Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Spinalonga, ishulli i dashurisë për jetën

NULL NULL
11.05.2015 12:25
Ishulli i vogël i Spinalongës ka qenë gjithmonë aty, prej shumë e shumë kohësh, aty përballë ishullit të madh të Kretës, i vogël dhe ftues. Historia e tij dhe e banorëve që e populluan atë gjatë gjysmës së parë të shekullit të 20, histori së cilës i kushtohet ky roman, është sa e pabesueshme aq edhe e vërtetë, e dhimbshme, shenjësuese, tronditëse, frymëzuese dhe e papërsëritshme.

Dashuritë janë më të forta se sëmundjet. Ato lulëzojnë në kohë kolere, si në kryeveprën e Markezit dhe mposhtin lebrën dhe ngadhënjejnë mbi vdekjen si në rastin e “Ishullit”, romanit të Hislop. Mbi të gjitha, dashuritë e personazheve të saj janë të dashuruar dhe me jetën.

Shkrimtarja angleze ishte e ftuar nga Shtëpia botuese “Toena” në “Tirana Open”, për promovimin në gjuhën shqip të romanit të saj

Edhe kur të duket se jeta është e shkurtër, ajo mund të jetohet në gjithë plotësinë e saj.

Në fund të fundit, të gjithë jemi të destinuar të vdesim. Jeta rrëshqet çdo ditë drejt fundit…kështu shprehej pak ditë më parë shkrimtarja angleze, Victoria Hislop, e ftuar në Tiranë për promovimin në gjuhën shqipe të romanit të saj “Ishulli”, një histori mbijetese, por mbi të gjitha një histori dashurie.

Ndërsa Hislop u dashurua me Kretën, duke e lënë profesionin e gazetares për t’u shndërruar në një shkrimtare. Romani i saj “Ishulli” e bëri të njohur ndërkombëtarisht duke u shndërruar në një bestseller me mbi 2.000.000 kopje të shitura në të gjithë botën, tashmë edhe në gjuhën shqipe si botim i Shtëpisë “Toena”.

Ishte pikërisht Shtëpia botuese “Toena” që e ftoi shkrimtaren në kuadrin e organizimit të Festivalit të Librit dhe Arteve “Tirana Open”, ku Hislop ndau eksperiencën e të shkruarit të këtij libri, e cila është një histori tjetër, ndoshta e denjë për një subjekt romani.

Spinalongën, ishullin famëkeq, më të madhin e rajonit të Kretës, të mbetur gati si një tokë  fantazmë qysh prej vitit 1957, Hislop e vizitoi si turiste. Ishulli u përdor si koloni lebrozësh nga viti 1903 deri më 1957-ën. Ishte një prej kolonive të fundit të lebrozëve në Europë.

Banori i fundit, thuhet të ishte një prift, i mbetur në ishull deri më 1962. Kjo për të mbajtur traditën fetare të kishës ortodokse greke, në të cilën një njeri i varrosur duhet të përkujtohet në intervalet e 40 ditëve, 6 muajve, 1 viti, 3 vjetësh dhe 5 vjetësh pas vdekjes.

Historia, atmosfera, harresa që kish mbetur pas perdesh të vjetra e të rrënuara apo ndonjë kryqi kishe ishin habitati i përkryer për të ndërtuar një roman.

Mbi ngjarjen e vërtetë atë të Spinalongës si ishulli i komunitetit të lebrozëve,  që përjashtoheshin nga shoqëria  për t’u izoluar përjetësisht aty, derisa sëmundja ende pa një kurë të bënte ciklin e saj, ajo ndërtoi histori njerëzish që dashuronin dhe thurnin ëndrra në këtë ishull.

Eleni, Maria, Ana, Jorgji, Dhimitri, Manoli, Sofia, Andoni, Fotinia, Aleksis janë personazhe të ndërtuara me aq mjeshtëri nga autorja britanike Victoria Hislop, sa herë-herë të duket sikur ajo ka lindur e ka jetuar në Kretë gjithë jetën e vet.

Në fakt ajo është dashuruar aq shumë me këtë vend, saqë ka blerë një shtëpi në Kretë, një shtëpi për të shkruar.

Për të shkruar këtë roman, ajo e ka njohur nga afër natyrën kretiane, ka lexuar e ka hulumtuar libra e dokumente mbi traditat dhe kulturën, mënyrën e jetesës dhe ka takuar  banorë vendas që kishin shumë për të rrëfyer mbi atë ishull.

Manoli Fundulakis, ishte një burrë tek të  tetëdhjetat me  kujtesë të fortë dhe shenja të gjalla nga ajo kohë. Një prej kushërinjve të tij e kishte vuajtur sëmundjen në Spinalonga dhe ai vetë nuk i kishte shpëtuar dot lebrës, por ishte kuruar në Athinë.

Megjithëse autorja ka rrëfyer se ka vuajtur dhe është trishtuar për fatin e personazheve të saj,  romani është një rrëfim ngadhënjimi, aty ku dashuria dhe jeta fitojnë mbi vdekjen.

Të sëmurët e Spinalongës në librin e Hislop, jetonin, komunikonin, dashuroheshin, martoheshin e thurnin ëndrra për të ardhmen si të gjithë njerëzit. Historia e tyre e mahnitshme, dëshira dhe dashuria e tyre për jetën, betejat e tyre të përditshme të vogla e të mëdha, ambiciet njerëzore, dashuritë e lindura mes dëshpërimit dhe shpresës janë thelbi i  kësaj proze.

Libri është përshtatur si skenari i serialit “To Nisi” në Greqi, i transmetuar edhe për publikun shqiptar.  Për realizimin e skenarit të 26 episodeve të serialit, Hislop ka bashkëpunuar ngushtë me regjisorin dhe shprehet e kënaqur nga puna dhe rezultati.

Gjatë vizitës së saj në Tiranë, ajo  tregoi interes për vendet ku internoheshin shqiptarët gjatë periudhës së diktaturës komuniste.

“Ne nuk mund të ulemi dhe të mendojmë pafundësisht për vdekjen që rrëshqet para syve tanë. Ne duhet të ngrihemi dhe të jetojmë”- është ky mesazhi i fundmë i autores për lexuesin.

Romani “Ishulli” është botuar për herë të parë më 2005 dhe falë suksesit që ai pati, Victoria Hislop u shpall Newcomer of the Year nga Galaxy British Book Awards 2007 dhe fitoi konkursin Richard & Judy Summer Read. Përveç romanit “Ishulli” ajo ka botuar edhe romanet “Kthimi” (2009), “Kërcënimi” (2012), “Kërcimi i fundit” (2013) dhe “Lindja e diellit” (2014) – i cili vazhdon të jetë i listuar si një nga librat më të shitur në Angli që prej botimit të tij.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.