Terras: Zgjedhjet e reja, opsioni i fundit – mosformimi i institucioneve bllokon integrimin evropian NULL NULL nga Liridona Gashi 03.07.2025 12:15 nga Liridona Gashi 03.07.2025 12:15 Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka qenë i zëshëm me kritika ndaj parlamentarëve për formimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, prej të cilëve e kërkoi sa më shpejt konstituimin. Në një intervistë ekskluzive për Klankosova.tv, ai ka deklaruar se Kosova duhet që brenda 30 ditëshit të përcaktuar nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të formojë institucionet e reja për çka u shpreh se do hapeshin rrugë që BE edhe ta lironte Prishtinën zyrtare nga masat aktuale ndëshkuese. Sipas tij bllokimi duhet të largohet por zgjedhjet e reja duhet të jenë opsioni i fundit, derisa thekson se Kosovës problem ngërçi politik po i shkakton edhe rrugës drejt integrimit evropian. Intervista e plotë e Riho Terras për Klankosova.tv: Klankosova.tv: Kosova është ende pa institucione të reja, cili është mesazhi juaj për politikanët e Kosovës, çfarë shihni si zgjidhje? Terras: Para së gjithash, të gjitha partitë kryesore në Kosovë janë fuqishëm në favor të integrimit në BE dhe kjo është një shenjë pozitive për interesat e ndërsjella dhe zgjerimin e BE-së. Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për t’i dhënë Parlamentit 30 ditë për të zgjedhur një kryetar dhe nënkryetarët është një detyrim, jo një rekomandim. Pra, ai duhet të çojë në një rezultat konkret. Nëse Parlamenti ende nuk arrin të krijojë një lidership funksional, Kryeministri Kurti mund të vazhdojë të jetë kryeministër në detyrë, duke vepruar si kryeministër, megjithëse pa një mandat formal. Sipas mendimit tim, zgjedhjet e reja duhet të jenë një opsion i fundit. Në fund të fundit, sa më shpejt që Kosova ta zgjidhë bllokimin aktual, aq më mirë për të gjithë. Klankosova.tv: Çfarë dëmi i shkakton kjo bllokadë politike Kosovës në aspektin e integrimit evropian? Terras: Kjo është pengesa e parë thelbësore që duhet të kapërcejmë në mënyrë që të ecim përpara me të gjithë procesin e zgjerimit dhe të rikthejmë fondet e BE-së. Por vetëm kjo, sigurisht, nuk është e mjaftueshme për integrimin e plotë. Raporti i fundit përshkruan sfidat afatgjata që ende na presin. Kosova ka bërë përparim të madh në disa fusha, por ende kërkohen përmirësime të rëndësishme. Politika e konkurrencës mbetet një çështje thelbësore, pasi pa një mbikëqyrje të duhur, rrezikohet drejtësia dhe balanca në treg. Sektorët e arsimit dhe shëndetësisë janë po ashtu prioritare, pasi luajnë rol kyç në zhvillimin e aftësive të individëve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës. Klankosova.tv: Gjatë vizitës në Kosovë, Kaja Kallas tha se BE do të fillojë heqjen e masave. A keni parë ndonjë përparim në këtë drejtim? Terras: Këtu hasim të njëjtën pengesë, të përmendur tashmë – formimin e një qeverie funksionale. Kjo është detyra e parë dhe më e rëndësishme, sepse vetëm atëherë BE mund të normalizojë marrëdhëniet dhe të rifillojë financimin dhe projektet e zhvillimit. Klankosova.tv: Ju keni qenë kritik ndaj vizitës së fundit të Aleksandar Vuçiq në Rusi. A mendoni se Bashkimi Evropian ka reflektuar mbi qasjen e tij ndaj Serbisë që nga 9 maji? Terras: Kolegët e mi eurodeputetë e dënuan vizitën, si dhe vizitën pasuese të Presidentit të Këshillit Evropian Costa në Serbi për të takuar presidentin Vuçiq. Unë shkrova një letër të hapur duke i kërkuar presidentit Costa të anulonte takimin e tij të planifikuar me Vuçiq për shkak të pjesëmarrjes së këtij të fundit në festimet e 9 majit në Moskë. Fatkeqësisht, takimi u zhvillua, megjithëse reagimet ndaj letrës sime ishin shpërthyese. Siç e thashë atëherë, dhe e përsëris edhe tani: ‘Presidenti i Serbisë tregoi se nuk është në përputhje me vlerat dhe qëllimet e BE-së. Vizita e presidentit Costa në Serbi që pasoi ishte një turp dhe një dështim diplomatik për Bashkimin Evropian’. /Klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova "Mjeku e mbyti", rrëfimi tronditës i djalit që i vdiq babai pas një komplikimi gjatë operacionit (VIDEO) 4 orë më parë