Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Dorëzohet në polici personi që shtiu me armë nga selia e PDK-së

NULL NULL
09.03.2016 15:12

Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një personi që  ka shtënë me armë nga dritarja e një ndërtesë në rrugën “ Nëna Terezë”.

Përkatësisht personi i arrestuar është ai që ka shtënë me armë nga zyrat e PDK-së me rastin e zgjedhjes së Hashim Thaçit President dhe që u filmua dhe u paraqit nga shumë media të shkruara dhe televizive,njofton Klan Kosova.

Ky akt ka hapur një debat dhe polemika të shumta për mos reagimin e policisë dhe mos arrestimin e personit në fjalë.

Policia njofton se nga informacionet e marra dhe nga hetimet operative është identifikuar i dyshuari dhe i është kërkuar të paraqitet në polici, i njëjti është paraqitur sot në polici dhe pas konfiskimit të armës dhe lejes, i dyshuari është liruar me procedurë të rregullt.

Ja njoftimi i plotë i Policisë:

Arrestohet një person i dyshuar për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm Prishtinë, 09 mars 2016 – Drejtoria Rajonale e Policisë – Prishtinë, ka marrë të gjitha masat e nevojshme policore për të siguruar rendin dhe qetësinë publike në rajonin e Prishtinës, dhe kjo duke punuar me vendosmëri dhe përkushtim për kapjen e personave që dyshohen të jenë të implikuar në veprimtari kriminale, dokumentimin ligjor të veprimeve të tyre kriminale, si dhe vënien e tyre para drejtësisë. Kësisoj pas pamjeve të shfaqura në disa media vendore më datë 26.02.2016 ku shihet, një person i dyshuar duke gjuajtur me armë zjarri, nga dritarja e një ndërtese në rr. “Nëna Terezë” në Prishtinë, policia menjëherë nisi një hetim lidhur me rrethanat që karakterizonin rastin me qëllim identifikimin e të dyshuarit. Marrja e informacioneve në rrugë operative , ndërmarrja e një spektri të gjerë të veprimeve hetimore dhe atyre operative, i mundësuan policisë që të identifikojë personin e dyshuar për rastin në fjalë. I dyshuari është identifikuar dje nga ana e policisë dhe gjithashtu është kërkuar që të paraqitet në polici, i njëjti është paraqitur në stacionin policor qendra në Prishtinë sot rreth orës 09:30.

Atij i është konfiskuar arma, një karikator me 5 (pesë) fishek, si dhe leja e armës që i dyshuari e posedonte. Pas përfundimit të veprimeve të sipër cekura ndaj të dyshuarit, me urdhër të Prokurorit të shtetit i dyshuari F.K mashkull 45 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, është liruar në procedurë të rregullt. Me respekt: Zyra për marrëdhënie me publikun & media Drejtoria rajonale e policisë – Prishtinë. Për informata plotësuese kontaktoni: Zyra për marrëdhënie me publikun & media, Drejtoria Rajonale e Policisë – Prishtinë. Tel.Zyre: 038 541289 – ext – 2064 Tel. Mobil: 045 285 358 – 044 196118 e-mail: zyraperinformimpr@kosovopolice.com Adresa: Rr. “Luan Haradinaj” Prishtinë Ndërtesa e Stacionit Policor Qendra – DRP – Kati –II- zyra 214

lajme të ngjashme