhe me punë të mira e të tjera fitore në këtë familjen e përbashkët politike, që do të ketë gjithnjë nevojë për mbështetjen e këshillat e tua”, ka shkruar Rama në llogarinë e tij në Facebook. Lidhur me këtë çështje, Klan Kosova i ka intervistuar ish-përfaqësuesin e Kosovës në Shqipëri gjatë viteve të 90-ta, Skënder Zogajn, si dhe njërin prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhavit Halitin, dhe ka marrë dy versione krejtësisht të ndryshme. Sipas Skënder Zogajt, Fatos Nano është i padashur për shqiptarët e Kosovës për shkak se në vitin 1997 ai ka zhvilluar një takim me liderin serb Sllobodan Millosheviq në Kretë të Greqisë ku sipas tij, ka biseduar për çështjen e Kosovës pa e përfillur udhëheqësin e atëhershëm politik të Kosovës, Ibrahim Rugovën. Skënder Zogaj – ish-përfaqësues i Kosovës në Shqipëri gjatë viteve të 90-ta “Politikanët dhe shoqëria kosovare jemi alergjik ndaj Fatos Nanos për arsye se në kohën më të vështirë, pa një bashkëpunim paraprak me faktorin politik të Kosovës ka pranuar kontaktin me Sllobodan Millosheviqin në Greqi dhe është përpjekur që të bisedojë në lidhje me Kosovën”. “Opinioni ynë në Kosovë e konsideron një gjë të tillë si akt brutal të një ndërmjetësimi të paautorizuar që të bisedojë për Kosovën. Në këtë takim Fatos Nano e sheh Kosovën si çështje të Serbisë me Beogradin si kryeqytet. Atëbotë e ka anashkaluar udhëheqësin politik Ibrahim Rugovën”, tha Zogaj. Por, Xhavit Haliti ka tjetër vlerësim për ish-liderin socialist. Xhavit Haliti – njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “Kosovarët e kanë zhvilluar një fushatë të egër kundër Fatos Nanos e cila është e padrejtë dhe e paargumentuar – kanë bërë propagandë linçuese ndaj tij. Unë personalisht ia kam uruar ditëlindjen e 70-të dhe ai është dekoruar nga presidenti Hashim Thaçi për merita të veçanta për çlirimin e Kosovës”, vlerëson Haliti. Sipas tij, është e papranueshme që liderët kosovarë nuk e kanë ftuar asnjëherë Nanon në vizitë këtu, e as mediet për të zhvilluar intervistë me të. “Duke e pasur parasysh këtë unë e kuptoj se e kanë problem edhe sot që është 70 vjeç të bisedojnë me të. Vlerësimi që ia kanë bërë sot politikanët e Shqipërisë duke përfshirë edhe ata që e kanë kundërshtuar dikur, është një praktikë që duhet ta bëjnë edhe politikanët e Kosovës”. “Kosovarët duhet ta mësojnë të vërtetën se çfarë udhëheqësi ka qenë dhe se cili ka qenë qëndrimi i tij në raport me Kosovën. Qe 30 vite e kanë linçuar mediat kosovare dhe politikanët e Kosovës. Ai është kapacitet i papërballueshëm për çdo politikan si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri”, vlerëson ai. Por, ky mohon të ketë pasur Rugova armiqësi me Nanon. Madje, kujton se e ka ftuar në dasmën e djalit. “Nanon e ka vlerësuar Rugova. Ibrahim Rugova një kohë e ka pasur aleat Sali Berishën dhe është normale. Por Fatos Nano kur e ka takuar [Ibrahim Rugovën] e ka quajtur vëlla në takim – nuk e ka pritur si kundërshtar dhe në dasmën e djalit të Rugovës ai ka qenë i ftuar”, kujton ai. Fatos Nano me Doklen e Zenelin në banesën e Xhavit Halitit në vitin 1992 Haliti, që personalisht ka miqësi të vjetër me Nanon, i sheh të paarsyeshme kritikat ndaj ish-kryeministrit shqiptar, me Millosheviqin në Kretë. “ Sa i përket takimit të Kretës, unë besoj se ai takim ka qenë një betejë e një udhëheqësi të Shqipërisë ndaj udhëheqësit të Serbisë – aq sa e di unë ai [Nano] ia ka thënë troç Mlloshevicit të vërtetën për Kosovën”. Sipas tij, vetëm pse takohen dy kryeministra, nuk do të thotë se aty është shitur diçka. Ai tregon se takimi i udhëheqësve mund të ndodh edhe nëse vendet e tyre janë në gjendje lufte. Në fund, Haliti ia ka përcjellë Klan Kosovës urimin të cilin ia ka dërguar Nanos për ditëlindjen e 70-të të tij. “I dashur Fatos, me rastin e ditëlindjes suaj, dua t’ju uroj edhe shumë vite me shëndet e të lumtura, dua si gjithnjë t’ju falënderoj për gjithçka që keni bërë për të mirën e Kombit!”. klankosova.tv