Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Vritet edhe një komandant i lartë i Hezbollahut (VIDEO)

NULL NULL
nga Iliri Pireva 08.10.2024 15:52

Komandanti i lartë i Hezbollahut, Suhail Hussein Hussein, u raportua se është eliminuar gjatë natës nga ushtria izraelite, në një nga sulmet ajrore që goditën kryeqytetin libanez.

Sulmet, që u përqendruan në disa zona të Bejrut, kishin për qëllim të neutralizonin militantët libanezë, të cilët, sipas informacioneve nga Izraeli, ishin të lidhur ngushtë me infrastrukturën terroriste të grupit ekstremist.

Hussein, i cili ishte përgjegjës për logjistikën, buxhetimin dhe menaxhimin e njësive të Hezbollahut, u identifikua si një objektiv kryesor në operacionin e fundit të Izraelit.

Pas sulmeve ajrore, forcat e Benjamin Netanjahut zgjeruan ofensivën e tyre edhe në terren, duke njoftuar fillimin e një operacioni në Libanin jugperëndimor. Sipas ushtrisë izraelite, divizioni 146 ka për qëllim të çmontojë infrastrukturën terroriste të Hezbollahut.

Ndërkohë, sulmet ajrore nuk ndaluan as në Rripin e Gazës, ku të paktën 21 persona, përfshirë pesë fëmijë e dy gra u vranë dhe numri i të lënduarve mbushi spitalin Al Aksa. Pamjet e fëmijëve të plagosur rëndë duke u dridhur nga dhimbja, kanë tronditur opinionin publik dhe kanë nxitur kritika të mëdha ndaj politikës ushtarake të Izraelit.

Në një deklaratë të bërë në natën e përvjetorit të sulmit në shtetin e tij, kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, u zotua se hakmarrja do të vazhdojë. “Sa kohë që armiku kërcënon ekzistencën tonë dhe paqen e vendit tonë – do të vazhdojmë të luftojmë”, tha ai, duke theksuar se nuk do të braktisin asnjë prej pengjeve të mbetura në Gaza.

Zyrtarët amerikanë kanë akuzuar Netanjahun për injorimin e kërkesave të administratës Biden për të ndaluar bombardimet, që kanë rezultuar me vdekjen e rreth 42 mijë njerëzve në Gaza dhe 1,500 të tjerëve në Liban.

Ky konflikt vazhdon të shkaktojë një krizë humanitare në rajon, duke rritur tensionet mes grupeve të ndryshme dhe shteteve.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.