Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Si e sheh Lubonja korruptimin e Elian Taninit nga Veliaj

NULL NULL
01.06.2016 17:29

Sot në 1 qershor kur Erion Veliaj përuronte parkun e fëmijëve, një nga kundërshtarët e tij më të mëdhej, Elian tanini, po protestonte i vetëm para parkut. “Shokët” e tij të armëve e kishin braktisur atë pasi ai pranoi një çmim artistik nga njeriu që e kishte rahur dhe dhunuar: Erion Veliaj.

Pikërisht kësaj kundërthënie, asaj mes Elianit qytetar që proteston dhe Elianit artist që miklohet nga pushteti i ka kushtuar një shkrim të gjatë Fatos Lubonja. Fillimisht ai thotë se Tanini nuk duhet ta kishte pranuar çmimin e Veliajt. “Longanesi, kur ka shkuar “Çmimet jo vetëm duhen refuzuar, por as nuk duhen merituar”. Nëse ka ndonjë vend ku kjo thënie tingëllon veçanërisht e vërtetë, është Shqipëria jonë, siç e kemi ndërtuar ne tash njëqind e ca vjet. Prandaj mendoj se Eljani duhet ta kishte refuzuar atë çmim që të meritonte një çmim shumë më të madh në zemrat e shumë njerëzve” thotë Lubonja në një artikull në Panorama.

Por vëzhgimi nuk përfindon këtu ai bën thirrje për ta parë Elianin si një nga ne: “Pra, pse të mos e shohim Eljanin si njeri si të gjithë ne, me të mirat dhe të këqija e veta, me trimëritë dhe frikërat e veta, me nevojat dhe idealet e veta dhe zhgënjimet e veta etj., etj. që dikush, pasi i vuri kërbaçin, ka vendosur t’i miklojë vanitetin, vesi i vetëm, sipas Rusoit, nga i cili njeriu vështirë se heq dot dorë? A nuk meritonte ai në këtë rast edhe një lloj mirëkuptimi, në mos keqardhje, që në fakt nuk janë mirëkuptim e keqardhje për Eljanin, por për veten tonë, sepse të gjithë jemi nën kërcënimin e këtij dikushit dhe të gjithë kemi dobësitë tona”?

Dhe shqetësimi i Lubonjës nuk është artisti i mikluar, por politikani korruptues:

“Dhe këtu vijmë te thelbi i çështjes, që nuk është sjellja e Eljanit, por ajo e Erjonit. Ajo që më bëri përshtypje për keq ishte se një pjesë sulmesh ishin aq të egra ndaj Eljanit dhe aq të buta (qoftë dhe në formë heshtjeje) ndaj Erjonit, saqë sikur ndjeva thellëthellë, që një pjesë i thoshin viktimës (Eljanit dhe të gjithë neve): fajin e ke ti që hape këmbët jo ai/ata(Erjoni me shokë) që të përdhunuan.

Sepse mund t’i kishin thënë edhe Erjonit ndonjë fjalë të tipit: po mirë mor Erjon, kur ky Eljani qenka një djalë kaq i talentuar, sa i denjë për të fituar një konkurs artistik, a nuk vlente që ti ta kishe pranuar në zyrat e tua për t’i dëgjuar edhe kritikat për Parkun dhe jo ta shaje nëpër televizione e t’i vije policët publikë e privatë në kurriz që ta rrihnin e ta fusnin e nxirrnin nëpër qelira?

Është sjellja e Erjonit, problemi i madh, pra, që pasi e ka rrahur, fyer dhe poshtëruar tani po kërkon ta vrasë fare moralisht duke e kthyer nga një njeri dhe artist, në një shërbëtor dhe artizan të punishtes së tij? Është sjellja e institucioneve shqiptare më në përgjithësi, që kanë në krye individë që punojnë natë-ditë, ditë-natë pa turp dhe pa asnjë fije moralise si të korruptojnë intelektualët, artistë, shkrimtarët, gazetarët, të vdekur dhe të gjallë, për t’u blerë bashkëpunimin, konformizmin apo heshtjen në mënyrë që të vazhdojnë poshtërsitë e tyre të patrazuar.

Dhe kjo sjellje ngre një pyetje tejet serioze në krahun tjetër: po mirë, nëse një i ri ka aspirata për t’u bërë artist, shkrimtar, të drejtojë një gazetë apo revistë letrare apo artistike, të hapë një ekspozitë, d.m.th., të rritet në krijimtarinë e tij, në mendimet e tij, çfarë duhet të bëjë në këtë shoqëri, kur mesazhi që i jepet është: nëse do të krijosh diçka, duhet të bëhesh palë me njerëzit e pushtetit? Çfarë duhet të bëjë ai kur sheh se Kryeministri, për të blerë intelektualët, hap edhe një dyqan në katin e parë të Kryeministrisë ku ata hyjnë kokulur pasi u bëhet monitorimi te dera se mos kanë ndonjë bombë me vete apo se mos duan të thonë ndonjë mendim kundër projekteve të Kryeministrit; kur sheh se paratë, çmimet e nderimet qeveria i shpërndan për artizanët e pushtetit që bashkë me Kryeministrin dhe ministren e Kulturës janë edhe juria, edhe

artisti, edhe fituesi.

Në fund të shkrimit të tij Lubonja bën edhe dallimin mes dy profileve të ndryshme, atij të Elian Taninit, artistit që u përkul dhe politikanit Erion Veliaj: “lufta e Eljanit për Parkun, për mua, nuk ishte një luftë për të mbrojtur thjesht disa pemë, por për të mbrojtur një rini ndryshe që presim të lindë; e ndryshme nga Erjoni të cilit i shkon fjala e Konicës se “Në Shqipëri nuk ka të rinj, por ca që kanë lindur më parë dhe ca që kanë lindur më pas”. Kurse lufta e Erjonit ishte që nesër ne të themi me dëshpërim se edhe Eljani është një që thjesht ka lindur ca më pas se Erjoni, i cili thjesht ka lindur ca më pas se Edi Rama, i cili thjesht ka lindur ca më pas se Sali Berisha, i cili thjesht ka lindur ca më pas se Enver Hoxha, i cili thjesht ka lindur ca me pas se Ahmet Zogu”./ Lapsi.al

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.