Urat mbi Ibër: Zhvillim për disa, ide pa kuptim për të tjerët NULL NULL 24.06.2025 16:32 24.06.2025 16:32 Punëtorë duke kositur bar buzë lumit Ibër, afër urës kryesore të qytetit të ndarë etnikisht, në Mitrovicë, më 9 shtator 2024. Reuters. (Radio Evropa e Lirë) – Planet e Qeverisë në detyrë të Kosovës për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicën e ndarë, shkaktuan reagime të ashpra në mesin e serbëve lokalë, të cilët e shohin këtë veprim si provokim politik dhe jo si mjet për lidhjen e komuniteteve. Ndërsa autoritetet në Prishtinë pohojnë se qëllimi i projekteve është “integrimi dhe zhvillimi”, disa qytetarë dhe përfaqësues lokalë paralajmërojnë se vendimi i tillë, i marrë pa konsultim me komunitetet, mund t’i rrisë edhe më shumë tensionet mes veriut dhe jugut të qytetit. “Kërkesë e dy komunave” Qeveria në detyrë e Kosovës thotë përmes një deklarate se projekti i ndërtimit të urave u iniciua me kërkesë të dy komunave – si rezultat i krijimit të Bordit të Përbashkët të Mitrovicës. Memorandumi i mirëkuptimit, thuhet në deklaratë, parashikon që Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) t’i financojë dhe zbatojë këto projekte infrastrukturore – që përfshijnë ndërtimin e urave për këmbësorë dhe automjete mbi lumin Ibër – me qëllim të lehtësimit të lirisë së lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave. “Memorandumi përcakton obligimet e palëve, sipas të cilit: MMPHI merr përgjegjësinë për financimin dhe zbatimin e projektit, do të zhvillojë procedurat e prokurimit, do të emërojë menaxherin e projektit, do të kryejë mbikëqyrjen teknike dhe do të sigurojë realizimin financiar të punimeve, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kurse, komunat janë përgjegjëse për caktimin e lokacioneve, sigurimin e lejeve përkatëse dhe ndjekjen e zbatimit të projektit në terren përmes zyrtarëve të emëruar”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë në detyrë të Kosovës. Sa i përket hapjes së urës kryesore mbi Ibër për qarkullimin e automjeteve – gjë që ka shkaktuar tensioneve vitin e kaluar – Qeveria thekson se qëndrimi i saj mbetet i pandryshuar: “Ura kryesore mbi Ibër duhet të jetë e hapur për qarkullim të plotë, ndërsa ndërtimi i dy urave të reja do të kontribuojë më shumë në frymën e bashkëpunimit ndërmjet dy komunave dhe lëvizjen e lirë në të dyja anët e lumit Ibër”. Përpjekjet e mëparshme për të hapur urën kryesore Verën e vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ndërmori një nismë për të hapur urën kryesore mbi Ibër për trafik – gjë që u kundërshtua nga popullsia lokale serbe dhe bashkësia ndërkombëtare. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR – ushtarët e të cilit janë të stacionuar në urën kryesore mbi lumin Ibër – tha atëkohë se çdo vendim për hapjen e urës, duhet të merret brenda kornizës së dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Ambasadori i atëhershëm i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha se ka rrezik real nga hapja e urës në Mitrovicë, i cili mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë edhe ushtarët amerikanë. “Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë, që punojnë në mbështetje të Kosovës”, tha në atë kohë ambasadori amerikan, duke shfaqur shpresën se Qeveria e Kosovës do t’i merrte parasysh “këto shqetësime”. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më pas se Qeveria e tij do t’i vazhdojë konsultimet dhe koordinimin në lidhje me hapjen e urës, duke vënë në dukje se kjo çështje nuk është e drejtuar kundër askujt. Kjo urë njihet për konfliktet etnike në periudhën e pasluftës dhe kjo është edhe arsyeja kryesore e mbylljes së saj për qarkullimin e automjeteve. Pjesëtarë të komunitetit serb nga Mitrovica e Veriut thanë se hapja e urës kryesore vetëm se do t’i rriste tensionet në terren, ndërsa shqiptarë nga Mitrovica e Jugut deklaruan se një veprim i tillë do të kontribuonte në bashkëjetesë dhe liri të lëvizjes. Në vitin 2014, Kosova dhe Serbia ranë dakord për hapjen e urës për trafik, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. I ashtuquajturi rivitalizim i urës u planifikua me qëllim heqjen e të gjitha barrikadave të vendosura nga serbët lokalë dhe funksionalizimin e urës. Më pas, në vitin 2016, u miratua një plan i ri zbatimi, që synonte kapërcimin e mosmarrëveshjeve mbi interpretimet e ndryshme të konstatimeve të mëparshme. Sipas planit të ri të zbatimit, hapja e plotë e urës duhej të bëhej në janar të vitit 2017. Punimet rreth rivitalizimit të urës përfunduan vetëm në qershor të vitit 2018 dhe ura, në të cilën u investuan 1.5 milion euro, nuk u hap kurrë për automjete, por vetëm për këmbësorë./REL *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.