15:00, 22 Prill 2017 Autor: Bosko Jaksic

Portali KoSSev nis një rubrikë të re në kuadër të faqes Dialog, e cila përbëhet edhe nga rubrikat “Nga ana tjetër e barrikadës” dhe “Bisedë pa shkas”.

Në rubrikën “Në lidhje të drejtpërdrejtë”, kolumnet e tyre javore në muajt në vijim do t’i publikojnë analisti nga Prishtina, Shkëlzen Maliqi, dhe analisti i politikës së jashtme, gazetari nga Beogradi Boshko Jakshiq (Boško Jakšić). Kolumnet e tyre do të publikohen edhe në gjuhën shqipe, në portalin e Klan Kosovës.

Versioni në serbisht i kësaj kolumne mund të lexohet KETU.

Kolumna 2 nga Shkelzen Maliqi “Dialogu nuk ka alternative” ne shqip dhe serbisht

Kolumna 2 nga Boshko Jakshiq “Në rrugën prej A në B, Thaçi e humbi ushtrinë” në shqip dhe serbisht

Kolumna 1 nga Shkëlzen Maliqi “Çrregullimi i Ri Botëror”, në shqip dhe serbisht.

Kolumna 1 nga Boshko Jakshiq “Pse e kaluara nuk mund të bëhet histori” në shqip dhe serbisht.

Këtë rubrikë e ka mbështetur KFOS-i. Mendimet dhe qëndrimet e shprehura paraqesin mendimet dhe qëndrimet e autorëve dhe nuk përfaqësojnë doemos qëndrimet e donatorit.

 

= = = = = = = =

 

Bosko Jaksic: Uniforma dhe buka me rriska

 

Pak polemikë kurrë nuk pengon.

I nderuari Shkëlzen Maliqi në tekstin: “Ku shpie Dialogu i Brukselit”, shkruan se unë, duke shkruar në temë e themelimit të Ushtrisë së Kosovës, kam vërejtur “një harresë dhe gabim” të Presidentit Hashim Thaçi, pasi ishte bërë cak i Uashingtonit dhe Brukselit.

E saktë! Mbes me konstatimin që Misioni i KFOR-it, i cili garanton paqen, sigurinë dhe kufijtë e Kosovës për kohë të pacaktuar, disi e bën çështjen e Ushtrisë së Kosovës – nëse jo të panevojshme, së paku të parakohshme. I takoj grupit të atyre të cilët konsiderojnë që derisa KFOR-i është funksional, “Kosova në të vërtetë nuk ka nevojë imediate për ushtri të vetën”. Pse Perëndimi tash iu kundërvu idesë – të cilën në parim e mbështet – ia atribuoj brengës për rritjen e tensioneve në mbarë regjionin, pas të cilave qëndrojnë nacionalizmat e rinj-të vjetër.

Plotësisht e kuptoj që Kosova si shtet në ndërtim dëshiron të siguroj sa më shpejtë sovranitetin e plotë dhe se krijimi i ushtrisë paraqet kërkesë legjitime. Kuptoj që Ushtria e Kosovës përjetohet si një nga atributet kryesore të shtetësisë, por sinqerisht nuk kuptoj pse kjo nguti. Nuk jam kundër idesë që Kosova t’i transformoj forcat e veta të sigurisë në ushtri të rregullt, por pyes veten nëse prioritetet emocionale të vërtetimit të shtetësisë duhet të mbizotërojnë mbi realitetet ekonomike dhe realitetet tjera.

Të shikojmë fillimisht nga aspekti i sigurisë, i cili duket të jetë argumenti kryesor për krijimin e ushtrisë. Kosova ka ambicie që një ditë të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO, por edhe nëse Kosova nuk është në NATO, NATO veçse është në Kosovë ku mbron shqiptarët dhe serbët. Për dallim nga Serbia, politika zyrtare e së cilës është kundër anëtarësimit në aleancën ushtarake perëndimore, edhe pse bashkëpunon me të me shumë sukses, Kosova tashme ka kaluar gjysmën e rrugës sa i përket anëtarësimit.

Kjo nënkupton që Kosova ka forcat të cilat i garantojnë sigurinë, sovranitetin dhe integritetin territorial. Fakti që formulimet e këtilla nuk ekzistojnë në Rezolutën 1244 është tërësisht jorelevant. Edhe vet Kushtetuta e Serbisë e ka atë Preambulën e famshme për Kosovën e cila është në papajtueshmëri të plotë me realitetin në teren.

Pasi jemi te realiteti, a mendon ndokush me të vërtetë se ushtria e Kosovës, ashtu si është projektuar me trupa, armatim dhe buxhet, do të ishte në gjendje t’i bënte ballë seriozisht dhe në afat të gjatë ndonjë rreziku nga jashtë?

Maliqi shkruan: “Çështja e Kosovës u imponua edhe për shkak të rritjes së tensioneve strategjike dhe të sigurisë në regjion dhe në kontinent”. Duket se politikanët në Prishtinë mendojnë njëjtë si politikanët në Beograd, të cilët publikun në mënyrë konstante e frikësojnë me po të njëjtat “tensione në regjion”, grusht shtete dhe konspiracione që përgatitën diku jashtë.

