Ker-Lindsay: Opozita kosovare mes mbrojtjes së shtetit dhe rrezikimit të tij NULL NULL 16.11.2015 10:00 16.11.2015 10:00 Kanë kaluar dy muaj prej kur Parlamenti i Kosovës nuk mban seanca të rregullta. Opozita kosovare është zotuar se nuk do t’i lejojë ato derisa Qeveria të mos tërhiqet nga dy marrëveshje të nënshkruara prej saj – me Serbinë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe me Malin e Zi për Demarkacionin. Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, Qeveria e vendit i ka falur tokë Malit të Zi me shënimin e vijës kufitare me shtetin fqinj dhe ka shkelur aktin më të lartë juridik në Kosovë kur ka nënshkruar për themelimin e një bashkësie të komunave serbe, e cila, sipas tyre, bie ndesh me Kushtetutën e vendit në të paktën pesë Nene të saj – 113, 79, 18, 40 dhe 42. Opozita nuk lëviz nga këto qëndrime, por statik është edhe pozicioni i Qeverisë. Ata që udhëheqin me shtetin e kanë bërë tashmë të qartë se nuk e kanë ndërmend t’i tërheqin nënshkrimet nga këto marrëveshje. Si rezultat, jeta parlamentare është e bllokuar. Ky bllokim është përmendur edhe nga Komisioni Europian në Raportin e Progresit për Kosovën, i cili i matë përparimet e bëra gjatë një viti dhe rekomandon në formë këshilluese zgjidhjet potenciale aty ku ka ngecje. Njëri ndër rekomandimet e tij për sivjet ishte ndalja e veprimeve bllokuese të Opozitës, sepse “aksionet e tilla janë kundër vlerave europiane”. Hulumtuesi i Lartë në London School of Economics dhe eksperti për Europën Juglindore, James Ker-Lindsay, në një intervistë për KlanKosova.tv, ka deklaruar se veprimet e opozitës për ta penguar jetën parlamentare nuk janë të duhura. “Përpjekjet për të penguar punën e parlamentit nuk përfaqësojnë asgjë më shumë se sa tentime për t’i minuar themelet e demokracisë në Kosovë. Këto parti (LVV, AAK, NISMA), duke krijuar pengesa të tilla kanë treguar se nuk kanë absolutisht respekt për institucionet e shtetit, apo për traditat e një demokracie parlamentare”, pohoi Ker-Lindsay. Sipas tij, “është koha që Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të marrin një qëndrim më të ashpër kundrejt atyre që po provojnë ta ndalin miratimin e këtyre ligjeve me mënyra të dhunshme dhe aspak demokratike”. “Mirëpo, kjo nuk do të thotë se deputetët opozitarë s’kanë të drejtë t’i shprehin opinionet e tyre. Ata duhet ta kenë të drejtën që ta thonë atë që e mendojnë. E drejta e fjalës së lirë nuk duhet të kufizohet”. “Por këtu bëhet fjalë për mbrojtjen e një shtylle fundamentale për ndërtimin e demokracisë, siç është respekti për institucionet. Në aspektin afatgjatë, Opozita me këto veprime që po bën është kërcënim shumëfish më i madh për Kosovën dhe destabilizimin e saj sesa Asociacioni që po pretendojnë ta ndalin me veprimet të dhunshme”. Autori i librit “Kosovo: The Path to Contested Statehood in the Balkans”, shprehet shumë i ashpër me Lëvizjen Vetëvendosje. Sipas tij, ky subjekt politik është parti joliberale e udhëhequr nga ide nacionaliste. “Më është dukur gjithmonë ironike që një parti e cila quhet ‘Lëvizja Vetëvendosje’ e ka treguar respektin më të vogël të mundshëm për të drejtat universale të njerëzve që të vetëvendosin për të ardhmen e tyre. Ajo s’është parti liberale sa i përket avokimit të të drejtave të njeriut në shoqëri. Për më tepër, veprimet e pjesëtarëve të saj kanë treguar se është parti nacionalistësh dhe ekstremistësh”. “E kuptoj që ata janë të shqetësuar për vendimet e Qeverisë. Por, me retorikën dhe sjelljet që kanë, në të vërtetë po i shkaktojnë dëm reputacionit të tyre si dhe pozitës ndërkombëtare të Kosovës”, deklaroi Ker-Lindsay për KlanKosova.tv. Ai madje pohoi se