Tragjike në Gjakovë: Vdes punëtori pasi u godit aksidentalisht nga një kamion NULL NULL 30.04.2026 12:20 30.04.2026 12:20 Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot rreth orës 09:55 në fshatin Meqë të Gjakovës, ku dyshohet se një punëtor ka vdekur pasi është goditur nga një kamion. Lidhur me ngjarjen për Klankosova.tv, detaje ka dhënë Vlera Krasniqi, zëdhënëse e policisë për rajonin e Gjakovës. Krasniqi tha se ishte pranuar informata për një incident. “Sipas hetimeve fillestare, dyshohet se gjatë procesit të punës, shoferi i një mjeti transportues (kamion) ka humbur kontrollin mbi mjetin, me ç’rast kamioni ka rrëshqitur. Si pasojë e kësaj lëvizjeje, një punëtor (mashkull i moshës madhore), i cili ndodhej në afërsi të mjetit, ka mbetur i bllokuar nën të”, deklaroi Krasniqi. Tutje, ajo bëri me dije se në vendngjarje kanë dalë menjëherë njësitë relevante të Policisë, ekipi i zjarrfikësve dhe ndihma e shpejtë, por që personi në fjalë veçse kishte vdekur. “Pas intervenimit, mjeku përgjegjës ka konstatuar se personi i zënë nën mjet ka ndërruar jetë. Lidhur me rastin po ndërmerren të gjitha hapat e nevojshëm nga Policia për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje”, theksoi ajo për Klankosova.tv.