Ademi për “Lesportiu”: Ne njihemi nga UEFA e FIFA, thjesht vetëm duam të luajmë futboll NULL NULL 31.03.2021 13:37 31.03.2021 13:37 Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka folur në prag të ndeshjes Spanjë – Kosovë për të përditshmen sportive katalane, “Lesportiu”. Sipas Ademit është sfidë për t’ia dëshmuar vetes se Kosova mund të garojë kundër pjesës tjetër të planetit dhe se futbolli i Kosovës mund të përparojë tani me një ekip të ri. Tutje ai është pyetur për atë që Spanja nuk e njeh Kosovën si shtet. “Si një federatë futbolli ne nuk mund të përfshihemi në politikë, ne e kemi njohjen e FIFA-s dhe UEFA-s dhe thjesht duam të mendojmë për të luajtur futboll. Ne nuk presim ndonjë problem përtej kësaj, ekziston një protokoll i qartë i ndeshjeve ndërkombëtare. E vërteta është se ne nuk i kushtojmë shumë vëmendje asaj që është përtej futbollit”, ka shtuar Ademi, përcjell Klan Kosova. Tutje gazetari katallan ka pyetur presidentin Ademi nëse mendon se situata në Katalonjë, ku një pjesë e madhe e popullsisë do të dëshironte të ishte e pavarur, mund të ndikojë në pozicionin e Spanjës për Kosovën? “E ritheksoj se nuk është detyra jonë të flasim për politikë, e lëre më për çështje që prekin vendet e tjera. Ne nuk jemi një parti politike dhe qëllimi ynë i vetëm tani duhet të jetë promovimi i futbollit tonë”. Në fund, ai ka folur edhe për talentet dhe synimet e FFK-së. “Ne kemi një strategji shumë të rëndësishme në lidhje me zhvillimin e futbollistëve, kemi punuar me shkolla dhe klube futbolli për një kohë të gjatë dhe përpiqemi të trajnojmë futbollistë dhe kjo në një të ardhme të afërt mund të ketë ndikim, jo vetëm në ekipin tonë kombëtar, por gjithashtu edhe në ligat më të mëdha, të tilla si La Liga. Duhet theksuar se në ekip kemi lojtarë që janë rritur jashtë vendit, por edhe të tjerë si Milot Rashica (Werder Bremen) dhe Vedat Muriqi (Lazio), të cilët kanë lindur dhe zhvilluar në Kosovë dhe mund të jenë frymëzim për të rinjtë tanë, të cilët mund ta shohin se ky rrugëtim është i arritshëm”.