Tentoi të vriste vjehrrën me veturë, arrestohet 28-vjeçari në Lezhë NULL NULL 27.06.2026 10:41 27.06.2026 10:41 Një 28-vjeçar nga Tirana është arrestuar nga Policia e Lezhës, pasi dyshohet se tentoi të vriste nënën e bashkëjetueses së tij duke e përplasur me automjet. Ngjarja ndodhi rreth orës 02:05 në lagjen “Skënderbeg” në Lezhë. Sipas Policisë, i riu me inicialet C. B. kishte shkuar me makinë për të marrë bashkëjetuesen e tij, por në atë moment kanë dalë familjarët e saj. Për motive që lidhen me marrëdhëniet familjare, ai dyshohet se ka përplasur me automjet nënën e bashkëjetueses, K. H., 43 vjeçe, duke i shkaktuar dëmtime trupore, e më pas është larguar nga vendi i ngjarjes, shkruan vizionplus.tv, transmeton klankosova.tv. Falë reagimit të menjëhershëm të uniformave blu, në kuadër të operacionit policor të koduar “Reagimi”, 28-vjeçari u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga. E dëmtuara u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku vijon të marrë ndihmë mjekësore. Policia sekuestroi automjetin e përdorur në ngjarje si provë materiale, ndërsa ndaj të arrestuarit rëndon akuza për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.