Rikthehet në operim njësia A5 e Termocentralit “Kosova A” NULL NULL 08.02.2026 12:56 08.02.2026 12:56 Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se njësia A5 e Termocentralit Kosova A është rikthyer me sukses në operim në orët e mëngjesit të sotëm. Sipas njoftimit zyrtar nga KEK-u, rikthimi i njësisë A5 është bërë pas sanimit të suksesshëm të rrjedhjeve të paraqitura ditë më parë, duke përmbushur të gjitha kushtet teknike dhe të sigurisë për vazhdimin e operimit të rregullt. KEK shton se aktualisht, Termocentrali Kosova A operon me tri njësi gjeneruese aktive, duke kontribuar në sigurimin e prodhimit të qëndrueshëm me energji elektrike. “KEK Sh.A. shpreh falënderim të veçantë për stafin teknik dhe gjithë punonjësit e Termocentralit Kosova A, për angazhimin profesional, punën e palodhshme dhe reagimin e shpejtë në adresimin e situatës teknike. Korporata Energjetike e Kosovës – KEK Sh.A. mbetet e përkushtuar ndaj operimit të sigurt, stabil dhe të përgjegjshëm, në funksion të interesit publik dhe sigurisë energjetike të vendit”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.