Strategjia e Presidentit Trump uvertyrë e Rendit Ndërkombëtar dhe Sfidat Strategjike në Evropën Juglindore 123 string(14) "Albert Prenkaj" string(61) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2025/12/IMG_3622.png" nga Albert Prenkaj 08.12.2025 17:55 08.12.2025 17:55 Bota ka përjetuar transformime më të thella në katër vitet e fundit sesa gjatë tri dekadave pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Sistemi ndërkombëtar karakterizohet gjithnjë e më shumë nga përhapja e konflikteve të armatosura, polarizimi gjeopolitik dhe dobësimi i institucioneve demokratike. Lufta e Federatës Ruse kundër Ukrainës, paqëndrueshmëria e vazhdueshme në Lindjen e Mesme dhe konfliktet e shumta në kontinentin afrikan dëshmojnë se epoka e supozuar e rendit liberal ndërkombëtar ka hyrë në një fazë të thellë krize. Me gjithë pritshmëritë që pasuan rënien e Murit të Berlinit, demokracia liberale dhe ekonomia e tregut nuk u konsoliduan si modele universale. Përkundrazi, elementët që dikur konsideroheshin si faktorë integrues të globalizimit – tregtia ndërkombëtare, energjia, teknologjia dhe qarkullimi i informacionit – janë shndërruar në instrumente konkurruese dhe përçarëse. Siç thekson Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, gjeopolitika aktuale po strukturohet rreth blloqeve të reja – Perëndimi, Lindja dhe Jugu Global – ndërsa fuqitë e mesme si Brazili, India, Nigeria, Arabia Saudite, Afrika e Jugut dhe Turqia po luajnë një rol gjithnjë e më vendimtar në përcaktimin e ekuilibrave ndërkombëtarë. Paralelisht, Strategjia e Shteteve të Bashkuara sinjalizon një rikthim të theksuar te Doktrina Monroe përmes të ashtuquajturit “Trump Corollary”, me synimin për të forcuar dominimin amerikan në hemisferën perëndimore. Kjo qasje thekson angazhimin e partnerëve rajonalë si instrument kyç për ruajtjen e stabilitetit dhe parashikon mbështetje politike dhe ekonomike për aktorët shtetërorë dhe jo-shtetërorë që janë në përputhje me parimet dhe interesat strategjike amerikane. Në këtë kuptim, bashkëpunimi me Shtetet e gatshme dhe të afta për t’u harmonizuar me strategjinë e SHBA-së mbetet një element përcaktues i politikës së saj të jashtme në vitet në vijim. Në këtë kontekst, Kremlini ka shprehur vlerësime pozitive ndaj orientimit të strategjisë së sigurisë kombëtare të administratës Trump, duke e perceptuar atë si të përafruar me interesat strategjike ruse. Deklaratat zyrtare nga Moska theksojnë gatishmërinë për dialog dhe përmirësim të marrëdhënieve dypalëshe, në një kohë kur negociatat mbi një zgjidhje të mundshme të konfliktit në Ukrainë vazhdojnë, pavarësisht se lufta ende nuk ka përfunduar. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta konsiderojnë Evropën si një partner kyç strategjik dhe kulturor. Marrëdhëniet ekonomike transatlantike mbeten një shtyllë themelore e ekonomisë globale, ndërkohë që lidhjet historike dhe kulturore, veçanërisht me Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën, vazhdojnë të kenë peshë të konsiderueshme në politikën e jashtme amerikane. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse anëtarët e ardhshëm të NATO-s, sidomos ata jashtë Evropës, do të ndajnë të njëjtin perceptim strategjik mbi aleancën dhe SHBA si një ndër themeluesit e saj. Si pasojë, Evropa po përballet me nevojën për të rritur autonominë e saj strategjike në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj këtyre zhvillimeve duke intensifikuar përpjekjet për forcimin e kapaciteteve të tij mbrojtëse. Rritja e investimeve në mbrojtje dhe nxitja e bashkëpunimit ndërkufitar përfaqësojnë elementë kyç të këtij procesi. Programi SAFE, me një vlerë prej 150 miliardë eurosh dhe i financuar përmes huamarrjes së përbashkët, paraqitet si një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të kapaciteteve evropiane, megjithëse kufizimet mbi pjesëmarrjen e plotë të Mbretërisë së Bashkuar mbeten një çështje e debatueshme. Në perspektivë afatmesme, krijimi i një mekanizmi të përbashkët evropian të mbrojtjes dhe zhvillimi i një industrie panevropiane të mbrojtjes shihen si komponentë thelbësorë për garantimin e sigurisë kontinentale, edhe pse Strategjia Trump 2025 nuk e sheh nga ky prizëm. Brenda këtij mjedisi strategjik në ndryshim, Ballkani Perëndimor paraqitet si një rajon me rëndësi të veçantë gjeopolitike. Pyetja kryesore është nëse rajoni është institucionalisht dhe politikisht i përgatitur për të përballuar sfidat e rendit të ri ndërkombëtar dhe për të kontribuar në mënyrë konstruktive në stabilitetin evropian. Serbia, me gjithë përfshirjen në negociata strategjike me Shtetet e Bashkuara, po përballet me tensione të brendshme të vazhdueshme që thellojnë polarizimin politik dhe shoqëror. Doktrina e ashtuquajtur “Bota Serbe” interpretohet nga shumë aktorë rajonalë si një strategji për zgjerimin e ndikimit kulturor, ekonomik dhe të sigurisë së Serbisë në Ballkanin Perëndimor. Kjo qasje perceptohet si një formë e re hegjemonie rajonale dhe shihet në kontrast me doktrina të tjera konkurruese në Evropën Juglindore. Sjellja politike ndaj Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës ka ngritur pikëpyetje serioze rreth perspektivës evropiane të Serbisë dhe implikimeve për sigurinë rajonale dhe evropiane. Paralelisht, politikat e ndjekura nga qeveria në Kosovë gjatë viteve të fundit kanë rezultuar në masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian dhe në pezullimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara. Në këtë kuadër, rifillimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë paraqitet si një domosdoshmëri strategjike. Pas formimit të institucioneve të reja qeverisëse në Kosovë, të dyja palët duhet të angazhohen në negociata gjithëpërfshirëse që adresojnë zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, Aneksit të Ohrit (2023) dhe marrëveshja e Dhomës Ovale të Shtëpisë së Bardhë, e vitit 2020. Objektivi përfundimtar i këtij procesi duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme, e bazuar në njohjen substanciale reciproke, e cila do të kontribuonte në stabilitetin dhe sigurinë afatgjate të Evropës Juglindore.