Sazan Ibrahimi: Gastronomia ishte një ndër vatrat e përhapjes së Covid-19 (VIDEO) NULL NULL 06.07.2020 18:26 06.07.2020 18:26 Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka bërë të ditur se në takimin virtual që ka zhvilluar sot me Kryeministrin Avdullah Hoti, ka qenë konstatim i përbashkët që gastronomia ishte një ndër vatrat e përhapjes së Covid-19. Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, Ibrahimi ka thënë se edhe gastronomët nuk i kanë respektuar me përpikëri rekomandimet e institucioneve të shëndetësisë dhe për këtë arsye Qeveria i ka shtrënguar masat në këtë drejtim. “Sot e patëm takimin e parë me kryeministrin Hoti, ishte një takim virtual me kryetarët e komunave, ka qenë një takim shumë konstruktiv ku i diskutuam shumë haptas problemet rreth përhapjes së Covid-19 dhe masat e reja që u morën mbrëmë nga Qeveria”. “Këshilli i kryetarëve i përkrahi të gjitha masat e reja dhe kryetarët e komunave së bashku me Hotin premtuan që masat që janë të parapara nga vendimi i mbrëmshëm do të respektohen”. “Ky ishte një bashkëpunim i drejtpërdrejt i nivelit qendror me nivelin lokal dhe ato masa janë diskutuar edhe me 4 komunat që kanë hyrë në këtë orarin e ri”. Ai ka thënë se një bashkëpunim i tillë i nivelit qendror me nivelin lokal do të sjellë rezultate. “U diskutua edhe për gastronominë, ku mund të themi se Asociacioni i Komunave të Kosovës ka qenë pishtar duke kërkuar nga niveli Qendror që masat sa i përket liberalizimit të masave rreth gastronomisë të hyjnë sa më shpejt dhe gastronomia të lirohet sa më shpejt nga ato masa që ishin marrë para 1 qershorit”. “Është konstatuar se tre muaj ditë gastronomia nuk ka punuar. Kryetarët e Komunave përmes Asociacionit të Komunave kanë kërkuar që gastronomia të lirohet nga ato masa”. “Prej 1 qershorit u liruan ato masa dhe ishte konstatim i përbashkët i Kryeministrit Hoti me kryetarët e komunave që gastronomia ishte një ndër vatrat e përhapjes së infeksionit dhe për këtë arsye kjo masë ka hyrë në fuqi që në ditën e sotme”. Sazan Ibrahimi ka treguar se gjatë ditës ka zhvilluar edhe një takim me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqin, me të cilin kanë biseduar rreth bizneseve në tërësi. “Është konstatuar që kjo gjendje është e tanishme dhe nuk do të thotë që pas një kohë nuk do të rishqyrtohen masat”. klankosova.tv