Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Beteja globale e 2020-ës me koronavirusin (VIDEO)

NULL NULL
nga Iliri Pireva 02.01.2021 21:57

Puna e tyre po vëzhgohej nga krejt bota.

Të gjithë ishin në pritje të një zbulimi potencial që mund ta bënin shkencëtarët e i cili në njëfarë mënyre do ta shpëtonte njerëzimin.

Nëse do t’ia dilnin ta prodhonin vaksinën anti COVID, atëherë puna e tyre, pa ndonjë dyshim, e merr epitetin e njërës nga shpikjet më të rëndësishme në histori të mjekësisë.

Për këtë, në projekte të ndryshme, por me të njëjtin qëllim u angazhuan më shumë se 100 ekspertë nga krejt bota, përfshirë profesorë, shkencëtarë dhe kompani farmaceutike.

Garën e zbulimit jetik e fitoi kompania amerikane “Pfizer” në bashkëpunim më atë gjermane “Biontech”. Vaksina e tyre u tha se është deri në 95 për qind efektive kundër koronavirusit.

Britania e Madhe e aprovoi e para atë dhe nuk vonoi për t’ua dhënë më të moshuarve dhe personelit mjekësor.

Dy javë më pas, njëjtë veproi edhe Gjermania ku të parën vaksinë në Berlin e dha mjeku kosovar Fatmir Dalladaku.

Në radhë erdhën edhe pjesa tjetër e Evropës dhe Amerika – ku COVID-19 kishte bërë namin gjithë vitin duke infektuar njerëz deri më 29 dhjetor.

Në nivel global, koronavirusi mori jetën e rreth 2 milionë njerëzve, ndërsa infektoi më shumë se 81 milionë të tjerë.

Virusi u shfaq fillimisht në Kinë. Zona Wuhan në këtë shtet të madh aziatik raportoi rastin e parë më 17 nëntor 2019, si një pneumoni të pazakontë.

Nuk u desh shumë kohë që të shpërndahet dhe më 11 janar u raportua vdekja e parë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se bëhet fjalë për një lloj të ri nga familja e koronavirusit.

Nuk vonoi e COVID-19 kapërceu kufijtë e Kinës dhe më 13 janar u raportua një rast në Tajlandë. Ishte një grua që ishte konfirmuar me virus pas një udhëtimi në Wuhan.

Tre ditë më pas, virusi ia doli të hyjë edhe në Japoni. I infektuar ishte një burrë që, po ashtu, pati qëndruar në zonën kritike të Kinës.

Pas pak ditëve, në Wuhan vdiq edhe personi i dytë.

Ky ishte një sinjal që Amerika të nisë kontrollin e rreptë të pasagjerëve që vinin nga Kina.

Por, sëmundja nuk u mbajt e izoluar, megjithatë.

Virusi, që nga OBSH-ja u emërtua si COVID-19, u shpërnda gjithandej botës dhe u shpall pandemi.

Më së shumti u godit Italia që u bë epiqendër e infektimeve dhe vdekjeve në Evropë dhe glob. Qysh në muajin e parë, ky shtet tejkaloi rastet e Kinës.

Vendet në kontinentin e vjetër dhe gjetiu nisën të karantinohen.

Gjendja u përkeqësua nëpër spitale, saqë raportohej se të moshuarit liheshin të vdisnin për t’iu mundësuar shërim të mundshëm atyre që ishin më të rinj.

Situata bëri që bota ta njohë njërën prej periudhave më të ndritshme të vullnetarizmit, jo vetëm nga mjekët dhe infermierët. Këta të fundit u konsideruan heronj të luftës me armikun e padukshëm epidemik.

Eskalimi i infektimeve bëri që të mbyllen shkollat dhe kinematë, si dhe të ndërpriten aktivitetet sportive. Funksionuan, dhe atë me orar të shkurtuar, vetëm barnatoret dhe dyqanet ushqimore.

Në këso situate domosdo që kris kriza ekonomike.

Bizneset nisën të mbylleshin dhe shumë njerëz mbetën pa punë. U desh intervenimi i shtetit për të ndihmuar.

Por, pavarësisht se po zgjerohej, virusi nuk u mor seriozisht nga presidenti amerikan, Donald Trump, që kishte vetëm një kërkesë modeste për qytetarët e vendit të tij.

Por, kur e pa çfarë po ndodhte, atij iu desh të mbyllë kufijtë me Evropën dhe Kinën.

Në situatën e re nisi të merret më shumë dhe disi më çuditshëm me pandeminë. Në një rast, ai kërkoi të gjendet një mënyrë që rrezet ultra-vjollcë dhe dezinfektuesi të futen në trupin e njerëzve përmes një injeksioni.

Pothuajse i madh e i vogël e konsideruan si të rrezikshme këtë kërkesë të Trumpit që personalisht po vazhdonte të ishte i pakujdesshëm në raport me sëmundjen.

Sidoqoftë, nuk ia doli të mbrohet, pasi edhe vetë u infektua në fillim të tetorit bashkë me Zonjën e Parë, Melania Trump.

COVID-19 nuk kurseu as liderë të tjerë botërorë si puna e kryeministrit britanik Boris Johnson që iu desh t’i kalojë tri ditë në kujdes intensiv.

Shumë kohë më vonë, në muajin dhjetor, u kap nga virusi edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Për shkak të frikës nga përhapja e mëtutjeshme e kësaj sëmundje, ky dhe udhëheqësit tjerë nga e gjithë bota morën vendime drastike për të ndaluar festimet në masë të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

Kështu, për herë të parë në shume vite, këto dy kremta u varfëruan për shkak të një virusi të padukshëm.

lajme të ngjashme