Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Trekëndëshi Dejona – tezaku i Kurtit – Ngadhnjimi / “Urgjencat në KOSTT” për avancime në menaxherë (VIEDO)

NULL NULL
04.02.2025 19:19
Genc Konushevci dhe Albin Kurti

Në mungesë të dasmave, kryeministri Kurti e avancoi tezakun e tij, me shkollë të mesme, në KOSTT, ani pse ai punonte aty që në 2011-ën.

Për t’u kthyer në retrospektivë dhe për të pasur kuptim përmbajtja e kësaj kronike, kujtojmë skandalin e 16 tetorit të 2024-ës, me mesazhet e publikuara ku për urgjencat brenda KOSTT-it, fillimisht lajmërohet Dejona Mihali, e cila zyrtarisht është koordinatore e komiteteve, mirëpo jo zyrtarisht duket se kontrollon çdo gjë dhe është kontakti i parë i informacionit, madje edhe për familjarët e kryeministrit Kurti.

Thoni ju, pse po e sjellim në kujtim një publikim të muajit tetor të vitit të kaluar?

Këta emra që po përmenden në këto fotografi – Genc Konushevci e Ngadhnjim Jakupi, janë punëtorë të kamotshëm në KOSTT, mirëpo avancimet kanë ndodhur së fundmi.

Tezaku i kryeministrit, mbështetja e të cilit për partinë vërehet qartazi në pothuajse çdo publikim të tij në rrjetin social Facebook, ishte punësuar në KOSTT që nga 1 marsi i 2011-ës ku kishte punuar si ndihmës administrator.

Mirëpo, ngritja e tij në detyrë erdhi vetëm me Kurtin kryeministër.

Pas gati dy muajsh nga publikimi i komunikimit mes Konushevcit e Mihalit, më 1 dhjetor të 2024-ës, Genci avancohet në Administrator të Sistemit TIK, me vetëm shkollim të mesëm, pa e paraqitur as edhe një dokument tjetër. Të paktën, kështu e thotë dokumenti i siguruar nga Kiks Kosova.

I kontaktuar nga Kiks Kosova, në numrin kontaktues të Konushevcit është lajmëruar miku i tij, i cili avancimin e Konushevcit në pozitën e administratorit e ka arsyetuar me një certifikatë të cilën e kishte marrë nga një qendër trajnuese.

Duke qenë se miku i tij, i tha gazetares se Konushevci kishte problem me dëgjimin, emisioni u përkujdes që cdo pyetje dhe hapësirën për sqarim, t’ia ofronte edhe përmes shkrimit, duke ia dërguar ato në platformën e tij në Viber. Emisioni përgjigje nuk mori.

Zakonin e kolegut e vazhdoi edhe Jakupi.

Ani pse në komunikimet me Dejona Mihalin, Genci shfaqej i afërt me Ngadhnjimin duke përcjell mesazhin e tij, për siç shkruante Genci “një takim urgjent me km se diçka paska ndodh e nuk po me tregon. Km… e njeh shume mire kete sekretarin”, pra fjala ishte për Ngadhnjim Jakupin. Dhe më pas, vazhdon Genci, “E nese kish pase me ja percjell porosi, e po ju dergoj numrin e kontaktit te Ngadhnjim Jakupit, e ju mundeni me fol me dit arsyet urgjente”, përfundonte kështu komunikimin Konushevci.

Sipas mediave të cilat i kanë publikuar këto biseda, thuhet se ato janë të 2022-ës, dhe duket se Konushevci i është drejtuar gabimisht Jakupit si sekretar apo ndoshta i kishte mbetur ende fuqia brenda KOSTT-it si të ishte i tillë.

Jakupi është pjesë e këtij institucioni që nga 2012-a, dhe si ud i sekretarit kishte punuar vetëm në periudhën shkurt – korrik të 2021-ës, për të vazhduar pastaj deri në 2024-ën, në pozitën e senior specialist për çështje pronësore juridike.

Dhe, 2024-a shënoi pikë kthese në karrierën e Jakupit, kur i erdhi edhe avancimi i tij brenda këtij institucioni në pozitën e drejtorit të Zyrës Ligjore.

Ani pse kjo pozitë ishte e zënë, rrokadat u bën në atë mënyrë, që për Jakupin kjo pozitë të konsiderohej e lirë tashmë. Paraprakisht, zyra ligjore në KOSTT drejtohej nga Astrit Beqa, i cili do të pensionohet në mars të 2025-ës.

Sipas burimeve të emisionit brenda këtij institucioni, Beqa, u bartë në pozitën e menaxherit të Cilësisë, vetëm e vetëm, që Jakupi të merrte drejtimin e zyrës ligjore.

Lidhur me këtë, Kiks Kosova, provoi të marr një qëndrim të Beqës, mirëpo iu përgjigj as thirrjeve e as mesazheve të emisionit.

Kujtojmë se edhe avancimi i Jakupit në këtë pozitë erdhi pas publikimit të mesazheve, shkëmbim ky mes Konshevcit dhe Mihalit, ku përmendet edhe emri i Jakupit.

Dhe duke qenë se pozita menaxheriale e kërkonte një referencë, Jakupi e kishte dërguar në KOSTT, një dokument ku e dëshmonte përvojën e tij në menaxhim të një mediumi online, Metropol Magazinë, drejtor i së cilës ishte vet ai.

Duke qenë se nuk ndodh shpesh që referencat të nënshkruhen nga vartësit e pronarit, kësaj here, si rrallëherë, referenca ishte nënshkruar nga zv drejtori, Arbër Kukaj.

Kukaj e Jakupi nuk njihen vetëm nga Metropoli. Duke qenë se Arbër Kukaj gëzon pozitën e ushtrues detyre i Administratorit për Sistemet e TIK dhe Administrator i UEB-it, këta të dytë janë edhe kolegë nga KOSTT-i.

Ndryshe nga Genci, Ngadhnjimi qëlloi në kohë të pauzës kur gazetarja e Kiksit e kontaktoi që të marrë përgjigjet në pyetjet lidhur më avancimin e tij. Dhe çuditërisht në pauzë nuk dëgjohej telefonata. Megjithatë, emisioni provoi të kontaktojë me të edhe pas pauzës, por ishte e kotë.

Një mesazh me të gjitha pyetjet e emisionit u dërgua por përsëri, përgjigje nuk u sigurua. “Cila është lidhja juaj me Dejona Mihalin”, është një nga pyetjet e shumta drejtuar Konushevcit e Jakupit, e cila mbeti pa përgjigje.

Deri në kohën kur po transmetohet kjo storje, përgjigje nuk ka kthyer as KOSTT, lidhur me të gjitha pyetjet e emisionit mbi punësimet dhe avancimet brenda këtij institucioni. /Klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.