Shqipëri, policia patrullon me dronë, gjobiten 629 qytetarë për mosrespektim të orës policore (VIDEO) - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Shqipëri, policia patrullon me dronë, gjobiten 629 qytetarë për mosrespektim të orës policore (VIDEO)

NULL NULL
15/04/2020

Policia ka rritur ndjeshëm numrin e masave ndaj personave qe shkelin rregullat e qarkullimit në rrugë.

Organet e rendit në Shqipëria pas vendosjes në punë të dronëve ka gjobitur 629 persona të cilët janë kapur duke lëvizur në këmbë ose në biçikletë pa ndonjë arsye emergjente, gjatë 24 orëve, raporton Abc News përcjell Klan Kosova.

Ndërkohë 130 drejtues mjetesh që kanë janë kapur duke qarkulluar me makinë pa autorizim përkatës dhe jashtë fashës së orarit të lejuar janë ndëshkuar me heqje patente dhe bllokim mjeti.

Pesë persona janë vënë në pranga, mes të cilëve dy këmbësorë dhe tre drejtues mjetesh.

Njoftimi i plotë:

Në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19, shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në të gjithë territorin.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë evidentuar 130 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″.

Në Tiranë është arrestuar në flagrancë shtetasi F. M., banues në Tiranë dhe është proceduar penalisht shtetasi U. A., pasi nuk i janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë për të ndaluar.

Në Elbasan është arrestuar në flagrancë shtetasi E. P., banues në Përrenjas, pasi është konstatuar duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur në masën 1.18 mg/l dhe në kundërshtim me Aktin Normativ.

Në Fier është arrestuar në flagrancë shtetasi B. B., banues në Fier, pasi është konstatuar duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 1.02 mg/l dhe nuk i ka ndaluar pikës së kontrollit.

Në Durrës është arrestuar në flagrancë shtetasi M. R., banues në Krujë, pasi u konstatua duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi dhe në kundërshtim me Aktin Normativ.

Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit, si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga strukturat e Policisë dhe denoncimeve të ardhura nga qytetarët në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, në 112/129 dhe Komisariatin Dixhital, janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 10 mijë lekë, 629 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur me këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.

Gjithashtu, janë ndëshkuar me masë administrative 20 mijë lekë dhe bllokim mjeti për tre muaj, pesë shtetas, pasi nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbra të hapura, në zonat urbane apo mjedise të tjera publike të hapura.

Në të gjithë vendin janë konstatuar shtatë lokale të hapura dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative, në bazë të nenit 3, pika 7 e Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.