Në ditët e fundit të fushatës, kandidati presidencial Aleksandër Vuçiq e lansoi njërin nga spotet e shumta, në të cilin porosit: Nuk do ta lejojmë skenarin maqedonas në Serbi.

Aluzioni në paradhomën e luftës qytetare është i qartë, por pas atij qëndron një mashtrim kolosal. Mesazhi është: mos dilni në rrugë, mos u ankoni kundër pushtetit se në të kundërtën – do ta keni Shkupin në Beograd. Po të njëjtin argumentim kundër demonstruesve e përdorte Nikolla Gruevski duke u orvatur të ruaj pushtetin e tij prej një dekade, andaj duket si te ketë shkruar personalisht Gruevski tekstin e Vuçiqit. Asgjë e çuditshme.

Pushtetarët autokratik i ngjasojnë shumë njëri tjetrit. Ata shfrytëzojnë maksimalisht demagogjinë e lirë, e kur i duket që as kjo nuk mjafton, kur rezistenca ndaj pushtetit fillon të rritet dhe në horizont paraqitën liderët e opozitës të cilët rrezikojnë ose kërcënojnë t’i rrezojnë, fillojnë të frikësojnë popullin me konspiracione, paratë e Sorosit, destabilizimet, grusht shtetet dhe konfliktet e brendshme. Për të mbrojtur popullin e tyre, investojnë në ushtri.

Natyrisht, secili person i arsyeshëm mendon që ushtria e Kosovës nuk do të ishte ndonjë fuqi e madhe dhe e rrezikshme, kërcënuese– pajtohem me Maliqin – siç duan ta paraqesin zyrtarët në Beograd. Por, pasi të kenë bërë përgatitjet e artilerisë në teren, po të njëjtit zyrtar i shkruajnë vetvetes arsyetimin për recetën e fuqizimit/forcimit të ushtrisë.

Në Beograd janë thjesht të magjepsur me furnizimin me 30 tanke të vjetra dhe gjashtë aeroplan luftarak MIG-29. Prandaj pyetja e njëjtë që ja parashtroj Prishtinës vlen edhe për pushtetin e Serbisë: A me të vërtetë besojnë se kjo është forca e mjaftueshme që garanton mbrojtjen? A nuk ishin mu këta MIG-29 cak i lehtë për forcat e sofistikuara luftarake ajrore të NATO-së gjatë sulmeve mbi RF të Jugosllavisë në vitin 1999? A nuk ka Serbia punë më të rëndësishme sesa të shpenzojë 200 milion euro në riparimin e MIG-ëve?

Pse Sllovenia paguan Italinë që t’i ruajë qiellin në rast të konfliktit eventual? A nuk është kjo shumë më e arsyeshme sesa të investohet në teknikë gjysmë të vjetërsuar ushtarake sepse është e vështirë që vendet si Serbia ose Kosova ndonjëherë të zotërojnë mjete financiare për tu furnizuar me armatimet më bashkëkohore?

Më kujtohet kur një student në Prishtinë, pas provimit të kaluar kishte pyetur profesorin: “Më tregoni, a është çmimi i pavarësisë dy dollarë në ditë?”. Para pak kohësh kam dëgjuar se në jug të Serbisë, diku rreth Vranjës, shitet buka – me rriska.

Prandaj mendoj se për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë – dy vende që ballafaqohen me probleme serioze ekonomike, korrupsion dhe varfëri – është shumë më përfituese të investojnë në zhvillim, prodhim ose projekte sociale në vend se të ndajnë mjete të mëdha financiare në armatimin e ushtrive të tyre.

Ushtritë lokale vështirë se mund të jenë mbrojtje efikase këtu, në kohërat e ndonjë konflikti më të gjerë. Fatkeqësisht, më parë mund të shërbejnë për politika të caktuar të çmenduara dhe aventuristë që burojnë na “Zulu-historiografia”, siç e quan kolegu i im Svetisllav Basara, duke sqaruar që kjo historiografi i ngjan shumë Zulu-etikës, “e cila mëson së është e mirë (në kontekst metafizik) kur ne i marrim me dhunë lopët dhe gratë fisit tjetër, ndërsa është shumë mizore kur fisi i tjetër na i merr me dhunë lopët dhe gratë. Kjo është historiografia e të denigrimit masovik të intelektit dhe të mbulimit të vulgaritetit i cili sheh vetëm pasojat, e cila në mënyrë tendencioze (për arsye të politikës ditore) anashkalon shkaqet dhe e cila – kur transponohet në politikë – në mënyrë të pashmangshme shpie në përsëritjen e pafund të pasojave, të cilat sipas rregullit janë tragjike”.

Besoj se në botën çfarë është sot, mbrojtje të vërtetë bëjnë aleatët e fuqishëm. Nuk ka nevojë të kapardisemi me uniforma dhe epoleta. Nisma e Thaçit është e ngutur jo sepse nuk e mori mbështetjen e Perëndimit, por sepse nuk përgjigjet në pyetjen: A ka Kosova kapacitet të financojë një ushtri të rregullt, e që kjo të mos shkoj në dëm të qytetarëve të cilat, kisha thënë, kanë prioritete të tjera?

 

(Nga gjuha serbe tekstin e përktheu Bruno Neziraj)

Lajme të tjera