Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Thunder shkruajnë historinë në NBA – dhe duket se ky është vetëm fillimi

NULL NULL
24.06.2025 09:41
Foto: AP

Premtimi erdhi tre vite më parë nga menaxheri i përgjithshëm i Oklahoma City Thunder, Sam Presti. Ndoshta u anashkalua për disa arsye. Së pari, Thunder atëkohë ishin shumë të dobët. Së dyti, ai foli në latinisht.

“Labor omnia vincit”, tha Presti pas sezonit 2021-22, duke cituar një moto të shtetit të Oklahomës. Në varësi të përkthimit, kjo mund të nënkuptonte “puna e palodhshme i mposht të gjitha” apo “puna e ngadalshme fiton gjithçka”, raporton AP, transmeton Klankosova.tv.

Në të dy rastet, kjo i përshtatet Thunder. Ata punuan shumë. Ata punuan ngadalë.

Dhe i mposhtën të gjithë.

Thunder — që tre vjet më parë kishin vetëm 24 fitore — këtë sezon fituan 84 ndeshje dhe tani janë kampionë të NBA-së, pasi mposhtën Indiana Pacers në një seri finale dramatike prej shtatë ndeshjesh.

Për pjesën tjetër të NBA-së, ky është një zhvillim shqetësues. Ata kanë MVP-në në radhët e tyre, Shai Gilgeous-Alexander. Ai dhe të gjithë lojtarët kyç të ekipit janë ende nën kontratë për sezonin tjetër. Kanë edhe Nikola Topicin, i cili nuk luajti fare këtë sezon për shkak të një dëmtimi të ligamentit (ACL), dhe momentalisht posedojnë dy zgjedhje brenda 24-shes më të mirë në draftin e këtij viti.

Ata janë të rinj; pesë titullarët e tyre janë përkatësisht 27, 26, 26, 24 dhe 23 vjeç. Janë të guximshëm. Dhe me shumë gjasë — do të jenë pretendentë për titull edhe për disa vite me radhë.

“Patjetër që kemi ende vend për t’u përmirësuar”, tha Gilgeous-Alexander, MVP i sezonit, MVP i finales, dhe kampion i NBA-së. “Kjo është pjesa më e bukur e kësaj. Shumica prej nesh mund të përmirësohemi akoma. Nuk janë shumë prej nesh në kulmin e karrierës — apo afër tij. Kemi shumë hapësirë për rritje, si individë edhe si grup. Jam i emocionuar për të ardhmen e kësaj skuadre. Kjo është, pa dyshim, një fillim i shkëlqyeshëm”.

Dhe koha kur ata arritën këtë formë është po ashtu shumë e mirë.

“Ata kanë shumë lojtarë të shkëlqyer në këtë ekip”, tha trajneri i Pacers, Rick Carlisle.

Presti, arkitekti i këtij suksesi, flet rrallë publikisht. E njëjta vlen për pronarin Clay Bennett. Ndërkohë, trajneri Mark Daigneault është qetësia në mes të çdo stuhie – drejtuesi ideal i “autobusit” të Thunder.

“Nuk ka asnjë garanci që e mbyll sezonin siç bëmë ne”, tha Daigneault. “Thjesht e doja kaq shumë për ta. Jam jashtëzakonisht i lumtur që ia dolëm dhe ata e përjetuan këtë. E merituan. Mënyra se si i qasen punës, profesionalizmi, konkurrenca, fryma ekipore… siç e thashë, e doja kaq shumë për ta”.

Udhëtimi i Thunder nuk ka mbaruar. Ai sapo ka nisur. Presti ka një “thes lufte” me zgjedhje drafti dhe klubi ka fleksibilitet financiar për të shtuar edhe ndonjë pjesë tjetër nëse dëshiron. Dhe tani ka një titull për të mbrojtur.

Labor omnia vincit. Puna nuk ka mbaruar.

“Na pret shumë punë e vështirë përpara”, kishte thënë Presti atë ditë të vitit 2022. “Duhet të përveshim mëngët dhe ta bëjmë. Kjo është ajo që përfaqëson ky shtet. Kjo është historia e komunitetit tonë. Kjo është ajo që përfaqëson ekipi ynë i basketbollit”. /Klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.