Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Telekomi mohon akuzat e Kocit, por pranon që nuk ua paguan punëtorëve sigurimin shëndetësor (VIDEO)

NULL NULL
07.12.2022 22:58

Si të panevojshëm e ka konsideruar Telekomi i Kosovës interesimin e KIKS-it për kriteret e çuditshme të caktimit të punëtorëve në pikën e valës në Aeroportin e Prishtinës.

Një kriter i cili u pa në disa emaile që i siguroi Kiks Kosova, të cilat datonin që nga viti 2018, e që realisht ishin komunikime mes zëvendësdrejtorit të shitjes dhe punëtorëve, ku theksohej se personat që duhet të transferohen në pikën në Aeroportin e Prishtinës duhet të ishin të gjinisë femërore dhe të reja.

Telekomi, përmes një përgjigjeje me shkrim për KIKS Kosovën, është arsyetuar se gjendja tashmë nuk është e njëjtë, pasi këto, sipas tyre, ndodhën në të kaluarën.

Por punëtorja e Telekomit, Blinerë Koci, thotë të kundërtën.

Në një rrëfim për KIKS Kosovën, Blinerë Koci, e cila është edhe nënë vetushqyese, përveç kësaj bëri edhe një mori ankesash të tjera kundrejt menaxhmentit dhe institucionit ku punon.

Ajo ka thënë se ndërrimi i lokacionit të punës po ia vështirëson jetën si nënë vetushqyese, pasi që po detyrohet që brenda ditës të udhëtojë në relacionin Prishtinë-Aeroport.

Leonora Sylaj, e cila ushtron pozitën e drejtoreshës së Burimeve Njerëzore brenda Telekomit të Kosovës, ka thënë se prioritet për ta është që të mos bëjnë përjashtime mes punëtorëve dhe të trajtohen në mënyrë të barabartë.

Syla ka hedhur poshtë pretendimet e Kocit, që gjatë muajit të transferimit në pikën e Aeroportit, do t’i duhet të punojë 31 ditë të muajit, pa as edhe një ditë pushim.

Ajo ka theksuar se do të ketë prishje të rutinës së punës, por jo punë pa pushim.

Edhe pse kundërshtime pati pothuajse për çdo ankesë që Blinerë Koci drejtoi kundrejt Telekomit, në një pikë Leonora Sylaj u pajtua me atë që Koci kishte rrëfyer për KIKS Kosovën.

Ajo pranoi që për shkak të gjendjes financiare brenda Telekomit, kjo ndërmarrje publike ka disa vite që punëtorëve të saj nuk ua paguan sigurimin shëndetësor. /Klankosova.tv

lajme të ngjashme