Marrëveshjet në Bruksel mbase e kanë theksuar problemin politik, por rrënjët e tij në Kosovë janë shumë më të thella. “Në shikim të parë, kriza është shkaktuar nga përpjekjet e Qeverisë që ta kalojë legjislacionin e nevojshëm për ta themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Megjithatë, mendoj se në Kosovë burimet e kësaj krize janë shumë më të hershme. Vetë ideja e demokracisë ka ende nevojë që të zë rrënjë”, ka thënë ai, duke shtuar se politika nuk nënkupton marrjen e pozicioneve ekstreme dhe stopimin e funksionimit të shtetit. “Kushdo që merret me politikë duhet ta dijë se në demokraci duhet të jesh konstruktiv dhe paqësor ndaj këndvështrimeve tjera, të ndryshme, me anë të të cilave tentohet të gjendet rruga më e mirë përpara”. James Ker-Lindsay ka përshtypje pozitive për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ai mendon se kjo bashkësi komunash paraqet një organizëm të brishtë politikisht, por shumë të rëndësishëm në përmirësimin e raporteve Kosovë-Serbi. Gjithashtu, edhe për idenë se Kosova është vend konstruktiv në raport me bashkësinë ndërkombëtare. “Besoj se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është një hap shumë i rëndësishëm për Kosovën. I kam dëgjuar të gjitha deklarimet se kjo bashkësi do ta shkaktojë ndarjen e Kosovës dhe do ta bëjë Kosovën si Bosnja. Kjo është tërësisht e gabuar. Ditët kur ndarja e Kosovës ishte një opsion shumë serioz kanë kaluar qysh moti”. “Në fakt, Asociacioni është shumë më i dobët sesa që është pritur. Në një pikë, kjo bashkësi komunash mund ta kishte arritur formën e një strukture autonome. Mirëpo, në formën se si është planifikuar tash, do të jetë një trup relativisht i dobët. Nuk paraqet absolutisht asnjë rrezik për integritetin territorial të Kosovës”. “Sidoqoftë, Asociacioni paraqet një shembull shumë të rëndësishëm karshi botës se Kosova me të vërtetë e respekton zërin e serbëve që jetojnë atje dhe ka vullnet që t’i lejojë ata ta kenë fjalën e tyre në çështjet që ua ndikojnë jetën e përditshme. Nuk jam i sigurt nëse ata që po ankohen për themelimin e kësaj bashkësie e kuptojnë domethënien e saj. Apo ndoshta e kanë të qartë, por vetëm po e përdorin këtë çështje në një mënyrë të përshtatshme për t’i ndezur ndjenjat nacionaliste”. I pyetur se si e sheh ai fundin e krizës politike në Kosovë, profesori thotë se është tejet e zorshme edhe të supozohet se çfarë mund të ndodhë kur qëndrimet janë kaq të ngurta. Madje, sipas tij, kriza do të mund të vazhdojë edhe nëse Asociacioni do të formohet. “Është e vështirë që të thuhet se si do të përfundojë. Duke iu referuar çështjes kryesore që e ka shkaktuar këtë krizë, të krijohet ndjesia se edhe nëse legjislacioni miratohet dhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe krijohet, opozita ende mund të provojë që ta pengojë funksionimin e tij”. “Shpresoj se kjo s’do të ndodhë. Kjo do të ishte shumë e rrezikshme për Kosovën, si në aspektin e stabilitetit të saj të brendshëm, po ashtu edhe për rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE”. “Në një kuptim më të gjerë, kriza aktuale vë në pah faktin se proceset demokratike dhe institucionet në Kosovë ende duhet konsoliduar”. “Ka nevojë të bëhet më shumë punë”, tha Ker-Lindsay për KlanKosova.tv. klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Crosetto pas takimit me Maqedoncin: Do të bashkëpunojmë me FSK-në për të mbështetur sigurinë në rajon 1 orë më parë
Kosova Maqedonci informoi homologun italian për mbështetjen që Kosova po i ofron Ukrainës 2 orë më parë
Kosova Maqedonci pas takimit me homologun italian: Kosova në NATO do të garantonte stabilitet dhe paqe në Ballkan 3 orë më parë