30 vjet burgim ndaj të akuzuarit në rastin “Çekiçi” NULL NULL 12.10.2022 15:47 12.10.2022 15:47 Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 30 vjet burgim të akuzuarin Gëzim Retkoceri, për akuzën se vrau tani të ndjerin N.H, në prill të vitit 2009 në Lipjan. Sipas aktgjykimit, në dënimin me burgim, të akuzuarit Retkoceri do t’i llogaritet edhe koha e paraburgimit prej 30 prill 2009, deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit. Të njëjtit i konfiskohet në mënyrë të përhershme vetura e tipit “Golf 2”. Po ashtu, i akuzuari obligohet t’i paguajë shpenzimet e procedurës, në emër të paushallit gjyqësor 500 euro dhe 50 euro në emër të fondit të viktimave të krimit. Pala e dëmtuar udhëzohet në kontest civil. Kurse, kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese pas plotfuqishmërisë së tij. Retkoceri akuzohej se më 29 prill 2009, së bashku me një person të panjohur me nofkën “Qeli”, e kishin privuar nga jeta tani të ndjerin N.H, ashtu që pas rrëmbimit të ndjerin e kishin goditur me mjete të forta në kokë, duke ia lidhur këmbët dhe duart, e ku më pas viktimës ia kishin djegur trupin me qëllim të fshehjes së gjurmëve. Në këtë rast, i akuzuar për vrasje të rëndë në bashkëkryerje ishte edhe Osman Spahiu, por pas ricilësimit në fjalën përfundimtare të shqyrtimit të kaluar gjyqësor nga ana e prokurores Fikrije Krasniqi-Fejzullahu, Spahiu ishte akuzuar për dhënien e ndihmës në kryerjen e kësaj vepre penale, për çka edhe e kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me 10 vjet burgim. Ndërkaq, Retkoceri ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 30 vitesh./BetimipërDrejtësi