Rivalë në lojë, por miqësorë në tifozëri (VIDEO) NULL NULL 07.06.2022 00:08 07.06.2022 00:08 Kishte javë që priste mjeshtrin t’ia ndreqte veturën. Kjo pritje ra sebep për Kushtrim Reshitajn që bashkë me Gazmend Sylën ta nisnin një aventurë të përbashkët që i endte në të dyja anët e Kosovës – dy herë në Therandën e Reshitajt, e dy herë në Mitrovicën e Sylës. Syla ngiste për në destinacionin e njëjtë ndonëse me bashkudhëtarin e tij dëshirat i kishin të ndryshme. Ata i përcollën të katër përballjet e klubeve të zemrës në basketboll me një dashamirësi dhe sportivitet që rridhte në kuadër të një fryme të re të tifozërisë sportive në Kosovë. Të tifozërisë së filtruar nga sharjet e ndërsjella mes grupeve të tifozëve, e sa më larg edhe prej dhunës fizike që shpesh herë e ka zbehur atmosferën sportive në vend, kryesisht në futboll e basketboll. Klubi suharekas, Golden Eagle Ylli, e mbrojti titullin kampion, mirëpo Trepça la tifozët e vet me entuziazmin se vite të mira janë përpara për njërin prej klubeve me historinë më të bujshme në basketbollin kosovar. Golden Eagle Ylli i mori dy fitore në Mitrovicë, e Trepça një në Therandë – në paqe. Misioni i të dyja klubeve dhe i të dyja tifozërive, Xhebrailave dhe Torcidës, kësaj radhe dukej të ishte përtej basketbollit. Mision ishte ta dëshmonin që tifozëria mund të ishte po aq e fortë edhe si brohoritje e dëlirur nga fyerjet; se pasioni në parket e në tribuna mund të ekzistonte edhe duke e konsideruar lojën si lojë – e jo si një luftë të njëmendtë.