Të lexuarit me empati NULL NULL 08.08.2022 19:54 08.08.2022 19:54 Profesori i letërsisë, Daniel R. Schwarz, konsideron që një lexues i mirë është ai lexues që është empatik me tekstin të cilin e lexon, përderisa arrin ta ruajë gjykimin e vet. “Ka gjithmonë një ekuilibër midis dorëzimit të vetes suaj ndaj një teksti përderisa e lexoni. Empatia është një fjalë e mirë, dhe leximet kritike në të cilat e ruani gjykimin tuaj. Është gabim që të mendoni që nuk mund të futeni në botën e dikujt që është ndryshe. Shembulli juaj me këtë intervistë po tregon që deri diku ju po empatizoni dhe po i përgjigjeni librit tim”, ka thënë Schwarz. “Në një intervistë tjetër që pashë ju po ashtu i ishit përgjigjur Stephen Greenblattit, dhe mund ta vërej edhe nëse e intervistoni një person të tretë javën e ardhshme. Ju e bëni këtë sepse kur lexojmë, ne futemi në atë botë, por ne prapë e vëmë re racizmin te Konradi, antisemitizmin te Poundi, dhe ka tekste që janë të neveritshme. Për shembull, nuk mund t’ua mësoj Selinin, antisemitin francez. Si hebre, unë thjesht nuk mund ta bëj këtë. Nëse e kam mundësinë t’ua mësoj një tekst nga Poundi, ose nga, le të themi, Wallace Stevensi i cili ishte po ashtu racist por jo aq sa Poundi, ju duhet t’i vini në dukje këto gjëra, sepse ka tekste që janë të neveritshme për ne, për shembull një grua që është abuzuar seksualisht, është problematike t’ua mësosh diçka të tillë”. “Mirëpo, mendoj që po ashtu që ka hapësirë për të dhënë paralajmërime. Për shembull, kur lexojmë romanet ruse, ekziston një hierarki shoqërore. Ka njerëz që janë bujkrobër dhe që u shërbejnë pronarëve të tyre, dhe ata ndodhen në prapavijë, dhe ju nganjëherë e krijoni një lloj sensi se si operon sistemi, për shembull, te Ana Karenina”. Ai thotë se jemi të limituar nga perspektivat tona si lexues, porse njashtu duhet kujtuar se gjërat ndryshojnë me kohën. “Prandaj, mendoj që ne duhet të jemi të vetëdijshëm se çfarëdo lexojmë për sa i përket strukturës klasore, racës, dhe qartazi grave që nuk kanë ndonjë mundësi. Për shembull, nëse e lexoni Middlemarch, njëra prej gjërave që George Ellioti shpërfaq – dhe ju vetëm duhet ta shihni teksa ajo e bën një gjë të tillë – është që grave nuk u jepet mundësia. Një grua brilante nuk do të shkojë në shkollë të mjekësisë, dhe ajo është thjesht mënyra se si qëndronin punët. Kur ju jepni mësim për Uliksin, ju e vëni në pah që Molly është e paarsimuar, por shumë intuitive dhe e mençur dhe që e di se çfarë po ndodh. Prandaj, ju hyni në një botë empatikisht dhe ju e kuptoni se çfarë po ndodh, por nuk e injoroni atë gjë. Mendoj që ju e vini në pah. Ju e vini në dukje misogjininë te Konradi. Mirëpo ju sërish mund ta lexoni librin duke e ditur se çfarë është duke ndodhur”. “Madje, edhe në tekstet moderne ka gjëra që lihen jashtë. Kur e lexova romanin fitues të Pulitzerit, Netanjahët, nga Joshua Cohen, kishte shumë gjëra që ishin lënë jashtë. Dhe në të vërtetë diçka e tillë ndodh. Ndodh edhe në Cornell. E kam njohur babanë e Netanjahut, i cili ishte një shkollar i vjetër e nevrik, dhe ju lexoni gjithmonë me gjykim. Unë nganjëherë e përdor sensin e qarkut në të cilën ndodheni. Autori është sikur në një seksion të një rrethi, dhe autori po e prezanton pikëpamjen e vet dhe ju e vizatoni një qark të gjykimit rreth atij teksti”. “Ju e bëni këtë jo vetëm për rrëfimtarin e pabesueshëm te Shoqëruesi i fshehtë, por edhe me rrëfyesit e gjithëdijshëm. Ju e pyesni veten tuaj se çfarë është përfshirë e çfarë është lënë jashtë. Njëra nga gjërat që e përmenda sot ishte ndryshimi klimatik. Njerëzit nuk janë tërësisht të vetëdijshëm se çfarë ndodhte në shekullin e nëntëmbëdhjetë se sa që janë sot. Kur i lexojmë romanet tona në shekullin njëzetenjë, do të ketë gjëra që janë lënë jashtë. Do të ketë gjëra që do të jenë të njohura – që ajo që e dimë ndryshon, dhe çfarë secili kritik dhe lexues di, ndryshon. Të gjithë jemi të limituar nga perspektivat tona, por ajo që mund ta provojmë të bëjmë është që të mendojmë se si do të dukej bota teksa e lexojmë një tekst. nëse ka mundësi dhe raste për të gjithë, dhe kjo përfshin gjëra që njerëzit nuk i kontrollojnë individualisht.