Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Shpërthejnë mesazhet, viktimat e Mërgim Gashit flasin hapur për mashtrimet (VIDEO)

NULL NULL
nga Flojere Thaqi 09.07.2025 20:08

Vetëm 24 orë pas transmetimit të episodit të 2 korrikut në “Kiks Kosova”, adresa e emisionit u përmbyt nga dhjetëra mesazhe, ankesa dhe dëshmi të reja.

Të gjitha kishin një emër të përbashkët: Mërgim Gashi nga Gjakova – i përmendur në rrëfime që flasin për mashtrime në zemër të Evropës, konkretisht në Gjermani.

Përmes rezervimeve false, premtimeve të rreme për bileta ajrore dhe shfrytëzimit të besimit të bashkatdhetarëve, historia e tij ka shkaktuar jo vetëm zemërim, por edhe frikë.

Shumica e të dëmtuarve, nga frika se deri ku mund të shkojë keqdashësia e Mërgim Gashit, kanë zgjedhur të rrëfejnë përvojën e tyre vetëm në mënyrë anonime.

Njëri nga bashkatdhetarët rrëfen se Mërgimi, me ofertën e tij “ALL YOU CAN FLY”, e la në aeroportin e Shtutgartit në orën 3 të mëngjesit – duke pritur për një biletë që nuk ishte rezervuar kurrë.

K.R. u mashtrua me 1,600 euro. Mërgimi ia ktheu vetëm pasi kuptoi se po përgatitej edhe një pjesë e dytë e emisionit për zbardhjen e veprimeve të tij.

Por K.R. nuk ishte i vetmi që ra në grackën e këtij mashtruesi.

Edhe I.Z. nga Gjermania, bashkë me një shok, blenë ofertën “ALL YOU CAN FLY” për 499 euro për person, me shpresën se do udhëtonin gjithë vitin. Por e kuptuan se kishin blerë vetëm një copë letër të printuar nga kompjuteri.

Dhe kjo nuk ishte e vetmja skemë mashtrimi.

Mërgimi nuk u ndal me kaq. Ai nuk la qytet të Kosovës pa mashtruar – dhe kësaj here, nuk kurseu as Gjakovën, qytetin e tij të lindjes.

Një agjenci udhëtimesh nga Gjakova ra pre e mashtrimit të tij. Ai rezervoi bileta për udhëtim drejt Gjermanisë, por ato bileta ia shiti dikujt tjetër, ndërsa pagesën nuk ia bëri kurrë agjencisë.

Pronari i kësaj agjencie, përmes një mesazhi dërguar “Kiks Kosovës”, tregoi për përvojën me Mërgimin dhe për mijëra euro të humbura.

Sipas dëshmisë së tij, Mërgim Gashi kishte telefonuar agjencinë si K.R., duke kërkuar një rezervim dhe duke pretenduar se numrin ia kishte dhënë një mik i pronarit. Stafi kreu rezervimin dhe komunikoi me Mërgimin për një javë me radhë, duke besuar se po flisnin me K.R.

Pas një jave, zbuluan mashtrimin. Kujtim Rudari i informoi se biletat e tij ishin marrë nga Mërgim Gashi, i cili i kishte nxjerrë pikërisht në këtë agjenci.

Pas një bisede telefonike, ku iu prezantuan faktet, Mërgimi fillimisht mohoi gjithçka – por brenda dy ditësh bëri pagesën.

Edhe pse ka mashtruar dhjetëra persona në Kosovë dhe në Gjermani, Mërgim Gashi vazhdon të jetë në liri.

Redaksia e “Kiks Kosovës” i ka drejtuar sërish pyetje Gjykatës së Qarkut në Stuttgart dhe Prokurorisë së këtij qyteti, duke kërkuar informacion zyrtar mbi rastin. Pritet që ata t’i kthejnë përgjigje kërkesave.

Ndërkohë, për një javë rresht, redaksia ka tentuar të marrë një qëndrim nga Mërgim Gashi lidhur me akuzat për mashtrim dhe dëshmitë e reja që po vijnë nga diaspora kosovare në Gjermani.

Por ai nuk ka kthyer asnjë përgjigje – as përmes telefonit, as përmes mesazheve.

Numri i personave të mashtruar nga Mërgim Gashi dyshohet të jetë i madh.

Shumë prej tyre, përveç përvojës personale, kanë raportuar edhe për familjarë të tjerë që kanë rënë pre e të njëjtës skemë mashtrimi.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.