9:35, 21 Nëntor 2019

Një diplomat i lartë amerikan ka deklaruar në seancën dëgjimore për mocionin e mosbesimit ndaj Donald Trump, se ky i fundit e kishte urdhëruar të bëjë presion ndaj Ukrainës për të hetuar rivalin e tij demokrat, Joe Biden.

Udhëzimet erdhën nga avokati personal i Trump, Rudy Giuliani, tha ambasadori Gordon Sondland.

Ambasadori amerikan në BE tha para anëtarvëve të Dhomës së Përfaqësuesve se Giuliani kishte kërkuar një deklaratë publike nga lideri i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për inicimin e një hetimi lidhur me çështje të korrupsionit.

Giuliani përmendi posaçërisht kompaninë Burisma – e cila kishte djalin e kandidatit për president Biden, Hunter, si anëtar të bordit – dhe çështje që lidhen me zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve për vitin 2016, tha ai.

Biden është një nga pretendentët kryesorë për nominimin demokrat për zgjedhjet presidenciale për vitin 2020.

Hetimi po vlerëson nëse Trump ndaloi ndihmën ushtarake për Ukrainën si një parakusht, në shkëmbim të nisjes së një hetimi ndaj Biden në Ukrainë.

Presidenti amerikan mohon çdo keqbërje.

Në SHBA është e paligjshme të kërkohet ndihmë e huaj për të fituar përparësi elektorale.

Nëse Trump shpallet fajtor me shumicë të votave në Dhomën e Përfaqësuesve, ai do të përballet me një proces gjyqësor në Senat. Por, dy të tretat e anëtarëve të asaj dhome të kontrolluar nga republikanët do të duhet të votojnë që zoti Trump të hiqet nga detyra.

Konkurs Pune

Lexo më shumë