“Zëri im nuk është turp”, të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës kërkojnë drejtësi NULL NULL 19.06.2025 13:20 19.06.2025 13:20 Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) organizoi një panel diskutimi, ku u theksua domosdoshmëria e drejtësisë për të mbijetuarit dhe ndaljes së përdorimit të dhunës seksuale si armë lufte. Drejtoresha ekzekutive e QKRMT-së, Feride Rushiti, tha se dhuna seksuale vazhdon të jetë barrë e rëndë për mijëra gra dhe burra që e kanë përjetuar gjatë luftës në Kosovë. “Për barrën që ajo vazhdon t’i mbajë të heshtur mijëra gra edhe burra që kanë përjetuar dhunën seksuale gjatë luftës. Fatkeqësisht, edhe në vitin 2025, kur po e shënojmë këtë ditë në këtë situatë të rëndë globale, ku krizat, luftërat dhe konfliktet po zhvillohen, dhuna seksuale si armë e luftës po gjen zbatim në këto vende dhe mijëra gra dhe vajza, por fatkeqësisht edhe burra, po bëhen pre e fushëbetejës duke qenë të pafajshëm dhe duke bartur pasoja afatgjata jo vetëm për veten por edhe për shoqërinë dhe komunitetin në tërësi,” theksoi ajo. Rushiti shtoi se përmes fushatës “Trauma nuk ka afat,” synohet që të mos heshtet më, të dëgjohen historitë e të mbijetuarve dhe të ndërmerren hapa konkretë. Në këtë ngjarje u shfaq edhe një video-mesazh nga një e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, autori i së cilës është dënuar me 15 vjet burg gjatë kësaj jave. Ajo tha se gjatë 26 vjetësh ka ëndërruar për drejtësinë, për të cilën shtoi se ka menduar se kurrë nuk do të vijë. “Si e mbijetuar e dhunës gjatë luftës kam jetuar prej 26 vjetësh në një plagë që nuk shihet, por që më gërryente çdo ditë nga brenda. Gjatë gjithë këtyre viteve kam ëndërruar për drejtësinë dhe kam menduar se kurrë nuk do të vijë kjo ditë, por kjo ditë erdhi. Nuk kam fjalë me e përshkruar këtë ndjesi, sot drejtësia triumfoi, sot unë po marr frymë lirshëm”, tha ajo. Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, u shpreh se Kosova është një udhërrëfyes global në luftën kundër dhunës seksuale në konflikt, raporton EO, transmeton Klankosova.tv. “Teksa të gjithë së bashku shënojmë Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, një ditë në të cilën Kosova dhe të gjithë ju keni qenë udhërrëfyes globalë dhe simbole të asaj që është e mundur dhe e domosdoshme. Fatkeqësisht, ende ndodh që në shumë konflikte në mbarë botën, si në të kaluarën ashtu edhe sot, dhuna seksuale të përdoret si armë dhe si një strategji e qëllimshme lufte. Sot është një mundësi për ta pranuar këtë dhe për ta luftuar atë, por gjithashtu është një ditë për të festuar qëndresën dhe për të bërë thirrje për drejtësi. Të mbijetuarit nuk duhet të heshten apo të shpërfillen kurrë më, por duhet gjithmonë të njihen, të mbështeten dhe të fuqizohen. Ju e njihni dhimbjen, por po ashtu e njihni forcën”, tha ai. Ramadan Nishori, një tjetër i mbijetuar i dhunës seksuale, tha se për shumë kohë kishte heshtur nga frika e paragjykimit, por tani ka zgjedhur të flasë. “Edhe unë heshta shumë gjatë, duke menduar që heshtja na mbron nga paragjykimet, por ajo veç më shkatërronte nga brenda. Një ditë vendosa që të mos hesht më, të mos fshihem më sepse ajo që më ndodhi nuk e përcakton burrërinë time. Zëri im nuk është turp, turpi nuk është i yni, turpi është i atyre,” tha ai./EO/. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Hasani: Kurti dhe kabineti i tij janë uzurpues të pushtetit prej kur janë betuar si deputetë (VIDEO) 22 orë më parë
Kosova Abazi: Nëse është gëzuar dikush më së shumti për Gjykatën Speciale është vetë Kurti (VIDEO) 1 day