Tirana bashkon BE-në dhe Ballkanin (VIDEO) NULL NULL nga Qendresa Sinani 06.12.2022 20:31 nga Qendresa Sinani 06.12.2022 20:31 Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si zot shtëpisë e shtroi tapetin e kuq për të pritur mysafirë të shumtë, të martën. Ai u shpreh të jetë fort i gëzuar që u bëri konak për një ditë, liderëve nga Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut e Serbia dhe atyre të Bashkimit Evropian, që u mblodhën për bisedime duke synuar forcimin e partneritetit. “Për ne kjo është e jashtëzakonshme, është diçka që edhe ai me imagjinatën më guximtare nuk do të parafytyronte që do të ndodhë dhe po ndodh. Është e shkëlqyer, vërtet. Mendoj që është një sinjal mjaft i fortë i vetëdijes i BE-së se BE-ja ka nevojë për Ballkanin Perëndimor”, tha Rama. Përfaqësuesja e Kosovës në samit, Vjosa Osmani, tha se do të shfrytëzojë takimin për të kërkuar diçka që vendi po e pret që moti kohë. E para e shtetit tha se do t’u bëjë thirrje liderëve që të votojnë pro për mbështetjen e plotë të liberalizimit të vizave për Kosovën në konkluzionet e mbledhjes së këshillit, që do të mbahet më 15 dhjetor. Pos kësaj teme që e hapi Osmani, kishte edhe plot të tjera që u diskutuan. Bile, që në nisje të samitit, operatorët telefonikë të BE-së dhe ata të Ballkanit Perëndimor nënshkruan një marrëveshje për zvogëlim të tarifave të Romingut. Nënshkrimet për të do të nisin së zbatuari më 1 tetor 2023.