Stevanoviq pranon “fajin”, kthehet shefe në Gjykatën e Mitrovicës (VIDEO) NULL NULL nga Rina Mujku 10.05.2022 20:17 nga Rina Mujku 10.05.2022 20:17 Pas suspendimit të gati para dy muajsh, kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Ljiljana Stevanoviq, këtë të martë, është rikthyer në punë si drejtuese e këtij institucioni. Klan Kosova merr vesh se gjatë kësaj kohe Stevanoviq nuk e ka pushuar detyrën e saj si gjyqtare, por masa disiplinore e suspendimit e marrë ndaj saj nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka përfunduar sot. Ljiljana Stevanoviq ishte suspenduar nga puna më 24 mars të këtij viti pasi e njëjta qe e pranishme në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Serbisë i thirrur nga presidenti Aleksandar Vuçiq, të hënën e 22 marsit në Beograd. Klanit ia konfirmoi rikthimin e Stevanoviqit edhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, i cili tregoi se kryetarja e Themelores në Mitrovicë ka arritur marrëveshje me panelin hetues. Gjyqtarja e ka pranuar veprën, pra pjesëmarrjen në takimin e thirrur në Beograd dhe paneli i ka vendosur asaj një masë tjetër disiplinore. Se cili është ndëshkimi nuk u bë e ditur për shkak se rasti është ende në procedurë. Këshilli Gjyqësor i Kosovës po heton edhe dy gjyqtaret tjera të Mitrovicës poashtu pjesëmarrëse, Dragica Jakovljeviq dhe Lidija Vuçuroviq, sipas dispozitave ligjore për përgjegjësinë disiplinore, por për asnjërën nuk ka ende vendim. Siç Klani pat raportuar ekskluzivisht, gjyqtaret si përfaqësuese institucionesh si asnjëherë më parë u panë në mbledhjen ku po diskutohej për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe të 3 prillit të cilat më vonë Republika e Kosovës nuk lejoi të mbahen brenda territorit të saj. Si rëndom në këso mbledhje të pranishëm qenë edhe individë që janë pjesë e strukturave paralele dhe politikanë nga Lista Serbe. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Rezervoi bileta pa asnjë cent, Mërgim Gashi kthen borxhin pas hulumtimit të Kiks Kosova (VIDEO) 03/07/2025