“Zhvatje e parave të kompanisë e punësime”, aktakuza për ish- krerët e NPL “Ambienti” (VIDEO) NULL NULL 07.07.2025 19:45 07.07.2025 19:45 Të përmbledhura në 79 faqe, Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda më 16 qershor të 2025-ës e ngriti aktakuzën ndaj 5 ish-zyrtarëve. 5 të akuzuarit, janë ish-persona zyrtarë të Ndërmarrjes Publike ‘Ambienti’ në Pejë, për të cilët Kiks Kosova mëson të jenë Arton Muhaxheri, Idriz Bala, Fisnik Ademi, Shpëtim Gashi dhe Nexhat Abdullahu. Sipas Prokurorisë, aktakuza është ngritur për shkak të veprave penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, “Deklarimi i rremë nën betim” dhe “Konflikti i interesit”. Në bazë të asaj që thuhet në aktakuzë, të pandehurit Arton Muhaxheri, Idriz Bala, Fisnik Ademi, Shpëtim Gashi dhe Nexhat Abdullahu, nga viti 2020 e deri në fund të 2022-ës, si persona zyrtarë të Ndërmarrjes Publike “Ambienti”, me qëllim që të përfitonin financiarisht, si bashkëkryerës tejkaluan autorizimet e tyre zyrtare. Arton Muhaxheri asokohe mbante pozitën e Kryesuesit të Bordit të Drejtorëve, Idriz Bala, Fisnik Ademi dhe Shpetim Gashi anëtar të këtij bordi, ndërsa Nexhat Abdullahu mbante pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv. E krejt këta së bashku, pa vendim të aksionarit, sipas Prokurorisë edhe pa mbulesë ligjore i ndanë vetit bonuse. Tutje, në aktakuzën e Prokurorisë, Arton Muhaxheri akuzohet që në pozitën e Kryesuesit të Bordit të Drejtorëve të ndërmarrjes në Pejë, ka kryer veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, “Deklarimi i rremë nën betim” dhe “Keqpërdorim i pozitës zyrtare” nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës. Ndërsa i pandehuri Nexhat Abdullahu, si Kryeshef Ekzekutiv, sipas Prokurorisë akuzohet se punësoi më tepër se 8 persona kundërligjshëm, kështu duke u ngarkuar me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare” dhe “Konflikt interesi” nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës. Meqenëse Prokuroria Themelore e Pejës, vlerësoi se dyshimi i përmbushjes së elementeve të këtyre veprave penale është i bazuar mirë, kjo e fundit kërkon kompensimin e dëmit të shkaktuar të buxhetit të Republikës së Kosovës dhe po ashtu edhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbim publik. Ndonëse para 2 vjetësh, në të njëjtën ndërmarrje, Krimet Ekonomike, kishin arrestuar 7 zyrtarë të po kësaj ndërmarrje, 5 prej të cilëve janë të njëjtit emra për të cilët Prokuroria ngriti aktakuzë në qershor- Nexhat Abdullahu, Arton Muhaxheri, Shpetim Gashi, Fisnik Ademi dhe Idriz Balaj. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Shpëtohen një shqiptar dhe një turist gjerman, u helmuan nga një bimë në Malin e Korabit 07/07/2025