Shpërthimi në Ibër Lepenc, Hoxha: Priten arrestime të reja NULL NULL 03.12.2024 17:02 03.12.2024 17:02 Gazmend Hoxha, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Drejtori i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, ka folur sot rreth sulmit në kanalin e Ibër Lepencit në fshatin Varagë të Zubin Potokut. Hoxha bëri të ditur se mund të ketë edhe arrestime të tjera lidhur me rastin. “Arrestime të reja mund të priten. Policia e Kosovës çdo ditë është duke analizuar çdo informacion që posedon dhe ato që mund të vijnë dhe varësisht nga hetimet që janë duke u bërë mund të ketë edhe bastisje të reja dhe arrestime të reja”, tha Hoxha ai për RTK-në. Ai tha se aktualisht nuk kanë sinjale për ndonjë sulm të ri në veriun e vendit, megjithatë ka shprehur gatishmërinë e policisë për intervenim, me të gjitha kapacitetet që ka. “Shpresojmë të mos kemi por në qoftë se ka, ne jemi aty për t’iu përgjigjur. Të gjitha kapacitetet tona i kemi vënë në dispozicion të sigurisë së vendit tonë, në veçanti të veriut të vendit”, shtoi ai. I pari i Policisë, ndër të tjera tha se ka bashkëpunim të mirëfilltë me KFOR-in dhe EULEX-in, derisa shtoi se EULEX-i është prezent gjatë bastisjeve që policia kryen atje derisa KFOR-i monitoron situatën në kufijtë dhe së bashku me policinë kanë rritur prezencën edhe përgjatë kanalit të Ibër Lepencit. Situata në veri të vendit, pas këtij sulmi mbetet e brishtë. Sulmet e njëpasnjëshme nga grupet kriminale në katër komunat veriore të vendit, e në veçanti sulmi ndaj infrastrukturës kritike, ka bërë që policia ta shtojë masat e sigurisë.