Spiunazhi në dëm të UÇK-së: Kush e ndihmoi BIA-n serbe? (VIDEO) NULL NULL nga Donjeta Murselaj 07.03.2025 19:29 nga Donjeta Murselaj 07.03.2025 19:29 Ndaj dy të akuzuarve për spiunazh, të cilët u arrestuan më 5 qershor të 2024-ës, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë më 20 shkurt të 2025-ës. Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi po akuzohen se bashkëpunuan me Agjencinë e Inteligjencës së Serbisë, duke i dërguar informacione, dokumente e materiale të tjera të cilat, sipas Speciales, e rrezikuan sigurinë e Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, raporton Kiks Kosova. Seanca e shqyrtimit fillestar filloi më 5 mars të 2025-ës, e cila përkoi me 26 vjetorin e fillimit të sulmeve të Serbisë ndaj familjes Jashari, në Prekaz. Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurori special, Bekim Kodraliu, Bedri Shabani e ka ndihmuar BIA-n e Serbisë në dëm të UÇK-së, eprorëve dhe luftës së saj. Shabani, i cili kishte punuar si doganier në ish-pushtetin e Millosheviqit dhe në kohën e UNMIK-ut deri në vitin 2004, akuzohet se i ka dhënë Serbisë informacione edhe për masakrën e Reçakut. Këto informacione, prokurori e akuzon Shabanin se ia ka transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-së, Sërgjan Rasiq, si dhe kolonelit Bogulub Janiçijeviq, ish-komandant i Milicisë së Serbisë për regjionin e Ferizajt gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe udhëheqës i operacionit policoro-ushtarak në masakrën e Reçakut. Në aktakuzë thuhet se këto informacione Shabani ua kishte përcjellë atyre përmes postës elektronike, telefonit dhe takimeve fizike të cilat ishin zhvilluar në Serbi. Detajet e aktakuzës mund t’i gjeni në videon më poshtë: