16:54, 31 Mars 2020

Në këtë situatë që po kalon Shqipëria dhe e gjithë bota për shkak të pandemisë CoVid-19, besimi në Zot është shtylla më e fortë ku mbështete njeriu.

Kështu përfaqësuesit e katër besimeve fetare në Shqipëri kanë dhënë një mesazh të përbashkët sensibilizues për situatën e krijuar për shkak të koronavirusit dhe masat që janë marrë në mos lejimin e përhapjes së tij.

Baba Edmond Brahimaj, Pastor Ylli Doçi, Imam Gazmend Aga dhe Dom Gjergj Meta përmes një video mesazhi të përbashkët kanë bërë apel që qytetarët të respektojnë masat e marra dhe të qëndrojnë në shtëpi.

“Ta duam njëri – tjetrin si veten tonë” kështu është një pjesë e mesazhit të shprndarë nga katër përfaqësuesit e besimeve fetare, duke nënkuptuar se qëndrimi në shtëpi dhe kujdesi me higjenën është në një farë mënyre edhe dashur ndaj të tjerëve pasi parandalon përhapjen e CoVid-19 tek ata.

Ndër të tjera ata shtojnë se Zoti është me shqiptarët dhe pohuan se po luten për të gjithë ata që janë në ballë të betejës me pandeminë por edhe të të gjithë qytetarëve.

“Përshëndetje motra dhe vëllezër, të dashur fëmijë, të rinj dhe të reja, shqiptarë kudo që ndodheni, ju nuk jeni vetëm. Zoti është me ju! Zemrat tona janë me ju! Të dashurit tuaj janë me ju, lutemi për shëndetin tuaj, për të sëmurët dhe të lënduarit, për stafin mjekësor. Jemi mirënjohës për të gjitha sakrificat. Qëndroni në shtëpi dhe ruani shëndetin tuaj. Mos harroni të moshuarit dhe njerëzit në nevojë. Ne jemi shqiptarë dhe e duam njëri-tjetrin, ne e mbështesim njëri- tjetrin. Ne e ndajmë edhe kafshatën me njëri-tjetrin, le të shpërndajmë dashurinë, respektin dhe shpresën. Le t’i hapim zemrën njëri-tjetri, le t’i drejtohemi Zotit. Ta duam, njëri-tjetrin si veten tonë. Mëshira, ndihma dhe kujdesi, dashuria dhe paqja e Zotit qoftë mbi ju.” thuhet në mesazhin e lexuar bashkërisht nga Baba Edmond Brahimaj, Pastor Ylli Doçi, Imam Gazmend Aga dhe Dom Gjergj Meta./TCH

Konkurs Pune

Lexo më shumë