Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Tirana përkrah Universitetin shqip në Shkup

NULL NULL
11.08.2015 22:11

Ideja për themelimin e Universitetit të ri në gjuhën shqipe në Shkup ka hasur në përkrahje edhe nga Tirana. Në kohën kur në Maqedoni ka nisur debati rreth kësaj ideje të Bashkimit Demokratik për Integrim, përkrahja ndaj nismës ka ardhur edhe nga anëtarë të Komisionit parlamentar për arsim të Parlamentit të Shqipërisë.

Anëtarët e përhershëm të këtij Komisioni, Mimoza Hafizi dhe Fatmir Toçi, në prononcimet e tyre për gazetën KOHA, shprehen se themelimi i Universitetit në gjuhën shqipe në Shkup është nevojë e domosdoshme e kohës për të rinjtë shqiptarë në Maqedoni. Sekretarja e këtij Komisioni dhe njëherit ish zëvendësministre për Arsim e Shqipërisë, Mimoza Hafizi, thotë se kjo ide është diskutuar edhe gjatë vizitës zyrtare në Maqedoni të anëtarëve të këtij komisioni vitin e kaluar.

“Gjatë vizitës sime zyrtare me anëtarë tjerë të Komisioni për arsim në Maqedoni u fol për këtë ide kaq fisnike. Tani që po dëgjoj, uroj që të së shpejti të bëhet realitet. Duke ndjerë si bashkëkombasae e juaja dhe si një njeri që ka menaxhuar me institucione arsimore në Shqipëri dhe duke i ditur nevojat e popullatës në Shkup, them që duhet dhënë përkrahje të fuqishme që të materializohet kjo ide”, thotë Hafizi. Në të njejtën vijë është edhe vlerësimi i anëtarit tjetër të Komisionit parlamentar për arsim të Shqipërisë, Fatmir Toçi. Ai e vlerëson si ngjarje të madhe idenë që në Shkup të hapet një Universitet i dytë shtetëror shqip në gjuhën shqipe krahas Universitetit Shtetëror në Tetovë. Sipas tij, universiteti i ri do të ndihmonte në edukimin e të rinjve në një qytet si Shkupi, ndërsa për realizimin e kësaj ideje, Toçi thotë se do të bashkohen të gjitha forcat intelektuale si nga Maqedonia, ashtu edhe nga Shqipëria.

“Ideja për të hapur një universitet të dytë në gjuhën shqip më duket gjeniale dhe këtë unë do ta përqafoja menjëherë. Kjo do të ndihmonte në masë për edukimin e të rinjve shqiptarë në një vend multietnik si Maqedonia, gjë që në parim pa asnjë diskutim se do të ishte në ngjarje e madhe. E kam shikuar me ironi faktin që një qytet si Tetova të jetë me dy universitete, ndërsa Shkupi që ka më së shumti banorë shqiptarë, të mos ketë fare. Në këtë pikëpamje do të ofroj të gjitha forcat të punojmë në realizimin e kësaj ideje. Ndoshta në një kohë të afërt dy universitet në Tetovë dhe në Shkup do të bashkonin forcat mësimdhënëse, forcat intelektuale për të luftuar në më shumë cilësi, që do të kontribuonte në zhvillimin e arsimit dhe shkencës në gjuhën shqipe në Maqedoni”, nënvizon deputeti i Parlamentit të Shqipërisë, Fatmir Toçi.

Ashtu si Toçi, edhe deputetja Hafizi, potencon se konkretizimi i kësaj ideje duhet të fillojë që nga planifikimi me vënien standardeve evropiane për të ndërtuar, siç thotë ajo, një universitet cilësor.

“Kisha dashur që kjo ide që në fazën planifikimit të analizohet saktë se në çfarë drejtime mund të kontribuohet për nevojat e popullatës shqiptare në Shkup. Kjo të bëhet duke plotësuar standardet e larta evropiane që të mund të keni një universitet sa më cilësor. Këtu kujdesi duhet shtuar në stafin menaxhues, por edhe në profesorët. Këtë e them edhe duke marrë parasysh përvojat jo të mira si tek ne lidhur me hapjen e universiteteve publike, pothuajse në të gjitha qytetet kryesore”, vlerëson deputetja Hafizi.

Ajo madje e konsideron si imediate unifikimin arsimit shqip brenda hapësirës shqiptare në Ballkan, duke e quajtur këtë si nevojë e domosdoshme të kohës. “Përveç që duhet të themelojmë universitete, neve duhet te kemi një integrim në sferën e arsimit si të ulët, të mesëm dhe të lartë brenda hapësirës shqiptare në Ballkan. Mendoj se Tirana zyrtare ka lëvizur për mirë në këtë aspekt, andaj duhet edhe vullneti i Qeverisë si në Maqedoni ashtu dhe në Kosovë. Mendoj së një arsim i integruar tani më është një nevojë e domosdoshme e kohës që po e jetojmë”, thotë zonja Mimoza Hafizi.

Gjithashtu edhe deputeti Fatmir Toçi thotë se përveç “lajmit të gëzuar” rreth idesë që të hapet Universitet i ri në gjuhën shqipe në Shkup, nga ana tjetër duhet të kihet kujdes që të mos përfitohet në mënyrë negative si në Shqipëri dhe në Kosovë, por Universiteti në Shkup të orientohet pas cilësisë në mësimdhënie, për të cilën ai nënvizon se kemi shumë nevojë si shqiptarë.

“Unë do ta theksoja përvojën negative në Shqipëri, por edhe në Kosovë për hapjen pa fund të universiteteve shtetërore, të degëve dhe filialeve të tyre në shumë qytete të vendit, të cilat për hir të së vërtetës e kanë dëmtuar arsimin shqip, e kanë dëmtuar imazhin e arsimit në Shqipëri, ku kishim përveç tyre dhe universitete të shumta private ku diplomat bliheshin si në pazar”, potencon Toçi. Prej javësh në Maqedoni është hapur debati rreth iniciativës për themelimin e universitetit të dytë shtetëror në gjuhën shqipe dhe përveç doajenëve të arsimit shqip në Maqedoni dhe intelektualëve, nisma është mbështetur edhe lidhjet e arsimtarëve shqiptarë.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.