Thaçi i sigurt: Ndarje nuk do të ketë; Kosova do marrë përgjegjësitë për shqiptarët e Luginës NULL NULL 26.07.2018 13:37 26.07.2018 13:37 Ndarje të Kosovës nuk do të ketë dhe marrëveshja mes Kosovës e Serbisë do të jetë marrëveshje mes dy shtetesh. Kështu ka thënë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas një takimi të mbajtur me të gjithë përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, me të cilët ka biseduar për gjendjen e shqiptarëve në Serbi, njofton Klan Kosova. “Arritja e marrëveshjes përfundimtare është me gjasa të pakta – me gjasa veç teorike, një shans minimal, gjasë shumë e vogël e arritjes së marrëveshjes. Unë uroj që të ndodhë mrekullia. Por, ne do të shikojmë se cili është interesi i Kosovës nga kjo marrëveshje”. Lajmet “poshtë e lartë” për ndarjen e shteti presidenti i ka quajtur të pavërteta, ndërsa ka thënë se Kosovës i takon që të merret me problemet e shqiptarëve në Serbi dhe kjo nuk duhet ta frikësojë askënd – as Beogradin. “Si president i Kosovës dhe të gjitha institucionet e Kosovës e kemi obligim që jo vetëm të dëgjojmë me vëmendje cilat janë problemet kryesore që i preokupojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës. Kosova suksesshëm ka mbushur 10 vjet të shtetësisë dhe tani më shumë se kurdoherë më parë, duhet të marrë përsipër përgjegjësitë që i takojnë për shqiptarët e Luginës së Preshevës”, ka deklaruar Thaçi. “Kosova respekton tërësinë territoriale të Serbisë por nuk mund t’i mbyllë sytë përgjithmonë para padrejtësive. Serbia njëjtë si çdo shtet tjetër e ka për obligim që të respektojë dhe afirmojë të drejtat e grupeve të tjera, fatkeqësisht Serbia është ende shumë larg përmbushjes së këtyre standardeve”. “Nuk ka asnjë fshehtësi, nuk ka asgjë të pazakonshme dhe askush nuk duhet të frikësohet nga interesimi legjitim i institucioneve për të diskutuar dhe adresuar problemet reale të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”. “Kosova dhe institucionet shtetërore do të përdorin çdo mjet legjitimi dhe demokratik për të mbrojtur dhe avancuar të drejtat kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Dua të besoj se autoritete në Beograd do të mirëpresin të qetë interesimin tonë ashtu siç ne respektojmë interesimin e Serbisë për qytetarët serbë shtetas të Kosovës”. “Bashkimi Europian nuk mund të veprojë me standarde të dyfishta”. klankosova.tv
Kosova Haradinaj reagon pas sulmit ndaj Valon Sylës: Fjala e lirë është garancë e demokracisë 12/04/2023