Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Vihet gurthemeli i kompleksit luksoz “Porta Rai” në Plazhë të Madhe, investim që krijon 800 vende të reja pune

NULL NULL
11.06.2025 17:41

Sot, me një ceremoni zyrtare të vendosjes së gurthemelit, kanë nisur punimet për një nga investimet më të rëndësishme turistike në bregdetin e Adriatikut.

Projekti Porta Rai Beachfront Hotel & Residences synon të ngrejë edhe më lart pozicionin e Malit të Zi në hartën botërore të turizmit.

Rëndësia e këtij projekti për komunitetin lokal është e dukshme, pasi do të krijohen 800 vende të reja pune, kryesisht për banorët e zonës, ndërsa ndikimi ekonomik i përgjithshëm vlerësohet në 278 milionë euro.

Gjatë ceremonisë, ku morën pjesë edhe përfaqësues të Komunës së Ulqinit, u theksua rëndësia e dialogut të hapur me komunitetin lokal, transparenca në veprimtari, mbështetja institucionale dhe bashkëpunimi efikas me qeverinë – faktorë kyç për realizimin me sukses të këtij projekti.

Ky investim është një bashkëpunim ndërkombëtar mes kompanive Karisma Hotels & Resorts dhe Dobrov & Family Group.

Ljubisha Krstajiq, bashkëpronar i Karisma Hotels & Resorts, gjatë eventit shprehu se ky projekt është fryt i një vizioni të fortë dhe besimi afatgjatë në potencialin e Malit të Zi.

“Porta Rai nuk është vetëm realizimi i ëndrrës sime personale, por edhe një vizion i përbashkët me partnerin dhe mikun tim Rafael Féliz. Si themelues dhe drejtues të Karisma Hotels & Resorts, ne angazhohemi për një turizëm që ofron më shumë se luks – një turizëm që respekton komunitetin, mjedisin dhe njerëzit. Sot nuk është vetëm vendosja e një gurthemel simbolik, por fillimi i një vizioni ambicioz për rritje – një projekt që po lind këtu, në një vend që e shohim si fytyrën e re dhe të veçantë të turizmit malazez. Porta Rai nuk është thjesht një tjetër resort luksoz – është resorti më i plotë dhe më familjar në Mal të Zi dhe përgjatë bregdetit Adriatik. Është projektuar për të përmbushur nevojat e familjeve, me oferta për të gjitha brezat, pa kompromise në rehati, siguri dhe cilësi qëndrimi,” tha Krstajiq.

Në fjalën e tij, Andrey Dobrov, themelues i kompanisë ndërkombëtare Dobrov & Family Group, vuri theksin se qëllimi i grupit nuk ishte thjesht të bënte një investim tjetër, por të krijonte vlerë reale për qytetarët, vizitorët dhe Malin e Zi në përgjithësi.

“Ky projekt nuk ka qenë kurrë vetëm ndërtimi i një resorti. Për ne, ai është realizimi i një vizioni që familja ime ka pasur që prej investimit në këtë tokë në vitin 2006 – vizioni për ta kthyer bregdetin malazez në një destinacion me famë botërore, duke ruajtur bukurinë e tij natyrore dhe autencitetin. Ky është rezultati i pothuajse dy dekadave përkushtim dhe besimi në potencialin e këtij bregdeti të jashtëzakonshëm. Misioni ynë ka qenë gjithmonë krijimi i vlerës afatgjatë përmes zhvillimit të kujdesshëm dhe mbështetjes së komuniteteve lokale. Porta Rai është pjesë e këtij misioni: do të krijojë 800 vende të reja pune, do të fuqizojë ekonominë malazeze me një ndikim ekonomik prej 278 milionë eurosh, do të ngrejë bizneset lokale dhe do të forcojë pozitën e Malit të Zi si një destinacion premium mesdhetar dhe një nga destinacionet më tërheqëse në Evropë”, tha Dobrov.

Ceremonia nisi me një performancë të korit të nxënësve të Shkollës Fillore për Edukim Muzikor dhe Balet në Ulqin, nën drejtimin e dirigjentit profesor Gzim Gjekaj. Vendosja simbolike e gurthemelit shënoi hapjen e një kapitulli të ri në zhvillimin e Ulqinit.

Faza e parë e ndërtimit do të përfshijë pjesën e parë të hotelit, njësi rezidenciale dhe infrastrukturën mbështetëse, ndërsa përfundimi i plotë i kompleksit parashikohet të bëhet deri në fund të vitit 2029.

Porta Rai do të jetë kompleksi i parë i këtij lloji në Mal të Zi, me kategorizim pesë yjesh, dhe do të ofrojë shtatë pishina, fusha sportive, qendër spa, restorante, ambiente për fëmijë dhe një promenadë ekskluzive për shopping.

KARISMA HOTELS & RESORTS

Karisma Hotels & Resorts është një grup hotelier luksoz me famë botërore, që zotëron, operon dhe zhvillon një portofol të gjerë në Amerikën Latine, Karaibe dhe Evropë, me marka të ndryshme si Nickelodeon Hotels & Resorts, Margaritaville Island Reserve®️ by Karisma, Karisma Villas, BOR Hotel by Karisma, dhe Azul Beach Resorts by Karisma. Grupi ka fituar shumë çmime prestigjioze, përfshirë “Top 30 Hotels in Cancun” nga Condé Nast Traveler, “Leading Edge Award” nga World Waterpark Association, “Magellan Awards” nga Travel Weekly, si dhe çmimet e njohura AAA Five Diamond dhe Four Diamond.

Karisma Hotels & Resorts angazhohet për mbështetjen e punonjësve dhe komuniteteve ku operon, duke ofruar përvoja autentike dhe duke u njohur globalisht për qasjen kreative dhe inovative në menaxhimin e turizmit.

DOBROV & FAMILY GROUP

Dobrov & Family Group është një grup biznesi ndërkombëtar, familjar, me mbi 35 vjet eksperiencë në fusha të ndryshme. Është një kompani e njohur për inovacionin, ndikimin pozitiv në komunitetet lokale dhe angazhimin për rritje afatgjatë. Aktivitetet kryesore të grupit përfshijnë mikpritjen, zhvillimin e pasurive të paluajtshme, kapitalin sipërmarrës dhe investimet në energji të rinovueshme. Me projekte në Republikën Çeke, Zvicër, Qipro, Mal të Zi dhe Gjermani, Dobrov & Family Group njihet për zhvillimet banesore cilësore dhe të çmuara me çmime ndërkombëtare. Si një nga investitorët privatë kryesorë në turizmin malazez, kompania punon me vlera si ndershmëria, transparenca, përgjegjësia sociale dhe bashkëpunimi për të sjellë ndikim pozitiv shoqëror.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.