Trumpi e Netanyahu, 40 minuta në telefon NULL NULL 10.06.2025 12:27 10.06.2025 12:27 Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu. Foto: AP Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump zhvilluan një telefonatë 40-minutëshe të hënën në mbrëmje, pak pasi Irani njoftoi se së shpejti do t’i përgjigjej propozimit të fundit të Uashingtonit për një marrëveshje bërthamore. Pas telefonatës, Netanyahu zhvilloi një konsultim të nivelit të lartë për sigurinë, të përqendruar në Iranin. Në një njoftim të shkurtër të bisedës, Zyra e Kryeministrit tha se të dy udhëheqësit diskutuan bisedimet bërthamore të vazhdueshme të Uashingtonit me Teheranin. “Presidenti Trump i tha Kryeministrit se Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur një propozim të arsyeshëm Iranit dhe pritet të marrin përgjigjen e tij në ditët në vijim”, tha deklarata nga zyra e Netanyahut, shkruan “Times of Israel”. Ajo shtoi se Trumpi e informoi Netanyahun “se planifikon të zhvillojë një raund tjetër bisedimesh me Iranin gjatë fundjavës”. Deklarata nuk dha asnjë detaj rreth asaj që tha Netanyahu gjatë telefonatës. Nga ana e tij, Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se biseda shkoi “shumë mirë” dhe mbuloi një sërë çështjesh, duke përfshirë bisedimet bërthamore të vazhdueshme, duke shtuar se ShBA-ja ka një takim me Iranin të enjten. Zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, tha më vonë se “raundi tjetër i negociatave indirekte Iran-ShBA ishte planifikuar për të dielën e ardhshme në Muscat”, sipas një deklarate të cituar nga Reuters. /Klankosova.tv