Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Buka me sheqer – shijon kaq shumë por dhe efekte anësore

NULL NULL
30.06.2021 19:40

Ushqimi i përgatitur në shtëpi, mbetet ende një ndër vaktet më të preferuara në shtëpitë shqiptare.

Kjo ndonëse ndikimi i ri perëndimor shtyn brezin e ri për të ngrënë në ambiente të jashtme, përcjell klankosova.tv.

Megjithatë, është një ushqim tejet tradicional për të cilin shumë prej jush keni dëgjuar e mbase dhe si fëmijë, shpesh e keni shijuar – buka me sheqer.

Është një nga recetat e thjeshta që kushtet e rënda ekonomike në familjet shqiptare, shtynin që të kryenin të paktën ‘’një vakt’’ të të ushqyerit për anëtarët e familjes.

”Bukë e sapo dalë nga furra me sheqer dhe vaj sipër” – është ajo çfarë fëmijët e shumë gjeneratave më parë, mund ta kenë shijuar thuajse çdo ditë para se të dilnin për në shkollë, të luanin apo edhe të shkonin të kullosnin bagëtinë.

Por, sa është e shëndetshme një meny e tillë ushqimi, tregon nutricistja Diola Dosti.

Ajo për klankosova.tv thotë se ndonëse shijonte shumë një pjatë e tillë, është një gjë aspak e shëndetshme.

”Buka me sheqer ka qenë një lloj pjate e kohës kur ne nuk kemi pasur mjaftueshëm ushqim për të mbushur barkun, dhe ka qenë ushqim i preferuar i fëmijëve sepse në atë kohë nuk kemi ditur shumë formula, apo receta të ëmbëlsirave kështu që… marrim sheqerin hedhim në bukë i hedhim një çik vaj sipër, dhe ajo ka qenë receta më e thjeshtë”.

”Ky nuk është një vakt aq më tepër nuk duhet quajtur vakt, sepse të zëvendësohet buka me sheqer një vakt, është një gjë aspak e shëndetshme. E kemi bërë për shkak të nevojës, sepse nuk kemi pasur ushqim tjetër për ta zëvendësuar”.

”Nuk kemi marrë karbohidrate mjaftueshëm, nuk kemi pasur ëmbëlsues të tjerë. Por gjithsesi ka një efekt anësor sepse mund të krijojë varësi – ky është problem më i madh që sheqeri krijon varësi dhe aq më tepër sot, në ditët e sotme nuk është më ajo buka me sheqer nuk shijon më njësoj sepse edhe sheqeri më nuk është njësoj. Sot kemi sheqerna të rafinuar, sheqer të bardhë i cili ndoshta nuk nxirret me të njëjtat metoda dhe nuk e ka origjinën e njëjtë si sheqeri që mund të kemi ngrënë para 20 vitesh apo 30 vitesh”.

Sipas saj të ngrënit bukën me sheqer ka goxha efekte anësore, përcjell klankosova.tv.

”Sigurisht që ka, jo vetëm që krijon varësi, por gjithashtu nuk lejon fëmijët që të mësoj shijen e frutave të ndryshme në mënyrë që ta marri sheqerin në formën e tij natyrale. Kështu që fëmijët nuk marrin sheqerin që vjen nga frutat duke marrë edhe elektrolitet edhe mineralet edhe vitaminat edhe fibrat që mund të kenë frutat, por marrin sheqerin e rafinuar i cili me kalimin e kohës mund të krijojë edhe probleme me pjesën e mëlçisë sepse mëlçia është laborator i organizmit tonë, aty ku sintetizohen edhe karbohidratet edhe sheqernat dhe ngarkesa me këto sheqerna të rafinuara sigurisht nuk i bëjnë mirë laboratorit tonë”.

”Sasia e sheqerit mund të ketë efekte anësore sidomos në pjesën e mëlçisë”.

”Por, duke krijuar një mjedis acidik, duke ngrënë ushqime që janë shumë të sheqerosura, ne krijojmë një mjedis acidic dhe ky mjedis do të thotë të jesh shumë pranë sëmundjeve të ndryshme. Mos të harrojmë edhe një gjë tjetër, që kanceri e dashuron sheqerin”.

”Dhe ne çdo ditë krijojmë faktikisht qeliza kancerogjene, që kanë një fazë rritjeje dhe me anë të procesit të apoptozës (vdekje e programuar e qelizave) por nëse ato shumohen e dashurojnë sheqerin kështu që ka efekt të tillë anësor, duke mbingarkuar mëlçinë duke krijuar varësi dhe tek personat që kanë tashmë të krijuara qelizat kancerogjene, ato zhvillohen më shumë duke krijuar qeliza kancerogjene dhe duke krijuar mjedis acidik”.

Njëherit dietologe, Diola Dosti, tregon edhe për sasinë e përdorimit të sheqerit tek gratë, por edhe tek burrat.

”Sa i përket masës së sheqerit, nëse flasim për gratë mund të konsumojnë deri në maksimum gjashtë lugë kafe me sheqer, kurse për burrat deri në nëntë lugë kafe maksimumi”.

”Sidomos në Kosovë e dimë që sheqeri mund t’i trefishojë dozat e përdorimit krahasuar me këtë masën që thash dhe kjo nuk është aspak një gjë e mirë”.

Tutje për klankosova.tv, Diola Dosti përmend që kjo recetë ushqimi ishte traditë por e detyrueshme për shkak të kushteve jo të mira ekonomike.

”Edhe tradita, por tradita ka ardhur si pasojë e mospasjes, si pasojë e mungesës së ushqimeve të caktuara”.

”Patjetër të janë të dyjat bashkë – sepse edhe kushtet e rënda ekonomike, nuk kemi pasur mundësi atëherë që të bëjmë fillimisht receta të ndryshme sepse s’kemi pasur kontakte me jashtë”.

”Pastaj me hapjen e kufijve jashtë neve kemi lëvizur dhe shqiptarët kanë marrë shumë receta turke, kanë marrë shumë receta italiane, greke e me radhë dhe në këtë formë kemi përdorur edhe recetat e tyre, por kemi përdorur edhe recetat tona tradicionale, por që në rastin e bukës me sheqer, për mendimin tim janë kushtet ekstreme të rënda ekonomike”.

 

klankosova.tv

lajme të ngjashme