Shoferët flenë në kamionë: Pritjet në Merdare deri në 5 ditë? (VIDEO) NULL NULL 09.04.2026 19:48 09.04.2026 19:48 Shpeshherë, netët i kalon duke fjetur në kamion. Jo sepse do, por sepse kolonave nuk ka nga t’u ikë. Në netët e ftohta, Bekim Topalli po përballet me vështirësi në çdo aspekt. Në kolonën 6-kilometërshe në Merdare, Topalli është detyruar të improvizojë edhe një vend për të larë duart e fytyrën, gjatë ditëve që i kalon në rrugë, raporton Kiks Kosova. Jo vetëm ky transportues nga Rahoveci, por dhjetëra të tjerë i kanë shndërruar kamionët në vendbanime të përkohshme, ku flenë dhe qëndrojnë për ditë të tëra. Problemet me pritjet në kufi, sipas transportuesve, janë bërë të zakonshme në dy vitet e fundit, duke e vështirësuar seriozisht punën e tyre. Sipas Petrit Blakçorit, kur arrijnë në terminalin doganor, askush nuk e di për sa kohë mund të përfundojë procedura e kontrollimit. Kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt edhe në fuqinë punëtore. Shoferët, të lodhur nga pritjet e gjata, po lënë vendet e punës, duke krijuar mungesë të theksuar të stafit. Përveç mungesës së punëtorëve, transportuesit po përballen edhe me vështirësi financiare. Një nga problemet kryesore, sipas transportuesve, mbetet edhe mosfunksionalizimi i pajisjeve që do të mund të përshpejtonin procesin, siç është skaneri. Në anën tjetër, më 22 janar 2026, ishte përuruar skaneri “Rapidscan” në Pikën Kufitare Merdare si donacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mirëpo sipas transportuesve kosovarë, ky skaner ende nuk është aktivizuar për përdorim. Në lidhje me ankesat e transportuesve të mallrave, Kiks Kosova ka dërguar pyetje në Doganën e Kosovës mirëpo deri në transmetimin e kësaj kronike nuk kanë kthyer përgjigje. Ndiqni në vijim kronikat e përgatitura nga Kiks Kosova për këtë çështje: