Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Studentët e helmuar të Gjakovës, po thonë se helmimi ishte me tendencë

NULL NULL
26.05.2016 12:11

Të mërkurën rreth 40 studentë të Universitetit të Prishtinës “Fehmi Agani” në Gjakovë, janë helmuar në mensën e këtij qyteti nga ushqimi dhe kjo po mendohet se është bërë me tendencë.

Këtë po e thonë disa studentë të këtij universiteti ndërsa Ardit Halilaj, përfaqësuesi i studentëve të këtij Universiteti, ka thënë për KlanKosova.tv, se ka ende studentë që janë të shtruar në spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë pasi nuk janë në gjendje të mirë shëndetësore pas helmimit.

Sipas disa studentëve, kjo është bërë me qëllim për t’i penguar ata të marrin pjesë në protestën e paraparë për të enjten, ku studentët do t’i paraqisnin kërkesat e tyre karshi Universitetit.

“Sot kemi protestuar në mënyrë paqësore para Universitetit. Kërkesat tona janë të shumta, por kryesorja është largimi i Ushtrueses së Detyrës së Sekretares së këtij Universiteti, Linda Dula Halilabazit e cila është ofenduese, shantazhuese dhe po ndikon te profesorët në provimet tona”, ka thënë Halilaj për KlanKosova.tv.

Ai thotë të kenë kërkuar takim me rektorin e këtij universiteti, Shaban Buza, i cili ka pranuar vetëm pas shumë përpjekjeve që këta studentë i kanë bërë.

“E kemi kontaktuar disa herë në telefon Buzën, e më pas ai pranoi të takohej. Takimi me të ka zgjatur 30 minuta por s’kemi arritur asnjë zgjidhje. Ne po kërkojmë që Linda Dula Halilabazi të largohet nga pozita, për këtë kemi mbledhur edhe 466 nënshkrime. Mirëpo, ai na tha se për këtë s’është kompetent”.

Pasi Halilaj ka thënë se ka ende studentë në gjendje të rëndë shëndetësore nga helmimi, Klankosova.tv ka provuar të kontaktojë me drejtorinë  spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë, mirëpo nuk ka mundur të bie në kontakt për shkak se telefonin e kishte të mbyllur.

Në anën tjetër, klankosova.tv ka provuar që të kontaktojë edhe me Aqif Shehun, drejtorin e mensës së Gjakovës mirëpo as ai nuk e ka hapur telefonin.

Në protestën e sotme, Halilaj ka thënë të kenë qenë prezentë 40 studentë të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.