Specia e re e dinozaurit është më e madhja e gjetur në Australi NULL NULL 16.06.2021 09:36 16.06.2021 09:36 Shkencëtarët në Australi e kanë klasifikuar një specie të re të dinozaurit, të zbuluar në vitin 2007, si më të madhen të gjetur ndonjëherë në kontinent. Skeleti i tij u zbulua për herë të parë në një fermë në jug-perëndim të Queensland. Australotitani cooperensis, ose i njohur si “titani jugor” i emëruar sipas vendit ku u gjet, është në mesin e 15 dinozaurëve më të mëdhenj të gjetur në gjithë botën. Ekspertët besojnë që ky titanosaur mund të kishte qenë i gjatë deri në 6.5 metra dhe i gjerë 30 metra, apo sa një fushë basketbolli, transmeton Klankosova.tv. Paleontologët kishin punuar gjatë dekadës së fundit për ta identifikuar dinozaurin – duke e dalluar atë nga speciet e tjera të njohura, përmes krahasimit të skanimeve të kockave të tij me ato të sauropodëve. Sauropodët ishin dinozaurë bimë-ngrënës të njohur për madhësinë e tyre. Ata kishin kokë të vogël, qafë shumë të gjatë, bisht të gjatë, si dhe këmbë të trasha. Këta dinozaurë endeshin në kontinent gjatë periudhës së Kretaceut, rreth 92-96 milionë vjet më parë. Procesi i identifikimit ka qenë i gjatë për shkak të vendndodhjes së largët të eshtrave, si dhe madhësisë së tyre dhe gjendjes delikate. Ekipi zbuloi se Australotitani ishte i lidhur ngushtë me tri specie të tjera të sauropodëve – Wintonotitan, Diamantinasaurus dhe Savannasaurus. “Duket se dinozaurët më të mëdhenj të Australisë ishin të gjithë pjesë e një familje të madhe të lumtur”, ka deklaruar Dr. Scott Hocknull, një nga studiuesit kryesorë të këtij zbulimi.