“Unë jam specialist, s’merrna me bërllok”/ Ortopedi nuk ishte në dijeni për ndotjen? (VIDEO) NULL NULL 04.06.2025 19:22 04.06.2025 19:22 Qytetarë të një lagjeje të Skenderajt, iu ankuan Kiks Kosovës për një deponi ilegale bërlloku, në të cilën po hidheshin shiringa e fasha me gjak, të cilat dyshohet se vinin nga një klinikë private që funksionon aty pranë. Një ekip i emisionit u nis për të parë gjendjen, dhe konstatoi se ankesat e banorëve ishin të bazuara. E sapo ekipi i KIKS-it mori drejtimin për tek pjesa e klinikës ku ortopedi Enver Zeqiri po ushtronte veprimtarinë, dera e asaj dhome u mbyll. E frikësuar, ishte punëtorja që bashkëpunonte me ortopedin e cila ngujoi veten brenda ordinancës, ani pse ende nuk ishte informuar se pse KIKS-i kishte shkuar aty. Sapo KIKS-i liroi ordinancën për t’u kthyer edhe njëherë aty, gazetares i erdhi një telefonatë. Ishte ortopedi Enver Zeqiri, i cili po ftonte ekipin për çfarëdo sqarimi që po kërkohej. Me t’u rehatuar në ordinancë, ortopedi Enver Zeqiri mohon të ketë ditur se problemi me mbeturinat e ordinancës së tij ekziston. Ai thotë se një gjë të tillë po e dëgjon për herë të parë nga gazetarja. Zeqiri thotë se ai është specialist dhe nuk merret me pjesën e mbeturinave, e një përgjegjësi e tillë i takon pronarit të poliklinikës ku ai zhvillon veprimtarinë. Ani pse për KIKS-in pronari i poliklinikës “Arizona” tha se i kishte tërhequr vërejtjen punëtores së tij, Enver Zeqiri tha se asnjëherë nuk u informua nga ajo për këtë problem. Për KIKS Kosovën, ortopedi Zeqiri tha se është i vetëdijshëm për rrezikun që hedhja e këtyre mbeturinave kanos andaj nuk do e bënte një gjë të tillë. Para kamerës, ortopedi Enver Zeqiri premton që këtij problemi do i japë zgjidhje menjëherë, duke liruar hapësirën nga ato mbeturina. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.