Si ta largoni shpejt mjekrën e dyfishtë? NULL NULL 15.06.2021 22:04 15.06.2021 22:04 Fytyra shpesh konsiderohet si porta e shpirtit. Shqetësimet, mendimet dhe dëshirat tuaja, të gjitha shfaqen në fytyrë në një farë mënyre ose tjetrën. Përtej këtij nocioni filozofik, çdo gjë që hani dhe sado aktivë të jeni, ju reflekton në fytyrë po ashtu. Një nga tiparet shqetësuese të fytyrës për shumë njerëz është mjekra e dyfishtë. Ajo është shtresa e lëkurës midis qafës dhe fytyrës. Zakonisht shkaktohet nga shtresa e dhjamit poshtë mjekrës përpara qafës. Teksa mbipesha ose obeziteti në përgjithësi shkaktojnë mjekër të dyfishtë, ju edhe mund të jeni në peshë normale, por gjithsesi të keni një mjekër të dyfishtë. Kjo mund të jetë për shkak të arsyeve gjenetike, si rezultat i procesit të plakjes ose qëndrimit jo të duhur. Ndonjëherë, funksioni i dobët i tiroides ose alergjitë në sinus mund të shkaktojnë edhe mjekra të dyfishta. Cilido të jetë shkaku, shumica e njerëzve duan të heqin qafe mjekrën e dyfishtë dhe të kenë nofull të gdhendur. Mjekra e dyfishtë gjithashtu mund t’ju bëjë të dukeni më të vjetër se sa jeni në të vërtetë. Por, ekzistojnë disa opsione për ta hequr qafe duke filluar nga stërvitja, ndryshimet në dietë e deri te opsionet invazive – siç është operacioni. Ushtrimet: Ekzistojnë disa ushtrime që mund t’ju ndihmojnë ta hiqni qafe mjekrën e dyfishtë me përpjekje të rregullta dhe të qëndrueshme. Kryejini ushtrimet pas zgjatjes së muskujve dhe ngrohjes së duhur. Disa nga këto përfshijnë: Nofulla drejt: Për të kryer këtë ushtrim, filloni duke anuar kokën prapa dhe duke parë lart në tavan. Shtyni nofullën e poshtme përpara në mënyrë që të ndjeni një shtrirje nën mjekër. Mbajeni pozicionin për rreth 10 sekonda. Relaksohuni dhe kthehuni në pozicionin neutral. Përsëriteni 10-15 herë çdo ditë. Fytyrë peshku: Për këtë ushtrim, mbushini me ajër faqet dhe buzët për të formuar një fytyrë që duket si një gojë peshku. Mbajeni këtë pozicion për rreth 5-10 sekonda. Relaksohuni dhe përsërisni sa më shpesh që të mundeni. Shtrirja e qafës: Poza “Brahma mudra” ose Lord Brahma është një pozë e shkëlqyeshme e jogës për të tonifikuar muskujt e qafës. Uluni rehat dhe ngadalë ktheni qafën djathtas dhe mbajeni qëndrimin. Tani kthejeni qafën në të majtë dhe mbajeni. Kthehuni në pozicionin neutral dhe shikoni lart. Pastaj kthehuni në pozicionin neutral dhe shikoni poshtë në mënyrë që të përpiqeni ta prekni me mjekër pjesën e sipërme të gjoksit. Përsëriteni të gjithë ciklin 5-10 herë çdo ditë. Ushtrim me top: Uluni ose qëndroni të qetë. Merrni një top të vogël që shtrydhet dhe vendoseni nën mjekër. Shtrydhni ngadalë topin me mjekër. Përsëriteni 15-20 herë. Fryrja e ajrit: Uluni në një pozicion të rehatshëm. Shikoni lart drejt tavanit. Fryni ajrin nga goja ndërsa mbani buzët të bashkuara. Bëjeni këtë për rreth 15-20 sekonda, relaksohuni dhe përsëriteni sa më shpesh që të mundeni. Dieta dhe aktiviteti fizik: Yndyra e fytyrës dhe mjekra e dyfishtë mund të jenë rezultat i një diete jo të shëndetshme dhe e mungesës së aktivitetit fizik. Meqenëse zvogëlimi i yndyrës nga ndonjë pjesë e trupit nuk është e mundur, përqendrohuni në ruajtjen e shëndetit të përgjithshëm duke ngrënë fruta dhe perime sesa ushqime të përpunuara. Një regjim i rregullt ushtrimesh që përfshin gjimnastikë, trajnim force dhe aktivitete të tjera, do t’ju mbajë në formë dhe gjithashtu do të zvogëlojë dhe mjekrën e dyfishtë. Kirurgjia: Procedurat kozmetike si liposuksioni, ngritja e fytyrës dhe ngritja e qafës mund t’ju ndihmojnë të hiqni qafe mjekrën e dyfishtë. Acidi deoksikolik: Marrja e injeksioneve të acidit deoksikolik kimik nga një mjek i trajnuar, gjithashtu ndihmon në heqjen e mjekrës së dyfishtë. Nevojiten injeksione të shumëfishta dhe mund të duhen rreth 3 deri në 6 seanca për të parë rezultatet. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.