15:44, 30 Gusht 2016

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim drejtuesit e institutit “Atomi”, Jusuf Thaçin, drejtor ekzekutiv, dhe Edona Zogun, përgjegjëse për komunikim.

Ai ka shprehur përkrahje për institutin “Atomi”, që merret me identifikimin dhe përkrahjen e personave me inteligjencë të jashtëzakonshme në Kosovë.

Drejtori Ekzekutiv pranë këtij instituti, Jusuf Thaçi, tha se projekti “Atomi” ka identifikuar çdo vit nxënësit më të talentuar dhe ka punuar me ata për zhvillimin e kapaciteteve të tyre intelektuale.

“Nxënësit që kanë kaluar në projektin “Atomi” kanë shënuar suksese në botë, së fundi edhe duke fituar medaljen e bronztë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës”, theksoi drejtuesi i “Atom”.

Ndërkaq, përgjegjësja për komunikim pranë institutit “Atomi”, Edona Zogu, ka njoftuar se projekti ka nevojë për mbështetje institucionale për të vazhduar përkrahjen për nxënësit më të talentuar të Kosovës.

I pari i vendit  tha poashtu se vazhdimisht ka përkrahur këtë projekt dhe ka shprehur mbështetje për punën e tij.

“Projektet që synojnë përkrahjen e rinisë kosovare, veçanërisht nxënësve të talentuar, do të ketë gjithmonë mbështetjen e institucioneve shtetërore të Kosovës”, përfundoi presidenti Thaçi, transmeton Klan Kosova.