Thaçi mohon pretendimet e Trajkoviqit: Obiliqi nuk ka rol në organizimin e Vidovdanit NULL NULL 27.06.2026 16:30 27.06.2026 16:30 Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, ka mohuar deklaratat e kryetarit të Forumit Kombëtar Serb nga Graçanica Momçillo Trajkoviq, i cili në një intervistë për gazetën serbe Danas pretendoi se Komuna e Obiliqit është pjesë e organizimit të shënimit të Vidovdanit në Gazimestan, transmeton KosovaPress. “Nga ana tjetër, kemi iniciativën e udhëheqjes së Komunës së Obiliqit, e cila është vetëm një balonë prove. Përpjekja që shqiptarët të ‘përfshihen’ në shënimin e Betejës së Kosovës është e pakuptimtë, antikivilizuese dhe manipulatore, pa asnjë bazë apo mbështetje historike. Supozoj se Turqia, si mbështetësja e tyre, i ka paralajmëruar të mos e bëjnë këtë, sepse faktet historike që ruhen në arkivat turke janë aq kokëforta, sa do të ishte njëkohësisht e trishtueshme dhe qesharake të pretendohej se në Gazimestan është zhvilluar një betejë mes shqiptarëve dhe turqve”, ka thënë Trajkoviç për gazetën serbe Danas. Ndërkohë, Halil Thaçi për KosovaPress tha se Komuna e Obiliqit nuk ka qenë asnjëherë organizatore e Vidovdanit dhe nuk ka asnjë rol në aktivitetet që zhvillohen në Gazimestan. Ai cilëson qarkullimin e këtyre informacioneve si tendencë e Serbisë për të kthyer Vidovdanit në kohën e Millosheviqit. Thaçi shtoi se kjo çështje ka për qëllim vetëm nxitjen urrejtjen mes popujve, e në veçanti siç thotë ai “kjo i shkon për shtati veç, Aleksandër Vuçiqit dhe politikës së tij”. “Absolutisht, Vidovdani nuk ka të bëjë fare me Komunën e Obiliqit. Komuna e Obiliqit asnjëherë nuk ka qenë organizatore e Vidovdanit. Më 15 qershor kanë qenë disa historianë që kanë mbajtur një tribunë, pasi ata konsiderojnë se ajo është data e Betejës së Kosovës. Komuna e Obiliqit nuk ka të bëjë aspak me çështjen e Vidovdanit. E di që është tendencë e Serbisë, e në veçanti e Aleksandar Vuçiqit, që Vidovdanin ta kthejë në simbolikën që është tentuar edhe në vitin 1989 nga Sllobodan Millosheviqi. Këto pretendime nuk qëndrojnë. Komuna e Obiliqit nuk ka të bëjë asgjë me organizimet që pritet të zhvillohen në Gazimestan”, tha Thaqi për KosovaPress. Momçillo Trajkoviq është edhe anëtar i Kryesisë së Këshillit Kombëtar Serb në Kosovë, i cili ka qenë njeri nga politikanët kryesorë serb në Kosovë para dhe në një periudhë pas luftës së Kosovës. Ndërkaq, ushtria e Serbisë do të organizojë një stërvitje ushtarake në poligonin “Pasuljanske Livade” më 28 qershor të këtij viti, ditë kjo që përkon me ‘Betejën e Kosovës’, apo të ashtuquajturën nga serbët “festë e Vidovdanit”. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka përshkruar këtë stërvitje si më të rëndësishmet deri më tani për Serbinë, ku edhe do të prezantohet armatimi më i ri i ushtrisë serbe. Lidhur me këtë, drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Siguri, Mentor Vrajolli për KosovaPress ka vlerësuar se ushtrimi nuk paraqet domosdoshmërisht rrezik të drejtpërdrejtë për Kosovën, por simbolika e tij bart mesazhe politike në raport me Kosovën. Beteja e Kosovës u zhvillua më 28 qershor (15 qershor sipas kalendarit të vjetër), 1389 në fushën e Kosovës, midis koalicionit të ushtrive të popujve të Ballkanit, të prirë nga princi Lazar dhe forcave otomane të udhëhequra nga sulltani Murati I (mbretëroi 1360–89). Beteja ishte e ashpër dhe në të u vranë të dy liderët, Princi Llazar dhe Sulltan Murati, si dhe shumë princër tjerë. Të dy ushtritë gati se u zhdukën fare. Nuk ka shumë të dhëna për Betejën e Kosovës e madje shumica e këtyre të dhënave janë kontradiktore me njëra tjetrën.